Bajrami: Qeveria Kurti po i mbron të korruptuarit e po i përndjek gazetarët

25 tetor 2024 | 11:47

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se qeveria Kurti po i mbron të korruptuarit e po i përndjek gazetarët.

Ajo ka thënë se përcjellja e gazetarëve nga AKI-ja dhe dorëzimi i lëndës nga ta në prokurori shënon “pikën më të ultë” të demokracisë në vend.

“Qysh ka mundësi që 25 vjet pas lufte, 16 vjet pas pavarësisë institucionet vitale si AKI-ja me u vu në përndjekje të gazetarëve shqiptarë?!”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.

Postimi i plotë i Bajramit:

Qeveria Kurti në mbrojtje të të korruptuarve po përndjek gazetarë

Përcjellja e gazetarëve hulumtues nga AKI-ja, dhe dorëzimi i lëndës nga ana e tyre në Prokurori shënon jo vetëm pikën me të ultë të kësaj Qeverie, por dhe pikën me të ultë të demokracisë në vend.

Ne jemi dëshmitarë që qytetarët e këtij vendi nuk kanë kursyer asgjë për fjalën e lirë, për të thënë atë që kanë besuar që është e drejtë, për të thënë të vërtetën.

Qysh ka mundësi që 25 vjet pas lufte, 16 vjet pas pavarësisë institucionet vitale si AKI-ja me u vu në përndjekje të gazetarëve shqiptarë?!

✔︎ vetëm se ata po shpërfaqin koordinimin e pushtetit me Radoiçiqin,

✔︎ se po shpërfaqin udhëheqjen e dikasterëve më vitale të qeverisë nga zyra parapolitike e LV-së,

✔︎ se po shpërfaqin me fakte keqpërdorimet në shlyerjen joligjore të borxheve të ambalazhuesve të ujit,

✔︎ se po arrijnë të shpërfaqin nepotizmin dhe shumë keqpërdorime të tjera në institucione.

Dhe shihni se çka ndodh sot, në vend se Kurti, i cili kishte marrë 51% të votave në zgjedhjet e vitit 2021 me premtimin se “do ta bëj Dubravën 12 kat” për të futë aty krejt të korruptuarit, ai sot është vënë në mbrojtje të tyre, sepse janë pikërisht njerëzit e tij të mveshur me pushtet të cilët në baza ditore po korruptohen. Tani për dallim me Albinin e opozitës, Albini kryeministër po mendon se në Dubravë duhet me përfunduar jo të korruptuarit, por ata që e shpërfaqin korrupsionin.

Mos të harrojmë se Kurti dhe klika e tij sot përndjekin gazetarë, nesër përndjekin opozitarë e pasnesër secilin qytetar që ka guxim ta thotë një të vërtetë që nuk i shkon përshtati Kurtit.

Pra kjo çështje nuk është thjesht përndjekje e tre gazetarëve – e tre individëve, kjo është tentativë me heshtë çdo zë kritik dhe me çu vendin drejt autoritarizmit të plotë. Për më tepër instrumentalizimi i institucioneve shtetërore për llogari të ulëta politiko-partiake është rrezik për demokracinë. Këtë fenomen ne s’guxojmë dhe s’duhet ta lejojmë që të bëhet normë. Andaj edhe thirrja shkon prej krejt ata burra e gra që punojnë në institucione që t’i shërbejnë shtetit dhe jo partive politike.

Meqë 9 shkurti nuk është larg duhet ta dimë të gjithë se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje mes autoritarizmit ku po rrshet vendi dhe demokracisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Java e shtatë e ProCredit Superligës pritet të sjellë sfida…