Ballkani është ‘Juventusi i Kosovës’, shkruan media rumune

06 shtator 2022 | 08:27

Ballkani po bëhet gati të debutojë në grupet e Ligës së Konferencës, ku të enjten mbrëma do të jetë sfida e parë.

Kampioni në fuqi i Kosovës në ndeshjen e parë do të përballet me kampionin e Rumanisë, CFR Cluj.

Ballkani është në top formë, ku ka marrë tri fitore në tri ndeshjet e para në kampionat, madje të gjitha me rezultat 1-0 duke mbajtur portën e paprekur për 270 minuta.

Forma e mirë e Ballkanit i ka lënë përshtypje edhe medias rumune ‘Prosport.ro’, e cila e ka quajtur kampionin e vendit tonë ‘Juventusi i Kosovës’.

“Dan Petrescu, i frikësuar nga ‘Juventusi i Kosovës’ para debutimit në Ligën e Konferencës. Kundërshtari i CFR Cluj në top formë pas fitores në derbi. Pa asnjë humbje”, është titulli i mediumit rumun.

“Dan Petrescu ka probleme serioze para duelit me Ballkanin, kundërshtarin e parë të CFR Cluj nga grupet e Ligës së Konferencës. Tekniku i kampionit rumun ka arsye të frikësohet nga udhëtimi në Kosovë, duke qenë se CFR Cluj do të përballet me një ekip në formë të shkëlqyer”.

“CFR Cluj e ka shtyrë derbin me FCSB-në, pikërisht që skuadra të përgatisin sa më mirë ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës”.

“Ballkani, tri fitore radhazi dhe asnjë gol i pësuar në kampionat. 11 ndeshje pa asnjë dështim të vetëm Mbrojtja e shkëlqyer e Ballkanit do ta bënte ziliqar Dan Petreskun, aq më tepër që skuadra e tij nuk është më aq e sigurt në mbrojtje”, thuhet në shkrimin e mediumit rumun.

Ballkani dhe Cluj përballen të enjten me fillim nga ora 18:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Përpos kampionëve të Rumanisë, Ballkani në grup të Ligës së Konferencës ka edhe Slavia Pragën dhe skuadrën turke Sivaspor. /telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka…