BAJRONI MES SHQIPTARËVE

23 prill 2023 | 10:03

Abdullah KARJAGDIU

“Populli i Shqipërisë së jugut, – shkruan Skënder Luarasi në një punim përkujtimor kushtuar Bajronit, – e mbajti për një kohë të gjatë në kujtesën e tij vizitën e poetit anglez në sarajet e Tepelenës 150 vjet më parë dhe pleqtë tanë, shpeshherë mbrëmjeve, kur mblidheshin për bisedë te sofati i portës, i përmendnin fjalët që i tha Ali Pasha djaloshit fisnik anglez: ‘E kuptoj që jini vërtet një nga një derë e madhe prej veshëve tuaj të vegjël, prej duarve të vogla e të bardha dhe prej flokëve kaçurrela’”.[1]

Që në vitin 1806, si student në Kembrixh, Bajroni me anë të një letre e kishte njoftuar të ëmën se kishte dëshirë “t’i kalonte disa vjet në vende të huaja”. Francën natyrisht s’do të mund ta vizitonte meqë Napoleoni e kishte filluar nga Franca fushatën e tij për shtruarjen e Evropës mirëpo, megjithatë, Bajronit i thoshte mendja se do të mund t’i vizitonte Berlinin, Vjenën e Petrovgradin. I pjekur para kohe, me një kulturë të stërmadhe leximi, i dhënë pas poezisë, i ndjeshëm, i sinqertë dhe plot ideale dhe ambicie, Bajroni e njohu zhgënjimin ndaj vajzës, shokut, prindit e të dashurës në vitet e para të rinisë. Shpirti i tij në fillim ishte një shpirt bujar. Nuk dinte as për gënjeshtra, as për mashtrime, as për hipokrizi e as për maska njerëzish. Për fatin e tij të keq, vrazhdësinë dhe ligësitë njerëzore i ndeshi në lulen e rinisë. Ëndrrat e pasendërtuara, ambicia dhe talenti i injoruar si dhe ndjenjat e përbuzura, e bënë Bajronin burrë para kohe dhe, njëkohësisht, e ftohën nga familja, shkolla, madje edhe ngaatdheu. Së këndejmi, Bajroni, herë-herë, me qëllim që t’ia shëtiste dhimbjet e zemrës dhe trishtimin që ngandonjëherë ia gllabë­ronte shpirtin, kishte qejf të dehej me shokët e tij të studimeve, të merrte edhe poza prej përbuzësi të jetës dhe ta luante rolin e të riut të pikëlluar nga bota dhe jeta.

S’është çudë, prandaj, se pse në vitin 1807, gjithnjë i demo­ralizuar, orvatet të niset me disa shokë në Hebridet dhe në Islandë. Dhe kur i dështon ky plan, Bajroni, në tetorin e vitit të njëjtë, shpreh dëshirën sërish të udhëtojë me kushëririn e vet, kapitenin Betisourth, këtë herë drejt Mesdheut, kah India e perëndimit. Pas një viti kapiteni Betisourth u vra në luftën e Bergenit, mirëpo Bajroni nuk kishte hequr dorë nga një udhëtim në Orient. Në shkurtin e vitit 1808 i shkruan një kolegut të studimeve, De Bathit: “Në janarin e vitit 1809 do t’i mbush të njëzet e një vjetët e jetës sime, kurse në pranverë të po atij viti do të nisemi për në rrugë jashtë vendit, por jo në një turne të rëndomtë, por në një rrugë me përshkrime më të gjëra. Ç’thua? A je i ngeshëm ta shohësh Peloponezin e të udhëtosh nëpër arkipelag?” Më tutje Bajroni shton: “Unë e kam me gjithë mend. Do ta marr rrugën e shtegtimit, në mos më pengoftë ndonjë ngjarje ose tollovi politike”.[2] Në vitin 1807 Bajroni kishte botuar përmbledhjen e parë të poezive “Çastet e kotësisë”.[3] Në këtë përmbledhje kishin zënë vend lirika të llojllojshme të dashurisë, pendesës, ndarjes, kujtimit, pikëlli­mit dhe dhimbjes. Në këtë përmbledhje gjende­shin edhe disa strofa dhe poezi të përkthyera nga poezia antike greke dhe latine. Shumica e poezive ishin komponuar me masa të ndryshme metrike, sidomos në kuplete heroike dhe kuplete tetërrokëshe. Kjo përmbledhje e tij ishte pritur me përqeshje dhe me nënçmim nga kritikët e revistës “Revista e Edinbur­gut”. Mirëpo, në marsin e vitit 1809 Bajroni iu përgjigj kriti­këve të krekosur të kësaj reviste me veprën poetike dhe sati­rike “Bardët anglezë dhe recensentët skotlandezë”.[4] Kjo vepër e dytë e Bajronit ishte një sulm kundër shkrimtarëve, poetëve dhe kri­tikëve bashkëkohorë të cilët ose e kishin prekur Bajro­nin në sedër, ose Bajroni vetë s’i çmonte si letrarë. Kjo ishte një ndër satirat më të mira shkruar nga një poet aq i ri. Pas kësaj kohe, në pranverën e po këtij viti, Bajroni e zuri vendin e vet në shtë­pinë e lodrave të cilën e trashëgoi nga një xhaxha.

Mirëpo ai ende kishte dëshirë të udhëtonte. Kështu që, në prillin e vitit 1809 Bajronin e gjejmë përsëri duke kërkuar shokë udhëtimi. Në këtë kohë Bajroni e njoftonte bankierin e tij, Hansonin, që këtë herë, pavarësisht prej çdo të papriture, kishte vendosur të udhëtonte brenda një kohe sa më të shpejtë, prandaj kërkonte një shumë të mjaftueshme të hollash në mënyrë që “të ikë nga ky vend i mallkuar dhe ja ku ta them se më parë do të bëhem mysliman sesa të kthehem në Angli”.[5] Këtë herë Bajroni kishte vendosur të udhëtonte për në Persi dhe Indi. Si shok udhëtimi i premtoi të bëhej Kemp Xhon Hobhauzi. Sa i përket vendimit të ngulmimshëm të Bajronit, ekzistojnë disa shko­qitje. Sipas disave, vetë natyra e gjallë, e etshme për përjetimet e Bajronit, e nxiste atë të udhëtonte. Sipas disa të tjerëve, udhëtimet e tilla në kohën e Bajronit ishin një lloj mode për ata të cilët e kishin kuletën e thellë. Po ka të tillë që thonë se Bajroni, si çdo romantik i vërtetë, ishte i pakënaqur me jetën dhe kishte vendosur të kërkonte prehje dhe frymëzim në vende ekzotike. Sido që të jetë, Bajroni do të merrte një rrugë të tillë në vitin 1809, në moshën njëzet e një vjeçe, duke pasur një përvojë mjaft të dendur jetësore në Angli, duke i kryer më parë të gjithë ato që ishin për t’u bërë deri në një moshë aq të re, pas një përgatitje mjaft të thellë intelektuale dhe psikike për një udhëtim të largët.

