Ballkani e Suhareka fitojnë ndaj Llapit e Malishevës
Janë mbyllur sot dy ndeshjet tjera të xhiros së 17-të të Superligës së futbollit.
Dy ekipet therandase, Ballkani dhe Suhareka i kanë fituar duelet përkatëse, të cilat u mundësuan në tabelë.
Ballkani e mundi Llapin me rezultat 2:1 për të kaluar në pozitën e dytë në tabelë.
Kampionët e Kosovës tash i kanë 30 pikë, shtatë më pak se liderja Drita, e cila e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ekipi Portokalli e kaloi Malishevën dhe tash e kanë një pikë më shumë se kjo e fundit.
Llapi, nga ana e tij u thellua edhe më shumë në krizë duke e kaluar ndeshjen e dhjetë radhazi pa fitore në Superligë.
Malisheva ndërkohë rrëshqiti në pozitën e tretë pas dështimit të dytë radhazi.
Në xhiron e fundit ekipi i Bekim Isufit barazoi në shtëpi me Feronikelin 74, kurse sot u mund nga Suhareka, 1:2.
Kështu, Malisheva e bëri një hap prapa në garën për titull pasi aktualisht i ka 8 pikë më pak se Drita, e cila e ka një lojë më pak të luajtur.
Suhareka, nga ana e saj, me këtë fitore “e blindoi” pozitën e pestë në tabelë dhe sigurisht se do të dimërojë më e qetë.
Nesër do të luhen dy ndeshjet e fundit të xhiros së 17-të, më saktësisht derbi i Anamoravës, Gjilani – Drita dhe Feronikeli 74 – Prishtina.