
Baladë për Luigj Gurakuqin
Agim Vinca
Ç’ditë qe ajo
Atëbotë në Bari,
Tek të qëllonte
Balto tradhtari?
Qe ditë me diell
Apo e vranët?
A të tha kush:
Me fat plagët!
Plagët e rënda
Te kraharori
Tek të qëllonte
Ai Balto Horri.
Ai Balto Horri
Ai Balto baltë.
Nënqeshte Zogu
Atje në pallat.
Atje në pallat
Brenda në Tiranë,
Tek i ngulte thikën
Së zezës Nanë.
Tek zinte prita
Ditën në drekë
Me Isuf Reçër,
Kadri Mehmetë.
Tek këpuste lulen
E djalërisë
Avni Rustemin
Zemër-Paris.
E Plakun, o, Plakun
Atje, në Shpellë
Një palo burrë
E ftonte në duel.
E binte xhind
Ngrihej lugat.
Katili Zog
Atje në pallat.
Atje në pallat
Rrethuar me horra.
Me merimanga
Pleshta e morra.
Ç’ditë qe ajo
Vërtet, në Bari
Kur të qëlloi
Ai plumb tradhtari?
Tek bridhte botës
Vëllai Theofan
E i thosh Nënës:
“Mbaj zi për vëllanë!”
Mbaj zi për vëllanë
Thërriste poeti.
E vaj vatani
E mjerë mileti.
Ç’ditë qe ajo
Ç’ditë, vërtet?
Kur re një çast
Po jo për jetë!
Re për t’u ngritur
Lart e më lart.
Se edhe vdekja
Na qenka art.
Një art i rëndë,
Por i vërtetë
Që provohet
Një herë në jetë.
Ç’ditë qe ajo
Atje në Bari
Kur re nga dora
E një qyqari
E një qyqari
Me emrin baltë;
Qen që kërkoi
Kokë të artë.
Re për t’u ngritur
Më lart se kurrë.
Luigj-vëlla
Gurakuq-burrë.
Po pas kaq vitesh
Kush të trazon;
E prapa shpine
Prapë të qëllon?
Kujt ia vret sytë
Sot emri yt
E do të të vrasë
Për herë të dytë?
Poetët, thonë
Vriten dy herë.
Herën e dytë
Thika s’i ther.
Nuk i ther thika
As s’i zë plumbi.
Po ndonjë korb
Me pupla pëllumbi.
E korba plot
Po ka kjo botë.
Ashtu si rrena
E vaj e lot.
Ç’është ky korb
Që katranos
E emrin tënd
E syrgjynos?
A syrgjynoset
Emri, vallë?
O, syrgjyn-vdekur
O, syrgjyn-gjallë!
Ti që mësuar
Na ke në jetë
Një ligj të vjetër
Një shkollë t’vërtetë
Një mësim të madh
O Gurakuq
Që kurrën e kurrës
Nuk shkon huq.
Mësuar na ke
Po, na ke mësue:
Ndër kundërshtime
Mos me u ligshtue!
(Prishtinë, 6-7 nëntor 1988)
Kjo poezi është shkruar në kohën e fushatës së egër serbe kundër institucioneve të Kosovës, kur Gjimnazit të Klinës i hiqej emri i Luigj Gurakuqit. U botua së pari në revistën letrare «Jeta e re» të Prishtinës (nr. 1, 1989) dhe u ribotua edhe në gazetën «Drita» të Tiranës, si dhe në shumë organe të tjera brenda e jashtë vendit. U përkthye edhe në frëngjisht nga Vedat Kokona dhe u botua në revistën «Les lettres albanaises» (nr. 2, 1989).
Ribotohet me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurkuqit në Bari të Italisë.