Ballkani e Gjilani fitojnë, Prishtina barazon në Ferizaj
Janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera në kuadër të xhiros së dytë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Ballkani, e ka zhvilluar ndeshjen e parë të këtij edicioni në elitë, duke realizuar fitore në duel me Drenicën.
Ndeshja e zhvilluar në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” është mbyllur 1:0. Golin e tri pikëve të para për portokallezinjtë e ka realizuar kapiteni Edvin Kuç, me një gjuajtje të saktë nga brendësia e zonës pas asistimit të Gripshit. Gjilani ka realizuar fitoren e dytë radhazi, duke u bërë lider i renditjes në elitë. Skuadra e Zekirija Ramadanit, të dielën, në fushën me bari sintetik në Gjilan, e ka mundur Malishevën me rezultat 1:0. Edhe këtë herë përcaktues në fitoren e gjilanasve ishte përforcimi i ri, Theophilus Solomon, i cili realizoi në minutën e 67-të, me gjuajtje me kokë pas harkimit të Mevlan Zekës.
Ndërkohë, Ferizaj dhe Prishtina kanë luajtur baras (0:0), në një ndeshje ku nuk kanë munguar rastet nga të dyja palët, por ka munguar finalizimi i rasteve. Më afër golit ishte Endrit Krasniqi i Prishtinës, por gjuajtja e tij e qëlloi shtyllën. E në minutën e 33-të gjyqtari Erdall Zasella akordoi penallti, por e cila më pas me ndihmën e VAR-it u shfuqizua. Si rrjedhojë në këtë rast pati vonesë për rifillimin e ndeshjes, pasi si pasojë e këputjes së kabllos së sinjalit nga ana e disa tifozëve të pandërgjegjshëm, gjyqtari Zasella nuk kishte mundësi ta shikojë rastin diskutabil në monitorin që është në fushë, përderisa ekipi teknik i FFK-së e riktheu sinjalin tek monitori i VAR-it në fushë me një kabllo tjetër. Drita ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion, pasi para tifozëve të vet e ka mundur Dukagjinin, me rezultat 1:0.
Golin e vetëm në këtë duel e ka shënuar sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski, në minutën e 59-të. Për Dukagjinin kjo ishte humbja e dytë, pasi në hapje të kampionatit u mposht në shtëpi nga Prishtina. Lojë shumë më interesante u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Trepçës’89, e cila në fund u mbyll baras 2:2. Llapjanët shënuan të parët me golin e Adem Maliqit, në minutën e 26-të.
Megjithatë, “minatorët” e përmbysën rezultatin në pjesën e dytë me dy golat e Albion Pllanës, në minutat 74-t dhe 80-të, duke e shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë, ngase në minutën e 69-të Benjamin Emini u ndëshkua me karton të kuq. Mirëpo, në minutat e fundit mysafirëve iu kushtojë një pakujdesi në repartin e mbrojtjes, kur Fatmir Rexhaj shënoi autogol. Në minutat shtesë të dyja ekipet patën mundësi për të shënuar golin, por në vend të rrjetës qëlluan shtyllën.