Balija: Qasja në financim nga bankat e Kosovës më e larta në rajon
Sipas raportit të fundit të OECD ‘Konkurueshmëria në Evropën Juglindore’, qasja në financimin nga bankat është më e larta në rajon.
Në këtë raport për vitin 2018, sektori bankar në Kosovë vlerësohet në superlativ në kategoritë të cilat merren për bazë për përcaktimin e qasjes në financa siç është konkurrenca në sektorin bankar, kërkesat për kolateral, ofrimi i kredive dhe ndërmjetësimi në risk, etj.
Drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se kjo është një arritje e rëndësishme për sektorin bankar në Kosovë, veçanërisht kur kemi parasysh se bankat në Kosovë ofrojnë në një mjedis me sfida të shumta siç është kapaciteti i ulët ekonomik, informaliteti i lartë, dhe vështirësitë në zbatimin e kontratave.
“Prandaj, këto rezultate të sektorit bankar janë mjaft inkurajuese pasi që rritja e qasjes në financa nënkupton lehtësim për zgjerimin e bizneseve dhe plotësimin e nevojave të ekonomive familjare për financim. Kosova është vlerësuar më lartë në rangim me Shqipërinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, dhe në nivel të njëjtë me Maqedoninë dhe Serbinë”, ka thënë Balija.
/Epoka e re/