Ballazhi: Logo e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk është e njëjtë me atë Kongresit së BDI-së
Autori i logos zyrtare për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Zeni Ballazhi, në emisionin “Përballje”, ka sqaruar ngjashmërinë e logos zyrtare për dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës me atë të Kongresit të BDI-së në Maqedoni.
Artisti Ballazhi ka thënë se nuk janë të njëjta këto dy logo, pasi që kanë dedikime të ndryshme.
“Ndihem mirë, sepse jam autor edhe i këtij viti jubilar, që është mjaft i rëndësishëm për shtetin e Kosovës. Nuk është e njëjta, sepse ajo është dedikuar për diçka tjetër, e kjo për diçka tjetër”, ka thënë Ballazhi.
Duke folur rreth kritikave që ka marrë rreth kësaj çështjeje, Ballazhi tha se është njëjtë sikur të krahasohet numri 1 me numrin 10.
“Nuk është e njëjta, ka dallime. Këtë e vërejnë ekspertët e fushës dhe është vepër autoriale e imja”, shtoi ai.
Artisti Ballazhi më tej theksoi se kjo nuk ka të bëjë me çështje politike.
“Kjo është një vepër arti, është logo festive. Nuk është logo politike e asnjë partie. Unë nuk mund ta vjedh vetveten… Artisti ka të drejtë veprën e vet ta avancojë në forma të ndryshme”, deklaroi ai.
Ballazhi shtoi se nuk mund të pranojë kritika nga njerëz jo kritikë e jo profesionistë të fushës.
“Ky është përpunim i elementeve të cilat unë i shfrytëzoj. Ngjashmëri mund të kenë, por nuk është e njëjta. Kisha ftuar ekspertët e kësaj çështje, jo ekspertët e kafeneve, rrjeteve sociale, që të merren dhe të shohin se çka prezanton kjo logo”, deklaroi ai.