Është interesante të mendosh tani se sa do të dallohej poema e “Çajld Haroldit” sikur Bajroni t’i përmbahej planit të tij të marsit të vitit 1809 të udhëtimit. Ka të ngjarë se sikur Bajroni të udhëtonte për në Persi dhe Indi, nëpër Mesdhe, pa i vizituar viset e Shqipërisë së Jugut dhe Greqinë, pjesa krye­sore e këngës së parë të “Çajld Haroldit”, ashtu siç e kemi sot, s’do mend, nuk do të ekzistonte fare, meqë udhëtimi i Bajronit nëpër Por­tugali dhe Spanjë qe krejt i rastësishëm. Madje sikur Bajroni t’iu kish përmbajtur rrugës së tij të planifikuar në pranverën e atij viti, atëherë strofat e stërbukura dhe të fuqi­shme mbi Shqi­përinë s’do të shkruheshin askurrë.[6]

Nga fillimi i korrikut, Bajroni, Hobhauzi dhe disa përcjellës të tyre hipën në limanin anglez të Follmauthit në anijen “Libson Paket” dhe u nisën për në Portugali. Më 8 korrik arritën në Lisbonë. Bajroni me përcjellësit kaluan nja dhjetë ditë në Por­tugali, me ç’rast Bajroni i fitoi përshtypjet e para nga peiza­zhet portugeze. Po atë verë Bajroni e vazhdoi rrugën nëpër Spanjë, pa vënë ndonjë dallim të madh mes këtyre dy vendeve fqinje, sidomos sa i përket natyrës së këtyre dy vendeve. Në Spanjë Baj­roni vizitoi Kadizin. Rrugës vështroi me kënaqësi kostumet e rralla spanjolle, u interesua për doket e popullit spanjoll dhe u mahnit me zeshkanet symëdha e syzeza të Spanjës. Spanja për Bajronin ishte vendi i ëndrrave, i dashu­rive romantike dhe i valleve të zjarrta,pastaj kaloi nëpër Guadina, Andaluzi, Sevilje etj. Asokohe spanjollët gjendeshin nën okupimin francez, kështu që lufta guerile kishte zënë të merrte flakë në pyjet, luginat dhe malet spanjolle. Në këtë rast, Bajroni dëgjoi edhe për trimërinë e Aragonës, e cila, duke humbur dashnorin në luftë kundër pushtuesit të huaj, e plotëson amanetin e tij, duke e marrë pushkën e tij për ta vazhduar luftën kundër robëruesit. Bajroni merr me mend se edhe shumë çupa të tilla spanjolle ishin të gatshme të luftonin për liri. Sipas Bajronit, populli spanjoll s’ishte krijuar për ta duruar pushtuesin e huaj, prandaj fryma liridashëse e spanjo­llëve e mbushi plot admirim ndaj tyre edhe vetë Bajronin.[7] Pastaj u nisën për Maltë. Fjalët hyrëse të udhëpërshkrimeve të Habhauzit na sqarojnë më mirë situatën në fjalë: “Miku im dhe unë, pasi i kaluam nja tri javë në Maltë dhe, pas ngurri­meve të mia a të niseshim drejt Izmirit apo drejt ndonjë limani të Turqisë evropiane, vendosëm, më në fund, të niseshim në ndonjë liman të Turqisë evropiane meqë na u dha një rast i volitshëm. Kështu që, pavarësisht prej planeve të hartuara, ne morëm një vendim të ri. Një luftanije me vela po nisej me mallra në Patras, limanin kryesor në pjesën perëndi­more të Moresë dhe në Prevezë, një qytet në bregdetin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë guvernatori i Maltës qe i detyruar të na jepte leje të udhëtonim me këtë anije për në Prevezë, prej nga vendosëm t’ia fillojmë turneut tonë”.[8]

Libri i udhëpërshkrimeve i Hobhauzit fillon me nisjen nga Malta. Ka vetëm ndonjë referencë të rastit lidhur me periudhën e kaluar në Portugali dhe Spanjë. Ato ditë Bajroni po i shkruante me shaka Hoxhsonit: “Vetë perëndia ndërhyri në favor të publikut që vuan duke ia pëlkyer dorën Hobhauzit dhe duke e bërë të paaftë për shkrime, kështu që ngjyra e shkrimit pushoi së derdhuri”. Tri javë më parë, nga Lisbona, as Bajroni nuk kishte shkruar ndonjë përshtypje të hollësishme mbi peizazhet e Por­tugalisë, duke u justifikuar se për to “do të dëgjoni së shpejti nga librat e udhëpërshkrimeve të mikut tim”.[9]

As miku i Bajronit, Hobhauzi, nuk e sqaron askund heshtjen e tij lidhur me fazën e parë të shtegtimit. Ka të ngjarë se dora e pëlkyer i pengoi në javët e para të shtegtimit që të merrte shëni­me të gjata. Natyrisht, në rrugë e sipër, Hobhauzi mori ca shëni­me, por fare të shkurta që t’i botonte më vonë në “Kujtimet” e tij. Ndërkaq, arsyen e vërtetë të mungesës së shënimeve nga Portugalia dhe Spanja duhet kërkuar në faktin se rreth këtyre dy vendeve ekzistonin një sërë librash të udhëpërshkrimeve. Por, Lindja e Afërme, në përgjithësi, e shqiptaria në veçanti, ishin më pak të njohura për anglezët, kështu që do të mund t’u pëlqenin më fort lexuesve anglezë. Para se të nisej nga Anglia, Hobhauzi, si duket, ishte përgatitur për ekspeditën në fjalë duke lexuar një literaturë të pasur mbi historinë e Peran­dorisë Osmane dhe Greqinë. Të martën, më 19 shtator, sipas Bajronit, më 21 shtator, Hobhauzi e Bajroni u nisën nga Malta me luftanijen “Spajdër” (Merimanga) nën komandën e kapite­nit Oliver. “Të martën, më 19 shtator të vitit 1809, u nisëm nga Malta, – shkruan Hobhauzi, – kurse të shtunën, në orën nëntë të paradites, ndodheshim në Kanalin mes Qefalonisë dhe Zantes”.[10]

Udhëtimi në Shqipëri s’qe pa ngjarje tronditëse. Në afërsitë e Ishujve Jonianë, të cilët asokohe ishin nën sundimin francez (një muaj më vonë i pushtuan anglezët), të dy shtegtarët anglezë shijuan nga pak luftën miniaturale detare. Afër Gjiut të Korin­thit, me datën njëzet e katër shtator, “Spajderi” zuri një barkë të çuditshme. Pas kontrollit morën vesh se barka kishte qenë pronë private e një tregtari.

Luftanija “Spajder” ishte e armatosur me një top të vogël, kurse të nëntë pjesëtarët e ekuipazhit ishin të pajisur me pushkë dhe shpata. Hobhauzi me mjekun e ekuipazhit ishin vullnetarë në rast nevoje. “Spajderi” lundroi rrotull ishujve për më se një ditë e gjysmë duke i zënë edhe dy anije të vogla dhe duke hasur një velore turke prej shtatëdhjetë tonelatash e cila shtiu menjëherë kundër “Spajderit”.

Në mbrëmjen e datës njëzet e gjashtë shtator, duke lundruar prej Patrasit në Prevezë, “Spajderi” zuri një lundër të madhe nga Itaka dhe një anije të vogël nga Ulqini. Këtë të fundit e bastisi dhe e kontrolloi Bajroni, por nuk gjeti në të asgjë me vlerë, pos disa armëve të vjetruara.[11]

Hollësi të tjera të këtyre aventurave gjenden në një shënim të gjerë të librit “Udhëtimet” [12] të Hobhauzit të vitit 1855. Është punë për seri se si as vetë Bajroni s’i përmend asgjëkund këto episode. Hobhauzi i përmend vetëm më 1855. Ndoshta, meqë Anglia ishte në gjendje lufte, manovra dhe aksione të tilla informative s’guxonin të dilnin sheshit gjatë atyre viteve sepse duhet të konsideroheshin “sekrete”.

