Balaj e Strakosha: Në Francë do të marrim pikë
Përfaqësuesja shqiptare ka filluar zyrtarisht grumbullimin ditën e hënë, ku do t’i bëjë përgatitjet për dy ndeshjet e radhës eliminatore të “Euro 2020”, ndaj Francës në transfertë më 7 shtator dhe me Islandën në “Elbasan Arena” më 10 shtator. Dy ndeshje të vështira, por edhe të rëndësishme për vazhdimësinë e objektivave tona për kualifikimin në Evropianin e ardhshëm. Edhe pse përballë do të jenë kampionët e botës, në ambientin kuqezi të gjithë mbeten në një mendje, që asnjë ndeshje nuk mbaron pa filluar ende.
Sulmuesi kuqezi Bekim Balaj shprehet në konferencën e parë për shtyp të kuqezinjve, se në Francë do të kërkojnë pikë. “Të bëjmë paraqitje të mirë dhe të pretendojmë të marrim pikë edhe atje. Sigurisht ne me Francën kemi përvojë pozitive dhe për këtë arsye kemi një lloj detyrimi të marrim pikë edhe atje. Nuk është aspak e lehtë, por do të provojmë. Më vjen mirë që vij në kombëtare. Jam në një formë shumë të mirë dhe jam aktivizuar në të gjitha ndeshjet me klubin tim, kam shënuar dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe në ekipin kombëtar”, është shprehur Bekim Balaj.
Edhe Tomas Strakosha, portieri kuqezi i Lazios, u ka vënë theksin këtyre dy ndeshjeve, duke qenë se ky është një udhëkryq për objektivat tonë për Evropianin e ardhshëm. “Këto dy ndeshje do të tregojnë nëse jemi për kualifikim apo jo. Ne s’duhet të mbingarkohemi, të stërvitemi dhe më pas të shohim çfarë do të ndodhë. Të dyja ndeshjet janë shumë të rëndësishme për ne. Sa i përket aktivizimit tim, nuk ka rëndësi nëse luaj unë apo Etriti, konkurrenca gjithmonë bën mirë. Ne i kemi kualitetet, por vetëm kur luajmë si grup mund të bëjmë mirë edhe me rezultatet”, ka thënë portieri i Lazios, Tomas Strakosha.