Ballkani dhe Drita realizojnë fitore të rëndësishme në garën për titull, Gjilani fiton si mysafir
Ballkani dhe Drita kanë triumfuar në përballjet e tyre të javës së 29-të në Albi Mall Superligë, duke e vazhduar garën për titull. Në një ndeshje mjaft interesante në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Ballkani fitoi me rezultat 2:0 kundër Feronikelit 74, ndërsa Drita arriti fitore para tifozëve të vet ndaj skuadrës së fundit në renditje, Lirisë, me rezultat 4:2.
Lojtarët e Ballkanit shënuan golin e tyre të parë në minutën 24-t përmes një penalltie të shënuar nga Nazmi Gripshi, por deri te sigurimi i tre pikëve vuajtën goxha shumë, pasi golin e dytë e shënuan vetëm në minutën e 93-të, kur Danfa konkretizoi një kundërsulm të shpejtë, në momentet kur Feronikeli 74 ishte në kërkim të golit të barazimit. Në fakt, vendasit krijuan disa raste shumë të mira në pjesën e dytë, por fati nuk ishte në anën e tyre. Kjo fitore e mban Ballkanin në krye të renditjes.
Në anën tjetër, Drita e nisi mirë ndeshjen me Lirinë, duke shënuar në minutën e 8-të përmes Meris Maliqit. Në pjesën e dytë lojtarët e Dritës ishin edhe më efikas, duke shënuar edhe tre gola tjerë (Blerim Krasniqi 49′, Fluturim Domi [autgol] 57′ dhe Albert Dabiqaj 85′), derisa Liria shënoi dy gola në minuat 74’ dhe 88’.
Tri pikë shumë të rëndësishe i arkëtoi edhe Gjilani në garë për t’iu shmangur barazhit. Gjilanasit mposhtën Prishtinën me rezultatin 3:1 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Edhe pse Prishtina shënoi gol për barazimin e përkohshëm, Gjilani ishte i vendosur për të marrë tre pikët e plota. Kësisoj, golat e Kushtrim Shabanit, Qëndrim Ismajlit dhe Oltion Bilallit i dhuruan Gjilanin tri pikë të mëdha në këtë takim.