Më 28 shtator “Spajderi” e kaloi Itakën. Udhëtarët, duke u larguar nga Itaka, vunë re, nga kuverta e luftanijes, shkëmbin e famshëm të quajtur “Kërcimi i Safos”. Bajroni dhe Hobhauzi, me katër shoqërues të tyre, po i afroheshin Shqipërisë. Të nesër­men ata zbarkuan në Prevezë, në pikën më jugore të regjionit të njohur si Shqipëri, sipas Hobhauzit. Preveza atëherë ishte skela më e rëndësishme e Pashallëkut të Ali Pashë Tepe­lenës. Si duket ajo pati një fuqi tërheqëse për të dy shtegtarët anglezë. Ajo i hapte dyert poetit romantik anglez për të parë një botë aq të lashtë e të panjohur siç ishte Shqipëria dhe për ta vizituar mundësisht, për të folur goja-gojës me një prijës trim e të zgjuar, të egër e dinak siç ishte Aliu.

Asokohe Shqipëria, ndonëse hynte në radhën e viseve “ekzotike”, ishte ndër regjionet që vizitoheshin fare pak nga turistët dhe udhëpërshkruesit evropianë. Giboni ka pasur shkruar se Shqipëria asokohe, “ndonëse gjendej përballë Italisë, njihej nga evropianët më pak se brendia e Amerikës”.[13] Në vitin që Bajroni po e vizitonte Shqipërinë, sipas të gjitha gjasave, nuk ka ndonjë hartë adekuate ose përshkrim të saktë e të gjerë lidhur me gjendjen, gjuhën, cilësitë dhe civilizimin e provincave shqiptare të Perandorisë Otomane. Së këndejmi, kjo mosnjohje e këtij vendi, si duket, e cyti Hobhauzin që librat e vet me udhëpërshkrime t’i titullojë: “Udhëtimi nëpër Shqipëri dhe provincat e tjera të Turqisë”, përkundër faktit se vetëm një e gjashta e shënimeve dhe e ditarit të tij bëjnë fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Vërtet një grup i vogël udhëtarësh dhe misionarësh anglezë dhe francezë kishin udhëtuar nëpër luginat dhe pyjet e Shqi­përisë, duke kaluar shpative dhe rrëzë bjeshkëve të larta në vitet e para të shekullit XIX, por vetëm një anglez ishte interesuar pak më tepër për viset në veri të Janinës. Ai qe majori Uiljem Martin Lik, nënshtetas anglez, të cilin Bajroni e takoi në Janinë.[14] Kur s’kishte misione dhe bisedime diplomatike në oborrin e Ali Pashës, Liku kishte zakon të udhëtonte shpeshherë larg Janinës, duke mbledhur të dhëna topografike e, sipas gjasave, edhe informative në disa vise të Shqipërisë dhe të Greqisë. Vepra e tij “Udhëtimet në Greqinë e Veriut” përmban mjaft të dhëna me vlerë rreth Shqipërisë së asaj kohe. Udhëtarë të tjerë anglezë, të cilët kishin qenë në këto anë para Bajronit dhe Hobhauzit, kishin ardhur në këto vise si të dërguar ushtarakë, informativë ose diplomatikë për një kohë fare të shkurtër. Është interesant të përmendet me këtë rast se kur ndodheshin ende në luftanije, Bajronit dhe Hobhauzit u rastisi të bisedojnë me një anglez i cili i përshkroi shqiptarët sa s’ka më zi. Sipas tij, edhe vetë përfaqësuesi i Anglisë pranë oborrit të Ali Pashës po bëhej gati të ikte nga Janina, mirëpo të dy shtegtarët s’u frikësuan me ato që dëgjuan nga bashkëvendësi i tyre. Me padurim donin ta shihnin vendin e panjohur të cilin të gjithë e adhuronin, por shumë kishin frikë ta vizitonin.

Në një mëngjes të zymtë, derisa po binte shi, shtegtarët anglezë zbarkuan së pari në brigjet e Shqipërisë së Jugut, në Prevezë, e cila, në Pashallëkun e Ali Pashës, konsiderohej limani kryesor i pjesës jugore të Pashallëkut. Pavarësisht prej faktit se tani, për të parën herë, po shihnin gjëra të reja, sidomos xhamitë me minare, karakteristika të rëndomta të Lindjes së Afërme ekzotike dhe romantike, moti i lig, pamja e rreptë dhe e egër e banorëve, dukja disi e braktisur e lagjeve të qytetit, për pak s’u lënë shtegtarëve përshtypje sa s’ka më të këqija. Lidhur me këto përshtypje Hobhauzi shkroi: “Sikur komandantit të luftanijes t’i ngutej shumë, më thotë mendja se do të ktheheshim në Patras me gjithë qejf. Po sikur të ndodhte diçka e tillë, Bajroni jo vetëm që s’do të mund të përjetonte disa episode jashtëzakonisht të rëndësishme e plotë tronditje të jetës së vet, por s’do të kishte qenë në gjendje të krijonte aso farë frymëzimesh çfarë pati gjatë dhe fill pas kësaj vizite”.[15]

Ndërkohë anglezët u bënë të ngeshëm në Prevezë kur moti u përmirësua shpejt dhe pasi Bajronin dhe Hobhauzin i priti mjaft ngrohtësisht vëllai i vicekonsulit (vicekonsulli s’ishte aty), me të cilin hëngrën darkë dhe guvernatori leshator i qytetit i cili u ofroi kafe dhe çibukun tradicional oriental për të thithur duhan. Preveza kishte qenë skena e një triumfi më të rëndësishëm të Ali Pashë Tepelenës, kur ky, aty nga viti 1798, në kohën kur në Francë po ndodhte Revolucioni Borgjez e po përmbysej sistemi feudal, i dëboi francezët nga Preveza dhe e shtriu pushtetin e vet pothuajse mbi tërë gadishullin grek. Asokohe Preveza ishte një qytezë me tre mijë banorë, nga të cilët më se gjysma ishin shqiptarë muhamedanë. Fortesa e re, në skaje të skelës dhe bateria në fund të qytezës prej nga mund të kontrollohej e të mbyllej hyrja në skele, ishin shenjat e pranisë së pushtetit të Ali Pashës.

Pas një shëtitjeje njëorëshe kaluan nëpër një rrafshinë të qytezës, duke arritur pranë disa ullishtave, pastaj shtegtarët arritën në gërmadhat e Nikopolisit, qytetit të famshëm të historisë antike, ku Oktavius Qezari kishte korrur fitoren mbi Antonin dhe Kleopatrën, në betejën e Akciumit dhe e kishte ngritur edhe qytetin për hir të ngadhënjimit. Gërmadhat gjendeshin pothuajse nja tri milje nga deti dhe, ndonëse muret e lashta, të ndërtuara prej tullave, ishin zhbërë, e kishin humbur shkëlqimin dhe ishin ngrënë nga dhëmbi i kohës. Në gjendjen e tyre të mje­rueshme kishte diçka “madhështore dhe mallëngjyese” për zemrat romantike të shtegtarëve anglezë, sidomos nga kontrasti që ua jepte gërmadhave bariu i vetmuar me kopenë e tij, të cilët, si duket, ishin të vetmit banorë të qytetit të dikurshëm me popullatë dhe shkëlqim të perënduar.

Të dy ditët që i kaluan në Prevezë u mjaftuan për t’i parë vendet dhe gërmadhat historike. Më 1 tetor, Bajroni, Hobhauzi dhe një dragoman i ri grek, të cilin e kishin marrë me vete në Patras dhe i cili nuk dinte turqisht, i hipën një veloreje dhe lundruan më se dymbëdhjetë mile drejt pjesës jugore të Gjirit të Sallahorës. Sallahora ishte një liman mjaft me rëndësi në liqenin e Artës. Që andej kalonin pothuajse të gjitha mallrat që dilnin dhe hynin në Pashallëkun e Janinës. Meqë shtegtarët e lodhur s’gjetën ndonjë vend më të mirë për ta kaluar natën, ranë në konak në barkën e doganës detare.

