Bakayoko: Do ta kualifikoj Milanin në Ligën e Kampionëve
Tiemoue Bakayoko, që është i huazuar nga Chelsea, me drejt blerje për 35 milionë euro, është i lumtur te kuqezinjtë dhe ka thënë se do ta japë maksimumin që të arrihen objektivat e klubit.
“Po kaloj në një sezon të mirë. I jam falënderues Milanit dhe jam shumë i lumtur këtu, edhe pse jam kritikuar shumë në fillim. Është normale. Të gjithë kanë pritur më shumë nga unë. Nuk është befasi. Do të bëj gjithçka për t’i siguruar Milanit kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri. Kanë kaluar pesë vjet që kur tifozët e Milanit kanë dëgjuar për herë të fundit himnin dhe unë dua të jem në ‘San Siro’ ku të ndodhë kjo”, ka thënë Bakayoko për “France Football”.
“Do të shikojmë se si do të përfundojë sezoni. Unë kam kontratë me Chelsean. Ai është klub shumë i rëndësishëm për mua. Ai vendosi të bëjë disa ndryshime dhe unë nuk isha pjesë e planeve të tij. Sarri erdhi dhe më tha cilat ishin qëllimet e tij. Ishte një vendim i rëndësishëm për mua sepse Milani është klubi im i katërt për mua dhe për një 24-vjeçar është shumë. Ishte Leonardo ai që më kontaktoi dhe u largova nga Chelsea vetëm për Milanin pasi ishte klubi që më bëri të ëndërroja kur isha fëmijë”, ka shtuar Bakayoko.