Baki Kelani: Zyrtarët e kidnapuar janë policë patrullues, kemi kërkuar lirimin e tyre

14 qershor 2023 | 17:30

Policia e Kosovës ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për medie, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga Policia e Serbisë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, e ka quajtur këtë një “kidnapim klasik”.

“Siç e kemi bërë të ditur edhe përmes njoftimit, sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës, në zonën kufitare në veri, dyshohet se njësitet speciale të Serbisë, në formë të organizuar, kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues. Dua ta theksoj se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe”, ka thënë Kelani.

Më tutje, Kelani ka shtuar se policët ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare, duke parandaluar kalimet ilegale si dhe kontrabandën në atë pjesë.

“Policia e Kosovës dëshiron të theksojë se njësia policore patrulluese, ka qenë me detyrë zyrtare me pike statike në vendin e quajtur tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Kosovës. Kanë qenë duke kryer detyrat e tyre zyrtare, që të parandalojnë kalimet ilegale, që të parandalojnë grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët në atë pjesë, të parandalojnë kontrabandën në atë pjesë, duke përfshirë edhe me armë”, ka thënë Kelani, duke shtuar se në atë pjesë, njësitet policore nuk kanë gjetur zyrtarët policorë, por vetëm veturën zyrtare.

“Tre zyrtarët kanë parë që në atë lokacion kanë lëvizur persona të dyshuar, të armatosur dhe të maskuar, që dyshohet të ketë qenë njësitet speciale të Serbisë. Policia me njësitë tjera ka shkuar me asistencë në atë lokacion, me të arritur atje kanë parë automjetin zyrtar, por jo edhe tre policët”, ka thënë ai, duke shtuar se në lidhje me këtë rast kanë njoftuar KFOR-in.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ditën e…