Mysafirëve anglezë u ra rasti të dëgjonin shpeshherë të përmendej emri i Ali Pashës. Të gjithë flisnin për të me ndrojtje të madhe si për vezirin e tyre. Në barakën e porsandërtuar të doganës në Sallahorë, gjendej një grup i vogël rojtarësh shqiptarë. Me këta të fundit shtegtarët anglezë qenë të shtrën­guar të kalonin dy net duke i pritur kuajt që do t’i shpinin në veri, kah Janina. Vonesa nuk qe fatale, ngaqë anglezët, për të parën herë, patën rastin të vëzhgojnë prej së afërmi sjelljet, miqësinë dhe mënyrën e jetës së shqiptarëve.

Kapiteni i rojës në Sallahorë, i quajtur Elmaz, iu duk mysafirëve i pagdhendur në fillim, mirëpo posa i diktoi mysafirët, Elmazi, siç e lypte zakoni i tij, u uroi miqve mirëse­ardhje, u ofroi kafe dhe çibukë, ndërsa pas darkës i luti miqtë e çmuar që të vinin e ta kalonin mbrëmjen në odën e tij.

Bajroni shikonte dhe përcillte çdo gjë që ngjante në ato çaste të takimit e të njohjes me këta shqiptarë të cilët zunë t’ia zgjonin kërshërinë. Po i vështronte shqiptarët duke hyrë dhe duke dalë nga oda. Mënyra se si ecnin ata iu duk mjaft teatrale. Elmazi e kishte më të spikatur krenarinë dhe krekosjen në të ecur, mirëpo një ecje e tillë e çuditshme dhe krekosëse ishte pasojë jo e krenarisë së kotë, po e xhybeve që vareshin ngathtazi nga shpatullat. Kështu, mysafirët patën rastin ta shohin syhapur pozën plot hijerëndësi dhe madhështi të një njeriu me arna në bërryla dhe me rroba të leckosura, “si të ndonjë lipsi të vjetër”.[16]

Megjithatë, Elmazi ishte mjaft i afërt me njerëzit e tij, ishte shok i tyre, njëherësh kishte një autoritet të pashoq mbi ta. Duke pirë duhan, duke ngrënë rrush dhe duke biseduar greqisht nëpërmjet dragomanit, shqiptarët dhe anglezët ngallën interesim për shoqi-shoqin. Qostekët e orëve të mysafirëve anglezë e tërhoqën vëmendjen e shqiptarëve, kurse kapitenit Elmaz i hyri në qejf aq shumë pushka e bukur e markës “Manton” e Baj­ronit saqë deshi ta këmbente me pushkën e vet, por ngurroi në çastin që kuptoi se Bajroni kish ndër mend t’ia falte vezirit atë pushkë.

Natën e dytë mysafirët nuk e ndienin veten të lodhur e të padiktueshme mes miqve dhe rojeve. Kështu, ata të cilët një natë më parë u ishin dukur Bajronit dhe Hobhauzit si njerëz të pagdhendur e trashamanë, tani për ta ishin të afërt, bile anglezët i thërritnin me emra herë Abdylin, herë Jagxhiun e herë Zurlosin. Kur ky i fundit s’u përgjigjej me gëzim, atëherë anglezët mësuan me keqardhje se e kishin quajtur torollak.

Pas darkës, natën vonë, shqiptarët ia nisën këngës. Ishin ato këngë të çuditshme për mysafirët. Kishin tinguj nazalë dhe theks. U kënduan këngë në shqipe, greqishte dhe rumanishte. Në fillim njëri ia thoshte këngës duke pirë, me zë buçitës, duke e përsëritur vargun, ndërsa të tjerët, në kor, ia mbanin ison bashkërisht dhe kjo iso e tyre zgjaste aq sa kishin frymë, deri në notën e fundit. Hobhauzi kishte mbajtur mend se një ndër këngët bënte fjalë mbi pushtimin e Prevezës, një fushatë me të cilën shqip­tarët mburren së tepërmi dhe s’kishte pothuajse këngë ku mos të theksonin e mos ta ngrehnin zërin me një fuqi të posaçme sa herë që përmendej emri i Ali Pashës.[17]

Pikërisht nga kjo këngë, në “Çajld Haroldin” e Bajronit do të gjejnë vend disa strofa me frymëzim, motiv, porosi dhe ritëm të përshtatur në anglishte, meqë ato ishin komponuar në bazë të këtyre këngëve që i dëgjoi Bajroni me këtë rast dhe më vonë, në disa raste të tjera. Në këtë mënyrë, në vend se të mërziteshin, sikundër kishin pandehur në fillim, meqë ishin bërë miq të disa njerëzve të panjohur në një barakë pa farë komfori, shtegtarët anglezë u ndanë nga shqiptarët të kënaqur që kishin pasur rastin të njiheshin me burra aq interesantë. Lidhur me këtë njohje të parë me shqiptarët, Hobhauzi, i cili kishte pasur rezerva ndaj shqiptarëve, shënoi: “Përkundër dukjes së tyre të egër dhe të rreptë, neve na u dukën jashtëza­konisht të butë, të pakëqij dhe shakaxhi”.[18]

Kurse Bajroni, në letrën e tij që i dërgoi të ëmës, thotë: “Në udhëtim e sipër, një herë dy ditë dhe herën tjetër tri, jetova me shqiptarët në një barakë në Sallahorë dhe konstatova se nuk gjenden në botë ushtarë kaq të duruar ndaj vështirësive sesa ata, megjithatë kam pasur raste të kem qenë midis ushtarësh të kombësive të tjera në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës, kam parë shumë ushtarë spanjollë, francezë, sicilianë dhe anglezë. Gjatë kohës që qëndrova me shqiptarët nuk m’u vodh asgjë dhe, bile, më kanë ftuar përherë me përzemërsi që të haja ushqimet dhe të pija nga racioni i qumështit të tyre”.[19]

Kësodore, edhe “Çajld Haroldi” do t’i përmendë viset e panjo­hura në zemër të Ilirisë:

Nga vështirësitë e zymta të klimës së rreptë

E deri në zemër të luginave të Ilirisë

Çajld Haroldi kaloi shumë male madhështore

Trojeve që mezi përmenden n’tregime të historisë

(Ç. H., II, 46)

Pastaj u nisën për Artë, si një karvan i vërtetë. Karvani për­bëhej prej dhjetë kuajve. Katër kuaj ishin për Bajronin, Hobha­uzin, Fleçerin dhe dragomanin grek dhe dy kuaj të tjerë për dy ushtarë shqiptarë të cilët i shoqëronin si rojtarë. Kuajt e tjerë i mbanin plaçkat. Shtegtarët anglezë s’kishin harruar të merrnin me vete valixhe të mëdha, dyshekë e, madje, edhe shtretër. Ky udhëtim deri në Artë zgjati rreth tri orë.

Prej së largu Arta iu duk shtegtarëve një qytezë piktoreske dhe e bukur. Arta, ndonëse kishte mbetur si e harruar, prej se Ali Pasha e kishte bërë Janinën kryeqytet, iu duk anglezëve më tërheqëse se Preveza, e cila ua kishte lënë përshtypjen e një qyteze të gjorë, ose Sallahora, e cila s’ishte qytet. Bajroni dhe Hobhauzi brodhën nëpër Artë deri në perëndimin e diellit dhe, para darkës, e ftuan mikpritësin e tyre, tagrambledhësin grek, të pijë çaj me ta. Për të kaluar nëpër viset malore, që asokohe konsideroheshin të rrezikshme për shkak të sulmeve të cubave, sidomos në shtigjet në mes të Artës dhe Janinës, shtegtarët morën në shërbim edhe katër rojtarë shqiptarë, të armatosur me pushkë të gjata dhe me shpata. Kjo qe një punë me mend dhe më se e domosdoshme, meqë në mjaft pjesë të viseve të shqiptarëve asokohe kishin mbetur ende grupe cubash.[20]

Kjo masë dhe parapërgatitje u duk mjaft e justifikueshme për shtegtarët. Në rrugë e sipër, në një luginë, rëndomë ku sulmonin cubat, shtegtarët dëgjuan një të shtënë pushke dhe u stepën. Pasnjë cope herë u duk një djalosh me pamje që ua kalli datën, i armatosur me kobure, me një hanxhar të gjatë dhe pushkë të gjatë. Sakaq, shtegtarët e patën të qartë, nga fjalët e përcjellësve të tyre, se ai i cili u ishte dukur si cub, ishte vetëm një bari kopetë e të cilit po kullotnin rrëzë bjeshkëve. Çadrat e anglezëve, sipas gjasës, e kishin habitur malësorin bari ngaqë ai s’kishte parë askurrë çadër në jetën e tij.

