Baladë për Mujë Krasniqin
19 vjet më parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja), në Gorozhub, humbi një nga komandantët më të shquar, Mujë Krasniqin dhe 36 bashkëluftëtarë të tij.
Disa vjet pas vrasjes së tyre, poeti klinas, Tahir Desku, tashmë i ndjerë, kishte shkruar një poezi me titullin “Baladë”, të cilën ua kishte kushtuar Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998. Kjo poezi kohë më pas është bërë këngë dhe është kënduar nga Ilir Shaqiri.
TAHIR DESKU
BALADË
Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998
Kush është ai që zbret nga mali
Është Mujo Komandanti
Është ai, Muja vetë, me njëqind e dyzet
Nga po vjen, nga Tropoja a nga Vlora?
Kah vjen ai shkrinë bora
Vjen në borë vjen në shi
Nga Shqipëria në Shqipëri
As hëna nuk kishte dalë
Rrëze bjeshke atë natë
Vetëm terri shtrihej si gjarpër i zi
Terri që ndante atdheun në dysh
Atdheun e moçëm nën qiellin gri
Dhe pjesën tjetër nën shi… nën shi…
E rruga ishte e largët tek zhdukej në pafundësi
Ai vështron fushat e paskaj të Kosovës
E mendon për zogjtë:
Nuk ka vend më t’bukur fluturimi
Kur flet me lumenjtë thotë:
Është vend i papushtuar
Kur numëron plagët shton:
Vetëm vdekja ia shton bukurinë lirisë
Pastaj zbardh dita e plogësht
Dhe ëndërr e keqe numëron 36 herë
Dhembja shtron gjakun përdhe
Vashat shamizeza ulur nën një breg
Kanë ndalur pranverën e bimët që mbijnë
Diku në një shteg… diku në një rimë
Ai sërish ngrihet dhe nis këngën e moçme
Që këndohej në anët tona:
Nuk po mundem or shokë me fol
Se m’ka ra do gjak në gojë…