Ballkani – Dita ‘luftojnë’ për pozitën e parë
Derbi në mes të Ballkanit dhe Dritës shihet si një garë për pozitën e parë në elitën e futbollit të Kosovës. Jetmir Topalli ka thënë se skuadra e tij do të dalë triumfuese, derisa të njëjtin parashikim për “Epokën e re” e ka dhënë edhe sulmuesi i Dritës, Astrit Fazliu.
Lideri aktual i IPKO Superligës në futboll, Ballkani, e pret sot (e mërkurë) skuadrën e Dritës. Në fakt, këto dy skuadra janë të parat në renditjen tabelore dhe ndër favoritet kryesore në garë për titull të kampiones.
Suharekasit e drejtuar nga Ismet Munishi për këtë ndeshje do të kenë dy mungesa të mëdha të formacionit të parë: Kushtrim Gashi dhe Jetmir Topalli. Ky i fundit për gazetë ka thënë se ndihet keq që nuk mund të paraqitet në këtë ndeshje shumë të rëndësishme, por beson se Ballkani do të dalë fitues në fund.
“Më mbetet merak që nuk do të kam mundësinë t’u ndihmoj bashkëlojtarëve, pasi është një ndeshje derbi me rëndësi të madhe. Megjithatë, besoj se kushdo që luan në vendin tim do ta japë maksimumin dhe Ballkani në fund do t’i gëzohet fitores”, ka thënë Topalli, i cili mungon për shkak të kartonëve. Mirëpo lajm i mirë për trajnerin Munishi është rikthimi i mbrojtësit Besnik Krasniqi që mungoi në përballjen e fundjavës së shkuar kundër Prishtinës. Për ndeshjen e sotme ka folur edhe sulmuesi Astrit Fazliu, i cili në afatin kalimtar të janarit u rikthye në skuadrën e Dritës, pasi në Feronikel e konsideruan të panevojshëm.
Fazliu për “Epokën e re” ka thënë se skuadra gjilanase synon tri pikët e plota. “Sigurisht se do të jetë një ndeshje e fortë ku përballen i pari dhe i dyti. Ne jemi të përgatitur dhe motivuar pas tri fitoreve radhazi dhe shkojmë në Suharekë për fitore. Do të angazhohemi që të vazhdojmë këtë seri pozitive, pse jo të marrim vendin e parë në tabelë”, ka deklaruar Fazliu. Sot (e mërkurë) zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera të xhiros së 21-të dhe takohen: Gjilani-Feronikeli, Trepça ’89-Llapi dhe Prishtina-Ferizaj.
IPKO SUPERLIGA – Java e 21-të
Të mërkurën takohen:
13:00 Ballkani – Drita
13:00 Gjilani – Feronikeli
13:00 Trepça ’89 – Llapi
17:00 Prishtina – Ferizaj
Të enjten takohen:
13:00 Drenica – Flamurtari
13:00 Vushtrria – Dukagjini
LIGA E PARË – Java e 19
Të mërkurën takohen:
Vllaznia (P) – Liria
Drenasi – Trepça
KEK-u – Vitia
Malisheva – Dardana
Ramiz Sadiku – Istogu
2 Korriku – Vëllaznimi
Besa – Arbëria
Onix – Ulpiana
/Veton ZYMBERI/