Sipas Bajronit, kjo rrugë ishte “mjaft” romantike. Këto vise, sipas tij, “kishin bukuri të madhe piktoreske”. Pas nja tridhjetë miljeve të kaluara nga Arta, kishin arritur në hanin e Shën Dhimitrit, në një bujtinë orientale dhe primitive. Aty u vendo­sën në një dhomë me katër shqiptarë muhamedanë dhe një prift ortodoks. Këta udhëtarë duket se ishin mjaft interesantë ngaqë ishin të ngarkuar nga veziri me një mision të caktuar që të shkonin te gjenerali francez në Korfuz. Shtegtarët anglezë, sidomos përcjellësit anglezë të Bajronit, s’u rehatuan dot atë natë, meqë diktuan se të gjithë ata ranë të flenë, me përja­shtim të atyre treve që flinin me kobure pranë kokës.

Të nesërmen, në mesditë, nga rruga shtegtarët vunë re për të parën herë Janinën dhe liqenin që e rrethonte përqark. Ishte kjo një skenë ngashënjyese, së paku sipas fjalëve të Hobha­uzit: “Shtëpitë, kupolat dhe minaret që shkëlqenin mes kop­shteve, portokallishteve dhe limonishtave si dhe nga zabelet e qipari-save, liqeni me sipërfaqen tij që shtrihej rrëzë qytetit, këto, pa pritur e pa kujtuar, shpërthyen para syve tanë kështu që asgjë s’mund të kalonte kënaqësinë tonë, meqë ishim të bindur se ndodheshim, më në fund, para liqenit Akerusian, para Pindit dhe fushave Eliziane”.[21]

Në hyrje të Janinës shtegtarët diktuan një kontrast të vrazhdë të ligjeve të vendit. Nga një lis i lartë dukej e lëvruar një dorë dhe një pjesë tjetër e trupit të një të dënuari me vdekje. Më vonë, në Janinë, morën vesh se ato pjesë të trupit kishin qenë të një vjedhësi të regjur, të cilit pushteti vendas ua kishte shkurtuar kokën para disa ditësh.

Fjala mbi vizitën e miqve anglezë, Janinës, kishte arritur në Janinë para arritjes së tyre, kështu që një shtëpi e rehatshme po i priste ata kur mbërritën në qytet. Fill pas arritjes së tyre, një qatip i vezirit dhe kryeplaku i qytetit erdhën t’u dëshironin mirëseardhje. I pari i njoftoi mysafirët me lajmin lajkatues se Ali Pasha vetë kishte dhënë urdhër që mysafirët të ishin miq të tij në konak në Janinë dhe kishte dërguar porosinë se meqë ai ishte i zënë momentalisht me njëfarë telashi të luftës atje në veri, mysafirët do të shoqëroheshin nga një eskortë e caktuar nga vetë Pasha, në mënyrë që, të siguruar e të mbrojtur, të mund të udhëtonin kah veriu e të takoheshin me Pashain, në qytetin ku kishte lindur ai, në Tepelenë.

Bajroni dhe Hobhauzi i kaluan nja gjashtë ditë të këndshme në Janinë para se ta merrnin rrugën kah veriu. Ndonëse veziri nuk ishte aty, ata patën rastin t’i vizitojnë dy nipat e tij. Bajronit iu dukën disi tërësisht tjetër nga çunakët anglezë. “U njoha me Hysen Beun dhe Mahmut Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës, në Janinë”, i shkruan Bajroni të ëmës. “Janë krejt ndryshe nga çunat tanë: kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zezë, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullta. Janë kafshëzat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremoni të oborrit. Përshëndetja turke është një përkulje e lehtë e kokës, me dorën e djathtë në zemër. Të afërtit puthen sa herë piqen. Mahmudi është dhjetë vjeç dhe shpreson të më shohë prapë. U bëmë miq pa kuptuar njëri-tjetrin, si gjithë bota, ndonëse për shkaqe të ndryshme. Më kanë dhënë letër për t’amënë More, për të cilin kam letër edhe prej Ali Pashës”.[22]

Dinjiteti, hijerëndësia dhe sjelljet e atyre fëmijëve shqiptarë u bënë përshtypje anglezëve. Hysein Beu, biri dhjetëvjeçar i Muhtar Pashës, i priti në pallatin e të atit me sjellje jashtëza­konisht të mira dhe e përmbajti entuziazmin e vet fëmijëror kur vuri re shpatën e stërbukur të Bajronit. Kur Hobhauzi u orvat të prekte një hajmali të shenjtë të Shën Nikollës, që i varej nga qafa Hysenit të vogël, ky i fundit u zmbraps pak me mirë­sjellje. Kushëriri i Hysenit, Mahmudi, dy vjet më i moçëm, ishte pasha i vërtetë dhe kishte qëndrim pashai. Bajronit i la përshtypje të madhe Mahmudi. Mahmudi kishte njohuri të gjerë. Ai e hutoi Baj­ronin duke e pyetur se cilës dhomë të parlamentit anglez i takonte ai dhe miku i tij. Respekti që iu tregua pashait të ri, kur ky po shkonte kaluar rrugës së qytetit, la përshtypje të thellë dhe të çuditshme te mysafirët anglezë.[23]

Asokohe Janina ishte një qytet i njohur i Turqisë evropiane. Natyrisht, rëndësia e saj konsistonte në faktin se ajo ishte qendërushtarake, administrative, strategjike dhe diplomatike e Ali Pashës. Në Janinë jetonin shqiptarët dhe grekët. Më 1809 Janina ishte më e madhe, më e pasur dhe më e kulturuar si qytet se vetë Athina. Në Epir, në përgjithësi, “grekët e konsi­derojnë Janinën se është më e pasur, më e pastër, më e mësuar dhe më e kultivuar për nga gjuha me dialektin e banorëve të vet”.[24] “Por një rruge të madhe, kryesore dhe tregtisë së zhvilluar, Janina asokohe kishte bina dhe godina të hijshme. Ekzistonin edhe disa shkolla fillore dhe të mesme. Në një gadishullëz në formë të trekëndëshit, mbi liqenin e bukur, gjendej rezidenca kryesore e vezirit. Ali Pasha kishte edhe shtëpi verore diku në periferi.

