Bajrush Xhemajli dhe Shahadija martojnë pinjollin e tyre, Elirdin me Gëzonjetën
Ish-i burgosuri politik Bajrush Xhemajli, i cili ka vuajtur në burgjet serbe mbi 14 vjet, ka martuar djalin Elirdin me Gëzonjetën, vajzën e ish-ushtarit të UÇK-së, kolonelit të Policisë së Kosovës, Emin Beqiri.
Në një atmosferë të këndshme familjare, me shokë të burgut, bashkëpartiakë, miq dhe dashamirë, në një restorant të Ferizajt, Bajrushi me bashkëshorten Shahadijen, bashkë me nënëloken Fatime e cila ka mbushur 89 vjet, me vëllezër dhe motra po prisnin mysafirë nga të gjitha viset shqiptare në gazmendin e tyre familjar.
Këtij gazmendi familjar hijeshi i dhanë edhe mysafirët e nderuar: lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, me bashkëshorte, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e të gjithë anëtarët e kryesisë e deputetë; Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Abelard Tahiri, Uran Ismaili, Hajredin Kuçi, Adem Grabovci, Elmi Reçica, Ferat Shala, Ramë Buja, Eliza Hoxha, Zenun Pajaziti, deputeti i LV-së, Hydajet Hyseni, ish-ambasadori Nait Hasani, ish-zv/ministri Hajredin Hyseni, bashkëveprimtar nga Lugina e Preshevës, si dhe gjenerali Kudusi Lama nga Shqipëria, shokë të burgut të Bajrushit me të cilët kishte kaluar nëpër kazamatet serbe e shumë të ftuar të tjerë.
Të ftuarit e të respektuarit nga familja patriotike Xhemajli, të cilët me babë e nënë, me djem e vajza, që të gjithë kanë qenë halë në sy për regjimin serb dhe që pothuajse të gjithë kanë kaluar nëpër burgjet serbe, ndiheshin të lumtur që ishin të pranishëm dhe bënin atmosferë me muzikë të bukur shqipe.
Elirdi dhe motra Elira, dy fëmijët e Bajrushit e të Shahadijes, janë rritur nëpër dyert e burgut pa u përqafuar nga prindi i tyre i cili vuante dënimin me burg nga Serbia në burgjet e Serbisë e të Kosovës. Elirdi ka lindur në vitin 1991, ndërsa Elira në vitin 1994, menjëherë pas burgosjes për të disatën herë të Bajrushit.
Kujtojmë që nënëlokja Fatime, edhe pse i kishte vdekur burri në vitin 1979, përmbushi dëshirën e përbashkët që kishin me burrin, Muharremin, për rriten, shkollimin, edukimin në frymë kombëtare e me dinjitet të shtatë fëmijëve të tyre: Mustafës, Bajrushit, Emrushit, Nazifes, Qamilit, Mifailit dhe Lumnijes.
Gazeta “Epoka e re” u uron Elirdit dhe Gëzonjetës jetë të gjatë dhe martesë të lumtur.\S.Z\.