Balaj-Halimaj i quan heronj mantelbardhët, premton mbështetje për spitalin e Prizrenit
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, e shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar QKMF-në në Prizren, spitalin regjional dhe Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike të këtij qyteti për të parë nga afër punën që po bëjnë mantelbardhët në luftimin dhe parandalimin e COVID-19.
Ajo ka bërë me dije se me ministrin Zemaj kanë ofruar përkrahjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për këto institucione shëndetësore në Prizren, raporton “Epoka e re”.
“Shpreha mirënjohjen time për të gjithë mantelbardhët, jo vetëm në Prizren, por në të gjithë vendin në betejën kundër koronavirusit”, ka shkruar Balaj-Halimaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë Balaj-Halimajt:
Sot, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, vizituam kryetarin e komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, QKMF-në në Prizren, spitalin regjional dhe Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike të këtij qyteti për të parë nga afër punën që po bëjnë mantelbardheët në luftimin dhe parandalimin e Covid-19.
Bashkë me ministrin Zemaj ofruam përkrahjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për këto institucione shëndetësore në Prizren dhe ditët në vijim, ne do të ulemi dhe do të diskutojmë për gjetjen e një formulë të përbashkët për t’i dalë në ndihmë QKMF-së dhe spitalit regjional të këtij qyteti me mjete shtesë të cilat ata i konsiderojnë si të domosdoshme.
Shpreha mirënjohjen time për të gjithë mantelbardhët jo vetëm në Prizren, por në të gjithë vendin në betejën kundër koronavirusit.
Mbani maskën, ruani distancën sepse në këtë formë ruajmë vetën dhe të tjerët.