Ditën e tretë të vizitës së mysafirëve anglezë në Janinë u hap panairi vjetor. Tregtizat në qytet u mbyllën atë ditë, kurse tregtarët e Janinës nxituan t’i ngrenë barakat e tyre në rraf­shinën në pjesën juglindore të qytetit. Në një sipërfaqe të caktuar për bagëtinë ishte tregu, ndërsa në disa livadhe të veçanta u shënua dhe u rezervua vendi për vallëzuesit dhe këngëtarët. Ky panair përputhej me fillimin e ramazanit që do të fillonte me ngritjen e hënës. Në mbrëmje, në çastin që hëna zuri t’i ngjitej qiellit, jehuan dhe ushtuan shumë të shtëna pushkësh e koburesh, ndërsa nga minaret e të gjitha xhamive vezulluan kandilat…

I dërguari britanik në Janinë, kapiteni (më vonë majori) Lik, u tregua një udhëzues, këshilltar dhe shok i vyeshëm në Janinë. Në bisedë e sipër me bashkëvendësit e tij, larg vend­lindjes, Liku diktoi se Bajroni herë pas here “ia kthente shpinën shoqërisë dhe e harronte bisedën e atyre që gjendeshin pranë tij për t’i soditur i hutuar dhe i kredhur në ëndrra malet e largëta”.[25]

Sa iu përket dashuriçkave, të cilat Bajroni kishte zënë t’i për­jetonte në moshën e njomë e t’i ketë pareshtur në rininë e parë, në studime, në Kembrixh, në Nju-Stid, madje edhe në rrugë e sipër, sidomos në Maltë, këtu Bajroni s’pati shumë fat me jani­naset se, shqiptaret dhe greket, ruheshin nga të huajt. Megjithatë, disponimi i Bajronit nuk ishte prishur. Bajroni dhe Hobhauzi s’patën rastin ta shihnin as të motrën e mikpritësit të tyre, zotit të shtëpisë ku kishin ardhur si miq. Por, Bajronit s’iu durua pa tentuar diçka, sipas asaj fjale të vjetër, se “çka piqet nuk hiqet”. Bajroni dhe Hobhauzi ia dhuruan një copë mëndafshi venedikas zonjushës së re, e cila, nga ana e saj, si i kujtohej Hobhauzit, “na çoi fjalë se i vinte keq që s’mund ta falënderonte vetë dhe, meqë s’ishte martuar, ajo s’mund të na i puthte duart personalisht, por kishte shprehur dëshirën që këtë gjë ta bënte dragomani ynë në emrin e saj, i cili kishte sjell të falat dhe dhuratën”.[26] Në Janinë Bajroni dhe Hobhauzi u njohën me Athanas Psallidën, mësuesin dhe shkollarin e njohur të Janinës. Ky kishte një bibliotekë të vogël.

Të hipur në kuajt e vezirit, të cilët ua kishin vënë në dispo­zicion me mirësjellje, Bajroni dhe Hobhauzi vizituan rrafshinën ku mbahej panairi. Nga periferia, bukuria e Janinës ekzotike spi­katej edhe më mirë. Në fshatin e afërm, që i thoshin Çerkovicë, nja katër orë në jug të Janinës, mysafirët anglezë hasën në disa gërmadha impresive. Bajronit iu duk se mund të ishte Dodona e famshme antike.[27] Sipas tij, gërmadha antike në Çerkovicë ishte vërtet e shkëlqyeshme por, ndoshta, do qe punë e kotë të bëhej përpjekja që ajo të identifikohej me ndonjë emër klasik.[28] Sidoqoftë, mysafirët anglezë po ndienin një kënaqësi të vërtetë duke u orvatur t’i “zbulojnë” ose t’i identi­fikojnë tempujt, qytezat, vendet e shquara e të përmendura të antikës, për të cilat kishin dëgjuar e lexuar aq shumë në Angli.

Më 11 tetor shtegtarët anglezë e braktisën Janinën. Një episode sa interesante aq edhe tronditëse ngjau në udhëtimin e shkurtër në kodrinat e Zicës, e cila i dha shkas frymëzimi drejtpërdrejt Bajronit për një poemë spontane e të shkurtër. Kur i zuri shtrëngata e madhe disa milje larg Zicës, Bajroni dhe disa nga përcjellësit, të cilët kishin ngecur pas të tjerëve, e kishin humbur rrugën e tyre dhe, sipas fjalëve të Hobhauzit, “pasi brodhën poshtë e përpjetë duke mos pasur haber se ku gjen­deshin, më në fund, u ndalën afër disa varreve turke me pllaka guri, pranë të cilëve kalonte një përroskë, të cilën ata e diktuan nga vezullimi i shkreptimës”.[29] Ata i kishte rrahur shtrëngata për nëntë orë, kurse udhërrëfyesit, në vend se t’i ndihmonin, “e kishin shtuar konfuzionin akoma më tepër duke ua mbathur këmbëve, pasi Georgi, dragomani, i kishte kërcënuar se do t’i vriste dhe, në një çast mllefi të pafrenuar, i trembur edhe vetë, pa dhënë fare paralajmërim, shtiu me të dy koburet e tij, me ç’rast, shërbëtori anglez, Fleçeri, kishte lëshuar një çirrje të lemerishme, duke kujtuar se na kishin sulmuar cubat”.[30]

Gjatë këtij pështjellimi Bajroni e kishte ruajtur gjakftohtë­sinë e vet, bile, me këtë rast, ai u frymëzua për të hartuar një poemë shtatëdhjetë e dy vargjesh, me titullin “Strofat e komponuara gjatë një shtrëngate”.[31] Në udhëtim e sipër, me një rast tjetër, ai i shkroi vargjet e një poezie të dashurisë kushtuar “Florencës së këndshme”, kujtimi i së cilës “kishte gjithnjë fuqi të ma ngrohë kraharorin”. Rraskapitja nga ngjarja e natës së mëparshme i detyroi shtegtarët anglezë që të ndaleshin një ditë në Zicë, në mënyrë që të tereshin, të çlodheshin e ta merrnin veten. Me këtë rast, ata bënë një punë me mend, ngaqë fshati i vogël i Zicës, në shpat të një kodrine, i magjepsi Bajronin dhe Hobhauzin. Bajronit, me të vërtetë, Zica iu duk “vendi më i bukur, me përjashtim të Cintrës në Portugali”. Në letrën e tij të gjatë, të dërguar nga Preveza më 12 nëntor, Bajroni shkruan: “Hipur në kuaj të vezirit, dola për shëtitje dhe pashë pallatet e tij e të nipërve: janë pallate madhështore, të stolisur së tepërmi në ar dhe në mëndafsh. Pastaj kalova nëpër male përmes Zicës, një fshati me manastir ortodoks, ku fjeta me t’u kthyer, në më të bukurin vend që kam parë, përveç Cintrës në Portugali”.[32] Dhe ndonëse pat thënë se “as një laps ose pendë nuk mund ta për­shkru­ante këtë peizazh”[33], po këtij peizazhi Bajroni i dedikoi pesë strofa në “Çajld Haroldin” e tij, ku, ndër të tjera, këndoi:

Munshtir i Zicës nga kjo streha jote,

E vogël por e shenjtë e plot me hije,

Kudo që shohim, rrotull, sipër, poshtë,

Na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi,

Shkëmbinj përrenj e pyll e qiell i rimtë,

Të gjitha treten n’harmoni të plotë,

Buçimë e largët e përroit na tregon vendin

Ku rrokulliset ujë i kataraktit,

Ndër gërxhe, që tmerrojnë e të kënaqin shpirtin.

(Ç. H., II. 48)

Nga Zica, të cilën e lanë më 13 tetor, u mbeti edhe një javë për të arritur në Tepelenë. Shtegtarët anglezë tanimë e patën të qartë se stina me shira të vjeshtës nuk ishte gjithaq e përshtatshme për ta vizituar Shqipërinë. Kjo gjë u pa edhe më mirë gjatë udhëtimit kah veriu i Zicës. Në rrugë e sipër grupi i anglezëve u rrah pothuajse vazhdimisht nga shiu. Ata patën një rrugë të vështirë edhe për shkak të pasojave të stuhive. Në disa vende rrugët malore ishin gati-gati të pakapërcyeshme. Në disa vende ato kishin vërshuar tërësisht nga rrëketë e shiut që vërsuleshin nga shpatitë e maleve. Kësodore, udhëtimi ishte i ngadalshëm dhe i vështirë, kryesisht nëpër vende të thepisura dhe shkëmbore.

