Bajrami: Thaçi ka përvojën dhe njohjen për t’i drejtuar bisedimet me Serbinë
Nënkryetari i Partisë Demorkatike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami ka thënë se përvoja e gjatë politike dhe negociuese e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e bën atë njeriun adekuat për të udhëhequr fazën finale të bisedimeve me Serbinë.
Në “Zona B” të “Klan Kosovës”, ai ka deklaruar se pret koordinim mes institucionit të presidentit dhe Kuvendit të Kosovës në këtë proces, por jo njohje të drejtpërdrejt nga Serbia edhe në përfundim të tij.
“Presidenti është faktor uniteti dhe udhëheq politikën e jashtme. Presidenti Hashim Thaçi ka përvojë të shkëlqyeshme me negociata, që nga Rambujeja. Krahas presidentit Ibrahim Rugova është personi me përvojën më të madhe shtet-formuese. Ky proces negociatash duhet të bëhet në koordinim të plotë me Kuvendin e Kosovës. Do të ishte e domosdoshme që presidenti të raportojë për një kornizë bisedimesh finale dhe kuvendi të votojë. Duhet të hapet rruga edhe për opozitën, sepse ndonjëherë edhe një zë kundër i shqiptarëve në Bruksel mund të ketë ndikim pozitiv”, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, Serbia do ta njohë Kosovën në mënyrë të heshtur.
“Nuk kam iluzion që Serbia do të nënshkruajë njohje të pavarësisë. Por do të ishte njohje e heshtur sepse marrëveshja që do të nënshkruhej do të ishte e tillë që do t’ia pamundësonte Serbisë ta pengojë Kosovën edhe për disa dekada”, ka thënë Bajrami.