Balaj: Nga nesër në grevë të përgjithshme, kundërshtojmë kontratën me “Z-Mobile”

29 korrik 2019 | 15:44

Punëtorët e Telekomit të Kosovës, kanë filluar të hënën grevën për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me “Z-Mobile”, ku edhe kanë njoftuar se do të kërkojnë nga gjykatat e vendit që mos të lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit për përmbarim.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lahmih Balaj, ka deklaruar se do ta vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesës së tyre që është mos vazhdimi i kontratës me “Z-Mobile”.

“Kërkesat janë ato që i kemi bë edhe ma herët publike, mos vazhdimi i kontratës me z-mobile, një kontratë e cila përfundon me datën 30, e cila tashmë është e njohur në opinion publik që është nj kontratë e dëmshme që e ka pru Telekomin në këtë gjendje dhe kjo grevë ka filluar sot me datën 29 ashtu qysh e ka parapa kuvendi pas formimin të këshillit grevist, ne do të vazhdojmë deri në realizim e kërkesave tona do të jemi në grevë”, u shpreh ai.

Edhe pse grevës së sotme nuk i janë bashkuar të gjithë punonjësit, por Blaja ka thënë se nga nesër do t’u bashkohen të gjithë punëtorët në nivel vendi. “Sot,  ka qenë fillimi i grevës një pjesë e punëtorëve kanë qenë ashtu qysh e kanë paraparë këshilli grevist por nga nesër greva do të jetë e  përgjithshme  nga të gjitha regjionet do të vinë punëtorët edhe pse sot ka pasur vullnetarë që kanë ardhur, por pjesa ma e madhe  e punëtorëve do të jenë edhe nesër edhe regjionet dhe nuk do të ndalemi në greva 24 orëve”, ka deklaruar ai.

Ai më tej ka thënë se në asnjë variant s’do të ndalën, por do të jenë krah i konsumatorëve.

“Në asnjë mënyrë ne nuk do të ndalemi nuk do t’i dëmtojmë konsumatorët tonë do të jemi krah konsumatorëve, s’do të lejojmë punëtorët që asnjë shërbim në teren ta realizojnë pa u realizua kërkesat tona  për mos vazhdimin e kontratës me “Z-Mobile”, ka thënë Balaj.

Balaj, tutje ka thënë se më nuk i’u beson fjalëve të Kryeshefit të Telekomit.

“Pasi të dilet me një shkresë zyrtare ne jemi të gatshëm me ndërpre, e vetmja që e ndalon grevën e përgjithshme se jemi duke shkuar në hapa që në krejt Kosovën me shkua në grevë, nëse tentohet me vazhdua një kontratë prapë me Z-Mobile”, u shpreh ai

Sipas tij, përgjegjësit për këtë gjendje të Telekomit të dalin para drejtësisë, bashkë me siç thotë ai “klanet e brendshme”. “Unë besoj që shumë shpejt ish dashtë me dal përgjegjësit e “Z-Mobile”, para drejtësisë  dhe me u’a pagua ato dëme që i’a ka shkaktua Telekomit të Kosovës bashkë me klanet brenda Telekomit dhe me njerëzit jashtë, pasi këtu gjithmonë është një rrjet i bashkuar i cili e ka pru Telekomin në këtë gjendje”, ka deklaruar ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dafina Zeqiri ka përcjellë së fundmi një mesazh tepër frymëzues…