Bajroni u habit mjaft kur diktoi se rrugët po i meremetonin vetëm vajzat shqiptare “më të bukurat që i kam parë ndonjëherë, me shtat dhe me tipare; të tilla ishin ato që i pashë duke meremetuar rrugën e prishur nga rrëketë mes Delvinaqit dhe Libohovës”.[34] Së pari, shtegtarët anglezë u çuditën kur panë vajzat dhe gratë të bënin punë të tilla, të rënda, ndërsa burrat ishin të zënë me luftë ose ishin në gjah, mirëpo Bajroni e pat të qartë se një punë e tillë fizike mund të durohej lehtë në një klimë të mrekullueshme.

Gjatë rrugës ushqimet kryesore të shtegtarëve anglezë ishin shpezët, vezët dhe rrushi. Duke vazhduar rrugën drejt veriut, ushqimi u shpenzohej gradualisht. Sidoqoftë, ata nuk ankohe­shin nga vështirësitë e një vendi shkëmbor dhe i prapambetur. Për më tepër, Bajroni ndiente kënaqësi të ballafaqohej me vësh­tirësitë e shtegtimit. Më vonë, duke e përkujtuar këtë udhëtim, ai thotë: “Miku im Hobhauzi kishte zakon të ankohej nga kre­vatet e forta dhe insektet thumbuese, ndërsa unë flija si top…” Për dallim nga miku i vet, Bajroni fliste se ai mund të flinte atje ku mund të flinte edhe cubi. Kështu që, në udhëtim e sipër, Bajroni ishte “sot në një pallat e nesër në kasolle lopësh, këtë ditë me një pasha e tjetrën me një bari, në ndonjë kasolle më të mjerë malore”.[35]

Shkruan Borsti: “Në pastë pak mburrje e madje edhe lëvdata në referencat e shpeshta të Bajronit, sidomos kur flet për veprën e vet dhe në kurriz të Hobhauzit, duke e lëvduar durimin dhe qëndresën e vet të pareshtur, këtu duhet t’i falim ose t’ia zëmë si krenarinë e një të riu, i cili gjente kënaqësi të provonte se ishte i fortë dhe i paepur”.[36] Gjatë këtij udhëtimi Bajronin më së tepërmi e nevrikoste shërbëtori dhe përcjellësi i tij nga Anglia, Fleçeri, i cili vazhdimisht qahej, ankohej ose dërdëlliste tërë rrugës kundër kushteve të vështira, ushqimit, klimës, njerëzve etj.

Peizazhi malor dhe i egër i afërsirave të Delvinaqit iu dukën shtegtarëve si një tablo e rrallë. Edhe në këto anë shtegtarët anglezë ndesheshin gjithnjë e më shpesh me shqiptarë, në grupe më të mëdha. Në këto anë kostumi dominues dhe kryesor ishte fustanella piktoreske shqiptare e jo më petkat e leshta dhe të shlira të grekëve të cilat kishin pasur rastin t’i shohin më parë. Ky ndërrim i shpejtë i rrobave të njerëzve, si duket, paranjoftonte se tani, në këto treva, që nga Delvinaqi, banonin vetëm shqiptarët.

Pas Delvinaqit ata e vazhduan rrugën drejt Libohovës. Kjo ishte një qytezë e cila dukej se varej pjerrëtazi nga shpati i thepisur i malit. Më në fund po i afroheshin Tepelenës. Pasi kaluan Qesoratin dhe Erenidën iu afruan fare Tepelenës, në të cilën arritën në perëndim të diellit, më 19 tetor. Skena që e kishte para vetes Bajroni la një përshtypje aq të thellë në imagjinatën tij saqë e shohim me vend ta përkujtojmë me këtë rast: “Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5.00 ndaj natëherë kur po perën­donte dielli. Më solli në mend, me pak ndryshim të veshjes, përshkrimin që i bën Skoti Branksamit në këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre, me më të bukurin në botë, me fustanellë të gjatë të bardhë, tallaganë të qëndisur me ar, me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisur me oja t’arta, me jatagan e pisqollë të sërmajtë, tartarët me feste të gjata; turqit me qyrk të madh e turban; ushtarët togje-togje në qoshk të madh e të hapur në ballë të pallatit, dhe skllevërit arapë në galeri të madhe të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar; përposh dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo çast, kalorës duke sjell e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e myezinëve që thërrasin ezanin nga minaret e xhamive – të gjitha këto me pamje të jashtë­zakonshme të ndërtesës vetë, sajonin një skenë të re plot gëzim për sytë e një të huaji. Më përcollën në konak shumë të këndshëm dhe sekretari i vezirit erdhi të më përshëndesë në mënyrë allaturka!”[37]

Përshkrimi dhe përshtypja e Hobhauzit është e ndryshme pak nga ajo e Bajronit. Ndonëse në të mungon entuziazmi i frymëzimit, Hobhauzi, në shënimet e tij, na ka lënë këtë përshkrim: “Oborri i Tepelenës, që ishte i rrethuar në të dyja anët prej pallatit dhe në të dyja anët e tjera nga një mur i lartë, na doli përpara syve kur hymë për të parën herë. Me atë pamje disi ngjallej ajo që mund të kishim parë nja njëqind vjet më përpara në kështjellat e ndonjë zoti të madh feudal. Ushtarët, me armët e tyre të grumbulluara kundrejt murit pranë tyre, qenë mbledhur në pjesë të ndryshme të sheshit. Disa syresh duke çapur poshtë e lartë dhe të tjerët duke ndenjur në shesh togje-togje. Disa kuaj të shiluar po qëndronin rreth e përqark, ndërsa të tjerët hingëllinin nën frerin e kalorësve. Në pjesën më të largët të banesës po bëheshin përgatitjet për të kremten e asaj nate; dhe disa mishra kecërish e dhensh po piqeshin në hell e përgatiteshin prej akçinjve të cilët edhe vetë ata ishin përgjysmë të armatosur. Çdo gjë kishte pamje luftarake, megjithëse jo tamam në stilin e ushtrisë të një gjenerali të krishterë, sepse shumë nga ushtarët ishin të veshur në petk të zakonshëm, shpesh edhe pa këpucë dhe më fort me një pamje të egër në fytyrë, dhe ashtu sikundër e kishim vënë re edhe më përpara ne shqiptarët”.[38]

Kjo ishte, sipas të gjitha gjasave, skena më e bukur që po e shihte Bajroni gjatë këtij udhëtimi. Kjo skenë ia përkujtonte atij episodet e lexuara në “Një mijë e një net”, me shkëlqimin dhe madhështinë e vet. As kryeqyteti i Perandorisë Otomane në Bosfor, me xhamitë dhe minaret e tij, as pallati i sulltanit s’do të mund të krahasohej me interesimin që ia zgjoi Bajronit oborri i Ali Pashës, i ngritur në një krahinë të largët të pambërritur të Shqipërisë. Fakti se fare pak dihej për këtë oborr, e shtonte edhe më tepër magjinë e këtij oborri për Bajronin dhe Hobhauzin.

Duke krahasuar përshkimin mjaft të qëlluar të Hobhauzit me përshkri­min që na ka dhënë Bajroni për këtë skenë si në letër, dërguar nënës së tij, si në këngën e dytë të “Çajld Haroldit”, strofat 56, 57, 58, 59, do të kemi të qartë se kjo skenë dhe hollësitë e saj janë bazë frymëzimit të një sërë vargjeve të freskëta, tronditëse dhe të qëlluara, me ç’rast shihet më se miri imagjinata poetike. Disa prej vargjeve nga skena e udhëpërshkrimeve para Tepelenës janë këto:

Dielli po perëndon përtej Tomorit,

E Vjosa vjen me valë t’egërsuar,

Hijet e natës po mbulojnë dhenë.

