Ballkani e kërkon fitoren e dytë në grupet e Ligës së Konferencës
Ballkani do ta kërkojë sonte fitoren e dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Kampioni i Kosovës vjen nga fitorja e madhe dhe historike ndaj Dinamo Zagrebit, ndërsa të njëjtën gjë synon ta bëjë edhe sonte.
Ekipi nga Suhareka do ta mirëpresë skuadrën nga Kazakistani, FC Astana, në ndeshjen e vlefshme për Grupin C të kësaj gare.
Ballkani po gëzon formë të mirë edhe në kampionatin vendor dhe është gati për ta bërë një tjetër ndeshje të madhe në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri Ilir Daja e ka bërë gati ekipin për një tjetër sfidë evropiane, i vetëdijshëm se një fitore eventuale sonte do ta afronte me kualifikimin historik në fazën tjetër.
Aktualisht, therandasit gjenden në vendin e dytë në grup me 3 pikë nga 2 ndeshje, ndërsa Viktoria Plzen prin në tabelë me 6 pikë.
Kjo është hera e dytë që ekipi nga Suhareka merr pjesë në fazën e grupeve të Europa Conference League.
Nga ana tjetër, FC Astana i ka humbur dy ndeshjet e para dhe e sheh veten në vendin e katërt dhe të fundit në tabelë.
Ndeshja mes Ballkanit dhe FC Astanës do të luhet sonte duke filluar nga ora 18:45.