BALADA PËR BABANË DHE MOTRËN BAHRIJE
BALADA PËR BABANË DHE MOTRËN BAHRIJE
(Tim Eti vrarë më 18 prill 1999*)
Uturimë shkoi fshati atë mëngjes prilli
Barbari vuri putrën në gardhe dielli
U trandën dhe të vdekurit në varre
Si teh kose befi vdekja bizare
Bija tha: “Barbarët erdhën, kullat po i kallin”
Babai iu përgjigj: “Nuk braktis shtëpinë pa e pëlcitur ballin”
Bija ia ktheu: “Ikim Baba nga serbët e tërbuar”
Babai iu përgjigj: “Udha të shpie… matanë mali s’është rrëzuar”
Ec moj bija ime luginës së përroit, kujdes, pa panik
Qëndron, pragu i shtëpisë nuk më lë të ik…
Motra ia puthi ballin Atit atë ditë prilli
Në ndarjen tragjike sikur pushoi dielli
Shpejto drita ime, rrënjë e ardhmërisë
Babai po shkon në altarin e lirisë
Motra mori malin nën breshëritë…
Babai mbyllte dyert nga hordhitë
Njerëzit shumoheshin në zbrazjen e katundit
Lamtumirë Troje për herë të fundit
Babai tha: “Nuk iki sa të jem gjallë”
Bija ia ktheu: “Nuk zhbihemi as nga ky djall”
Qëndroi im At’ pas pragut të shtëpisë
Ah, qe thyer vetë kulmi i gjithësisë
Gërdoci pëlciti dyerve iu vunë skllapë
Vetëm Babai e Xhaxhai kanë mbetur zhapë
Me bastun në dorë ah sikur malin ta kishte mësyrë
Në ninëzat e syrit nxinte një mynxyrë
Ecte Bahrija si zog i plagosur në përpjetën e malit
Apo mbi dhembjen e gurtë në ballin e Babait
Sa shekulli zgjati ajo ditë
Bjeshka largohet, bjeshkë më prit!
Në çdo krua Motra lëngonte
Të Atin e vet mbi ujëra shikonte
Kaluan ditët, hekur, hekur, hekur
Pa marrë lajmin për t’Et se ka vdekur
Babai ra në pragun e shtëpisë
Motra u kthye në agun e lirisë
Me duart e saja varrin ia zbuloi
Plagët e plumbta me lot ia mbuloi
Mortjen e sollën plumbat e barbarëve…
Ndjesë pastë në tokën e të parëve
*Gërdoc, 9 korrik 1999. Ditën e zhvarrimit të babait.
PEMA IME LARË ME GJAK
E shkelën grurin në arë e gardhiqet na i thyen
u ça porta, dera e shtëpisë u përplas
xhamat e dritares copë-copë ndanë rrugës ranë
fletët e librave anëpëranë
Lumi përplot gjak e gjaku u nxi
plumbi mbi kokat tona zogut krahun ia plagoi
dielli u turbullua, lemeria e mori
lulja në livadh nga çizmja barbare është vrarë
bari i shkretuar në pranverë pa gafrruar ka mbetur
viçi tmerruar ndër fushë është fshehur
Pema ime u la me djersë burrash
breza të këputur duar të shkatërruara
klithma e tyre si ehu i këngës ndër dhëmbë
dhe rrënjët e pemës ujiten me gjak
Kokat si frutat kanë rënë…
BALADA E MOTRËS XIFË DUKE IKUR NGA PRISHTINA
Përmes zërave të ngrirë më thuaj fjalën e mërdhirë
Motra ime Xifë me Nënën si u ndave atë ditë
Dhembjet bien si breshërima zjarri mbi faqet e tua
E përpive kupën e helmit të shpirtit të trazuar
Motra tha: “Po zbrazet qyteti, vajtën moj nanë”
Nëna iu përgjigj: “Nuk më tremb ushtri e pafarë”
Motra ia ktheu: “Ikim nga tirani i Serbisë”
Nëna u përgjigj: “Nuk dal jashtë dhe sikur të kallet kulmi i shtëpisë”
Dhe mendja trandej atë çast të lig
Vargoni pafund, njerëz në panik
Dikund në rrugët e Prishtinës, Nëna ra
Lemeria e klithmës sate shpirtrat shurdhon pa pra…
Nëna mbet me frymë të ngrirë diku në rrugë e thëllime
Ndarja juaj Motra Xifë vjen nga kohërat bizantine
Ik moj bija ime, Nëna ndër dhëmbë emrin tënd mbllaçiti
Mbarë të vaftë rruga, fëmijët kujdes, ah, sa i ka dashur nipërit
Amanet djemve atje ku bren miza hekur, në ato vende…
Nëna mbet me frymë në Prishtinë e komën ia solli policia serbe
S’të la barbari as t’ia puthësh ballin atë fundmarsi Motra ime
Nëna mbet me frymë. Ajo rron diku në rrugë e gjëmime
Prishtina e zbrazur përtej Vetërniku
Vargu ikanak trondit Kaçanikun
Në mes të eksodit e ankthit të ngrirë
Motra ime vrapon të gjejë fëmijët
Të fundit herë kokën ktheu atje ku filloi tragjedia
Për të përgjuar mbi trotuar ndarjen nga Hyjnia
Gjëmëtarët shtoheshin në zbrazjen e Prishtinës
Në thua merrnin mbi dhembjet e Hamides
S’ma thotë zemra sytë s’më besojnë
Shpirti m`u dridhka pse jam në këtë botë
Rron Nëna ime sa të rrojë Prishtina
S’mund të vdesë Nëna sa nuk vdes Liria
Ajo do t’i bëjë ballë vdekjes e shtrëngatës
Se Motra Xifë s’deshi ashtu të ndahet
Lokja shqiptare të zi e ka shikimin
Ushtari, polici serb, po na shtypin syrin
Ushtojnë topat granatohej përditshmëria
Vetëm me robër në shtëpi të vet ka mbetur Prishtina
Tërë ditën e lume rrinte ulur, natën si engjëll bënte roje
Është grua e fortë dhembjet e qytetit mundi t’i duronte
Tragjedia e ndarjes ndodhi atë ditë në Prishtinë
Po zoti për t’i bashkuar shpirtrat kishte lënë mirësinë
Parajsë të shpëtimit kishte bërë në Shkup, Kukës e Kumanovë
Dhe urën e pjekjes e kishte lënë në Tetovë
Ajo është trimëreshë, i bëri ballë mortjes bizantine
Dhe motra Xifë do të kthehet një ditë rrugëve prishtinase
Në pranverë ikanakët do të kthehen palë-palë
Nëna që ngrysi tragjedinë i shikon me fytyrë të vrarë
Pastaj nga dritaret e shtëpive sodit këtë mrekulli të shkretë
Gruaja fisnike që sfidoi demonët e shekullit XX
Ke shpresë Motër në këtë ditë që avitet si pishtar
Se një fund i fundshëm është dikund… e ne mbetemi shqiptarë
Zvicër, 2 prill 1999
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)