Balija: Bankat operojnë me marzhë më të ulët se bizneset që financojnë
21 gusht 2017
| 11:32
“Bankat operojnë me një marzhë të fitimit shumë më të ulët sesa bizneset të cilave u shërbejnë dhe kjo është për t’u respektuar, veçanërisht kur flasim për një mjedis afarist të vështirë siç është Kosova”, ka thënë Balija
“Epoka e re”: Z. Balija, çfarë e ka karakterizuar sistemin financiar bankar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti?
Balija: Sektori bankar ka rritur dukshëm qasjen në financa, si për ekonomitë familjare, po ashtu edhe për bizneset. Kreditimi është rritur me mbi 10 % dhe kjo tregon se bankat kanë arritur ta ushtrojnë rolin e tyre si katalizator të ekonomisë nëpërmjet injektimit të kapitalit në formë të kredive. Gjithashtu vlen të ceket se kemi një rekord të ri pozitiv në uljen e kredive të këqija apo jopërformuese në 3.9 %, që është niveli më i ulët i kredive jopërformuese që kemi pasur ndonjëherë në këtë sektor. Depozitat kanë vazhduar të rriten me 7.2 %, prandaj të gjithë këta indikatorë që e karakterizojnë këtë gjysmëvjetor janë mjaft impresivë dhe inkurajues për stabilitetin e sektorit financiar në vend.
“Epoka e re”: Emetimi i letrave me vlerë nga ana e Qeverisë së Kosovës është komentuar si dinamikë e shpejtë e Qeverisë së Kosovës. A ka rrezik që vendi të hyjë në borxh edhe më tutje?
Balija: Është e vërtetë se emetimi i letrave me vlerë në vitet e fundit është përshpejtuar dhe mund të themi se është zhvilluar në mënyrë mjaft të suksesshme. Kjo është edhe një e arritur e radhës e Kosovës pasi emetimi i letrave me vlerë në mënyrë të suksesshme tregon për një pjekuri të instrumenteve financiare që janë në dispozicion të Qeverisë, duke mundësuar kështu financimin e projekteve të rëndësishme zhvillimore. Bankat kanë qenë partneri kryesor në këtë drejtim duke marrë pjesë çdoherë në këto ankande dhe duke i mundësuar Qeverisë ta rrisë kapitalin e nevojshëm. U mbetet institucioneve të Qeverisë dhe atyre ndërkombëtare si FMN-së që të vlerësojnë për shpejtësinë e borxhit apo për nivelin e ngarkesës, ndërsa sektori bankar do të vazhdojë ta mbështesë Qeverinë në zhvillim të mëtutjeshëm të tregut të letrave me vlerë.
“Epoka e re”: Sipas raportit të BQK-së për TM1 2017, sektori bankar u karakterizua me rritje të përshpejtuar të aktivitetit kreditues 10.9 për qind, kurse nga ana e qytetarëve ka ankesa për shkak të kushteve të shumta për marrje të kredisë, afatit të maturimit si dhe normave të interes. Pse e kemi këtë disbalancë?
Balija: Fakti që kreditimi është rritur me mbi 10 % tregon për një lehtësim në procedura, në të kundërtën do të pamundësohej marrja e kredive dhe kjo përqindje e rritjes së kreditimit do të ishte më e ulët. Prandaj mendoj se kemi edhe kushte më të mira sa iu përket normave të interesit, por edhe procedura më të lehta dhe për këtë arsye kemi edhe rritje të kreditimit në nivelin më të lartë që kemi pasur në pesë vjetët e fundit. Sa iu përket ankesave të cilave u referoheni, ne nuk kemi ndonjë indikator të tillë konkret mbi të cilin do të mund të komentoja. Në këtë drejtim, vlen të theksohet se ekziston departamenti për ankesa pranë BQK-së dhe i inkurajoj të gjithë klientët që hasin në vështirësi, që t’i drejtohen këtij departamenti, por vetëm nëse nuk kanë arritur të bëjnë zgjedhje pas ankesës fillestare në bankën përkatëse.
