Bakija-Deva: Rritja e pjesëmarrjes së grave në jetën publike, element kyç për zhvillim e shtetit
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, ka thënë se sot ka qenë e nderuar të pranojë certifikatën nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, për programin “Eliminimi i barrierave për mundësi të barabarta”, në ceremoninë e përmbylljes së projektit të KUSA-s, të financuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
“Askush nuk duhet të dyshoje në faktin se gratë, mbi bazën e dinjitetit të tyre të barabartë me të burrave, kane të drejtë të plote për t’u futur aktivisht në çdo aspekt të jetës publike. Mundësitë dhe të drejtat e barabarta në procesin e vendimmarrjes për gratë në Kosovë vazhdojnë të mbeten ende një sfidë e madhe. Ekziston nevoja e marrjes së veprimeve të nevojshëm për të krijuar diversitet gjinor me qëllim të zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë”, ka shkruar Bakija-Deva në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ajo ka thënë se barazia gjinore në pjesëmarrjen politike dhe publike është aspekt fundamental i qeverisjes demokratike modern.
“Rritja e pjesëmarrjes së grave në jetën publike përbën një element kyç për zhvillim dhe demokratizim të një vendi. Meshkujt dhe femrat duhet të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të plotë në të gjitha aspektet dhe nivelet e proceseve. Mungesa e mundësive të barabarta për gratë në këtë fushë është duke e penguar potencialin e gjysmës së popullsisë për të marrë një rol aktiv në fushat politikave zhvillimore, atyre ekonomike, sociale si dhe fusha të tjera të jetës shoqërore”, ka thënë zëvendësministrja Bakija-Deva.
Ajo ka thënë se përfshirja e grave në të gjitha aspektet e jetës politike është e rëndësishme jo vetëm sepse gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, por sepse arritja e pjesëmarrjes së balancuar të grave dhe burrave në vendimmarrjen politike dhe publike është çështje e zotërimit të plotë të të drejtave të njeriut, drejtësisë sociale, si dhe një kusht i nevojshëm për funksionim më të mirë të një shoqërie demokratike.
/Epoka e re/