Ballkani e Llapi e nisin stinorin pranveror me fitore, Gjilani e Ferizaj ndajnë pikët
Kanë përfunduar të tri ndeshjet e programit të sotëm të Superligës së Kosovës, të cilat njëkohësisht e hapën stinorin pranveror të këtij sezoni.
Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Llapi e ka mposhtur Drenicën me rezultat minimal 1:0.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Franciso Rivera nga penalltia, i cili ia siguroi fitoren Llapit në minutën e 13’.
Po ashtu, stinorin pranveror me fitore e hapi edhe Ballkani, ku kampioni i Kosovës e mposhti Malishevën si mysafirë me rezultat 4:2.
Lojtari më i dalluar te Ballkani ishte Albion Rrahmani, i cili kompletoi hat-trick duke shënuar në minutën e 28’, 35’ dhe 43’, kurse Veton Tusha e shënoi golin e katërt dhe të fundit për suharekasit në minutën e 82’.
Ndërkaq, golat për Malishevën i shënuan Ilir Mustafa (minuta e 68’) dhe Drilon Hazrollaj (minuta e 74’).
Krahas këtyre dy ndeshjeve u zhvillua edhe përballja mes Gjilanit dhe Ferizaj, ku të dy skuadrat ndanë pikët e barabarta, pasi barazuar pa gola 0:0.
Rezultatet finale:
Drenica 0:1 Llapi
Malisheva 2:4 Ballkani
Gjilani 0:0 Ferizaj