“Epoka e re”: Si është raporti në mes të depozitave dhe kredive në Kosovë?
Balija: Raporti kredi/depozita ka arritur në 82.8 % në fund të gjashtëmujorit të parë. Ky është një nivel më adekuat i likuiditetit pasi në vitet e kaluara ky raport ishte më i ulët se 80 % dhe bankat kishin një likuidet të tepërt. Kjo është arritur përmes rritjes së kreditimit vitin e kaluar dhe këtë vit.
“Epoka e re”: Karshi vendeve të rajonit, si qëndron Kosova në këtë sektor?
Balija: Mund të themi me përgjegjësi se Kosova ka sektorët me indikatorët më të mirë në rajon. Ajo që i mungon sektorit bankar në Kosovë për të arritur edhe më shumë krahas vendeve të rajonit është një zbatim më i mirë i kontratave, respektivisht rasteve të cilat u drejtohen gjykatave, rritja e numrit dhe efikasitetit të përmbaruesve privatë, pajisja e pronarëve të banesave rezidencialë me tituj pronësorë dhe zbatimi i drejtë i ligjeve në fuqi.
“Epoka e re”: Z. Balija, ditë më parë keni ngritur si shqetësim çështjen e funksionimit të regjistrit të pengut. Sa ju ka paraqitur problem kjo çështje dhe a është arritur diçka në këtë drejtim?
Balija: Kjo çështje na ka paraqitur shumë probleme pasi jemi duke u marrë me të tash e disa vite dhe vazhdimisht shfaqen telashe të reja. Përveçse ka pakënaqësi te bankat si përdoruese të rregullta të sistemit, kemi edhe shumë ankesa nga klientët e bankave pasi sistemi nuk funksion mirë. Ne kemi kërkuar që Ministria e Tregtisë ta vendosë në top prioritetet e veta pasi është shumë i rëndësishëm për sistemin financiar, por edhe për disa sektorë të tjerë të ndërlidhur. Zyra e regjistrit të pengut është duke u angazhuar për ta avancuar këtë sistem, por pa mbështetje serioze nga MTI nuk do të mund t’i bëjnë përmirësimet e nevojshme.
“Epoka e re”: Cili është roli i sistemit bankar financiar në zhvillimin e sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës?
Balija: Sektori bankar ka financuar ekonominë e vendit me mbi 1 miliard euro kredi të reja gjatë vitit 2016 dhe vazhdon me këtë ritëm edhe këtë vit. Ky sektor është ndër kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike apo GDP-së. Përveç kreditimit, sektori bankar ofron infrastrukturën e pagesave të cilat janë jetike për bizneset në Kosovë. Tanimë bankat po ofrojnë edhe shërbime elektronike moderne të cilat i bëjnë bizneset e Kosovës më konkurruese me vendet e rajonit. Normat e interesit për kredi janë në nivelin më të ulët që kanë qenë ndonjëherë, rreth 6.8 % në mesatare. Mund të them lirisht se bankat janë partneret kryesore të bizneseve në Kosovë dhe është koha që kjo punë e madhe që është bërë nga sektori bankar, përfshirë këtu edhe rregullatorin, respektivisht BQK-në, të njihet edhe nga palët e tjera. Bankat operojnë me një marzhë të fitimit shumë më të ulët sesa bizneset të cilave u shërbejnë dhe kjo është për të respektuar, veçanërisht kur flasim për një mjedis afarist të vështirë siç është Kosova.
“Epoka e re”: Me çfarë risish do të karakterizohet pjesa e mbetur e 2017-s në sektorin financiar në Kosovë?
Balija: Bankat do të vazhdojnë të përqendrohen në rritjen e qasjes në financa, zgjerimin dhe lehtësimin e shërbimeve të pagesave, por edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj klientëve. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të vazhdohet me një qasje të kujdesshme në kreditim dhe afarizëm bankar e cila garanton sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit financiar.
Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