“Balfin” blen 90 për qind të aksioneve të “NewCo Ferronikeli”
Grupi “Balfin” ka bërë me dije se ka nënshkruar një marrëveshje për të zotëruar 90 për qind të aksioneve të “NewCo Ferronikeli” në Drenas.
“Balfin” do t’i zotërojë aksionet e “NewCo Ferronikeli” përmes kompanisë me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, “NKL Limited”.
“NewCo Ferronikeli” ishte prekur nga rënia e çmimeve të nikelit gjatë viteve të fundit dhe nuk kishte operuar me kapacitet të plotë gjatë 18 muajve të fundit, ndërkohë që e kishte ndërprerë plotësisht veprimtarinë gjatë 4 muajve të fundit.
Sipas komunikatës zyrtare të “Balfin” e cila ka arritur në adresë të “Klan Kosovës”, kjo kompani do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për ta rivënë në punë fabrikën dhe do ta rikthejë prodhimin me kapacitet të plotë brenda gushtit, si dhe ka rënë dakord që të paguajë borxhet ekzistuese të kompanisë ndaj furnitorëve sa më shpejtë të jetë e mundur si dhe do të paguajë pagat e pashlyera të punonjësve.
“NewCo Ferronikeli”, me mbi 800 punëtorë përfaqëson punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1 500 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e uzinës me lëndë të para dhe logjistikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Me blerjen e “NewCo Ferronikeli”-t, “Balfin” ka përsëritur një eksperiencë të ngjashme si ajo me “Albchrome” në 2012, ku ka sjellë rigjallërimin e industrisë minerare në Shqipëri.
Grupi “Balfin” ka planifikuar të kryejë investime shtesë në “NewCo Ferronikelli” në mënyrë që potenciali i sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë të mund të vihet në përdorim në mënyrë të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 ton në vit, në mbi 10 000 ton në vit.
Grupi “Balfin” është më i madh i investimeve private në Evropën Juglindore, me veprimtari në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje, Austri, dhe Holandë, si dhe veprimtari në sektorin e zhvillimit të pronave të patundshme, si qendrat tregtare në Shqipëri dhe Maqedoni, veprimtaritë e shitjes me pakicë përmes markave të tij kryesore si “Neptun”, “Jumbo”, “Spar” etj, në zhvillimin e resorteve si “Green Coast” dhe “Vala Mar”, si dhe në sektorin e minierave me “AlbChrome”.