
Bajrami: Qeveria kurrë nuk ka pasur vullnet për të parandaluar rritjen e çmimeve
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka rikthyer në vëmendje rritjen e çmimeve.
Ajo ka thënë se qeveria kurrë nuk ka pasur vullnet për të parandaluar rritjen e çmimeve për artikujt ushqimor.
Bajrami ka publikuar edhe një deklaratë të ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që sipas saj, demanton pushtetin.
“Përballë rritjes së madhe të çmimeve të disa artikujve ushqimor është koha të shpërfaqim disa të vërteta Prej dy vitesh, partia në pushtet ka gënjyer qytetarët duke thënë se kinse LDK-ja, përmes Gjykatës Kushtetuese, ia ka ndaluar Qeverisë të marrë masa kundër rritjes së çmimeve. E vërteta qëndron krejt ndryshe! Dëgjoni ish-kryetaren e Gjykatës Kushtetuese se çfarë thotë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Pra, shteti ka mundësi përmes institucioneve të pavarura të ndërhyjë për të parandaluar rritjen e çmimeve, por është antikushtetuese që këtë kompetencë ta marrë kryeministri apo ministri. Pra, kjo qeveri kurrë nuk ka pasur vullnet për të parandalur rritjen e çmimeve – veç sa ka kërkuar fajtorë imagjinarë për të mbuluar dështimet e veta”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.