Tek rusej me kujdes tërthores thikë,

Haroldi, pa si meteor në qiell,

Xhamitë e ndritura të Tepelenës

Dhe muret e Kalasë përmbi lumë.

Se qasej, ndiente zhurmë luftëtarësh

E cila shtonte flladin vajtimtar të grykës.

 

Kaloi kullën e heshtur të Haremit,

Nga beri i gjerë i portës vuri re

Konakn’ e këtij prijësi të fuqishëm,

Çdo gjë tregon sundimin e tij të natë,

Veziri rri në salltanet të madh,

Teksa pallatn’ e tundin përgatitjet.

Ushtarë, miq, hadëmë, skllevër, presin,

Saraje brenda në kala përjashta:

Këtu duket se mbledhin njerëz nga çdo anë.

Një varg atllarë të shiluar bukur,

Dhe shumë lëndë lufte përgatitur

Presin përposh n’oborr të gjerë, sipër

Plot togje të çuditshme sheh në hajat,

Rëndom mbi prag të portës që kërcet,

Nget kalin shpejt ndonjë tartar fisgjatë:

Turq, grekë, shqiptarë arapë aty përzien

Në lloj-lloj ngjyra gjersa zëri i mbytur

I tamburit të luftës lajmëron akshamin.

 

Shih t’egrin shqiptar me fustanellë

E rrobat të qëndisura me ar.

Armët të lara me flori, sa bukur![39]

(Ç. H., II, 57-9)

Në këtë mënyrë, duke shtegtuar dhe duke u njohur me shqiptarët, poeti romantik anglez po bënte diçka që rrallëkush para tij kishte pasur mundësinë të bënte: ai po njihej me një popull të ri, që fliste një gjuhë të pakuptueshme për Bajronin por, megjithatë, Bajroni nuk e ndiente veten të huaj mes këtij populli.

Për çudinë e tij, poeti anglez erdhi së shpejti në përfundimin se kishte të bënte me banorët e një kombi, të panjohur deri më atëherë për të, por të dashur e të afërt. Së këndejmi, Bajroni s’iu shmang pothuajse askurrë shoqërisë së shqiptarëve. Njerëz të tillë, të cilët i flisnin më parë me mirësjellje se me fraza, apo me respekt miqësor sesa poza, me çiltërsi zemre sesa me hipokrizi, Bajronit i kishte rastisur të shihte rrallë. Kështu, që nga kontaktet e para me shqiptarët, Bajronit do t’i shtohet interesimi për ta. Do ta pranojë miqësinë e tyre, do t’i vështrojë, do t’i dëgjojë dhe do të ha me ta “bukë e kripë”. Duke kaluar ditë të tëra mes tyre, ai do t’i spikasë disa cilësi që i çmonte më së tepërmi te njeriu. Do t’i bien në sy poetit romantik edhe jeta e vështirë, pasojat e robërisë turke, gjendja e mjeruar ekonomike e shqiptarëve. Me kënaqësinë më të madhe Bajroni do ta vërejë se ndodhej mes njerëzish me të cilët mund të merrej vesh e mes të cilëve mund të jetonte, sepse e çmonin mikun, burrërinë, çiltërinë dhe të vërtetën.

Për këta “bijë të vërtetë të natyrës”, Bajroni do të këndojë edhenë “Çajld Haroldin” e tij dhe, në këtë mënyrë, do të jetë zbuluesi i parë i tematikës shqiptare në letërsinë romantike evropiane të asaj kohe.

[1] Skënder Luarasi, Bajroni në Shqipëri, Nëndori, nr. 10, tetor 1959, f. 205.

[2] W. A. Borst, Lord Byron’s First Pilgrimage, New Naven, 1948, f. 149.

[3] Hours of Idleness: A Series of Poems Original and Translated, Newark, 1807.

[4] English Bards and Scotch Reviewers; A Satire, 1809.

[5] W. A. Borst, vep. e cit., f. 151.

[6] Po aty f. 161.

[7] Po aty f. 164-165.

[8] J. C. Hobhouse, A Journey through Albania and Other Provinces of Turkey, London, 1813, f. 17.

[9] W. A. Borst, vep. e cit., f. 55.

[10] J. C. Hobhouse, vep. e cit., f. 17.

[11] T. Moore, Letters and Journals of Lord Bajron, London, 1830, f. 246.

[12] Nuk është fjala për veprën e Hobhauzit, A Journey through Albania and other Provinces of Turkey.

[13] W. A. Borst, vep. e cit., f. 62.

[14] Vepra e Likut titullohet Travels in Northen Greece, London, 1835.

[15] J. C. Hobhouse, vep. e cit., f. 25. Itinerarin e këtij shtegtimi në shqipe e për­cjellin mjaft me saktësi Skënder Luarasi, Bajroni në Shqipëri, Nëndori, nr. 10, 1959; Kristo Frashëri, Bajroni në Shqipëri dhe takimet e tij me Ali Pashën, Mësuesi, nr. 19-20, 1963; dhe Hasan Spahiu, Bajroni në Shqipëri, enciklopedia e mësuesit, Tiranë, 1966.

[16] Pas letrave të Bajronit dhe ditarit të Hobhauzit, Borsti, pa dyshim e përshkroi më së miri këtë shtegtim.

[17] Si Bajroni ashtu edhe Hobhauzi, secili në mënyrën e vet, do të reprodukojnë dhe përkujtojnë disa herë këtë skenë dhe përjetimin që e patën me atë rast. Lidhur me përshtypjen që i kishte lënë Bajronit Ali Pasha, do të bëhet fjalë edhe në kapitullin e tretë.

[18] T. Moore, vep. e cit., 254; J. G. Hobhause, vep. e cit., f. 40.

[19] T. Moore, vep. e cit., f. 55.

[20] Në përgjithësi, edhe ne mbështetemi në itinerarin e ri të konstruktuar nga Borsti që, me sa duket, është mjaft i qëlluar.

[21] J. C. Hobhause, vep. e cit., f. 57.

[22] Moore, vep. e cit., f. 257.

[23] Shih T. S. Hughes, Travels in Greece and Albania, London, 1830, f. 458; S. Luarasi, vep. e cit., f. 209.

[24]  W. A. Borst, vep. e cit., f. 66.

[25] J. H. Marseden, A. Brief, Memoirof the Life and Writingts of the Late Lieutentan Colonel Williem Martin Leake, London, 1864, f. 31.

[26] W. A. Borst, vep. e cit., f. 67.

[27] J. C. Hobhause, vep. e cit., f. 409.

[28] Po aty f. 65.

[29] Po aty f. 79.

[30] Po aty f. 80.

[31] Në origjinal, Stanzas Composed during a Thunderstorm.

[32] T. Moore, vep. e cit., f. 249; S. Luarasi, vep. e cit., f. 206.

[33] Po aty f. 206.

[34] Po aty f. 207.

[35] John Murray, London Byron’s Correspondence, 2 vols, London, 1922, f. 176; S. Luarasi, vep. e cit., f. 209.

[36] W. A. Borst, vep. e cit., f. 70.

[37] T. Moore, vep. e cit., f. 249 dhe Skënder Luarasi, Bajroni dhe shqiptarët, f. 205-210.

[38] Po aty f. 250.

[39] Si këto citate ashtu edhe ato të mëparshmet janë marrë nga Çajld Haroldi, shqi­përuar nga S. Luarasi, Tiranë, 1973.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albin Mehmeti  Slogani “Rroftë shenjtëria e gjuhës dashamire” u shpalua…