Portokallezinjt nga Suhareka fituan në shtëpi, me rezultat 2:0, në kuadër të javës së 13-të. Të dy golat për skuadrën e drejtuar nga Bekim Isufi i realizoi Theophilius Solomon.

Ai i zhbllokoi shifrat në minutën e 54-t, derisa katër minuta më vonë realizoi edhe golin e dytë, i cili fillimisht u vlerësua i parregullt nga gjyqtari anësor për pozitë jashtëloje, por pas rishikimit në VAR, goli doli të jetë i rregullt. Kësisoj, Balllkani tashmë kryeson renditjen me 24 pikë, derisa Drita renditet e dyta me 22 pikë.

Ndërkohë, në dy ndeshjet tjera të ditës së sotme fitoreve iu gëzuan mysafirët.

Llapi arkëtoi tri pikë të reja në duel me Malishevën (1:0), falë autogolit të Ardian Hotit, në minutën e 84-t, derisa Ulpiana realizoi fitoren e tretë radhazi, duke e mundur Drenicën në Skenderaj (1:0), me golin e shënuar nga Marclei Santos, në minutën e 85-të.