Bajrami publikon tenderin 9 milionë euro të qeverisë për vetura me qira: Mund të bliheshin 400 vetura të reja
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka publikuar një tender të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) për vetura të reja me qira.
Më saktë, sipas Bajramit, AQP-ja, që operon në kuadër të Ministrisë së Financave, që udhëhiqet nga ministri Hekuran Murati, ka hapur tender mbi 9 milionë euro.
Bajrami ka shkruar në “Facebook” se me këtë shumë do të mund të bliheshin 400 vetura të reja.
“Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) që operon në kuadër të Ministrisë që udhëheqë Hekuran Murati me 28 shkurt i pranon ofertat për të marrë vetura me qira, tender ky mbi 9 milionë euro. Po pres me padurim për të parë se sa vetura do të marrë qeveria me qira për 9 milionë euro, duke marrë parasysh se me karakteristikat që ka dhënë AQP-ja besoj se me 9 milionë euro do të mund të blente rreth 400 vetura të reja. Pra t’i blente, jo t’i merrte me qira për 60 muaj. Sytë katër”, ka shkruar Bajrami.