Ballkani fiton dhe merr pozitën e liderit, Malisheva arkëton tri pikë në Prizren
Kampioni në fuqi, Ballkani tashmë është lider në Albi Mall Superligë.
Skuadra portokallezi, të shtunën, para tifozëve të vet ka shënuar fitore në duel me kryesuesin e deritashëm, Llapin, me rezultat 2:1. Nazmi Gripshi zhbllokoi shifrat e kësaj ndeshje në minutën e 36-të me një supergol.
Skuadra e Ilir Dajës e shtoi epërsinë në 2:0 vetëm pas dy minutash në pjesën e dytë, kur realizoi Almir Kryeziu. Ndërkaq, golin e vetëm për llapjanët e shënoi talenti Elvir Gashjani, në minutën e 72-të.
Tani Ballkani kryeson renditjen me 19 pikë, tri më shumë se Llapi dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në ndeshjen tjetër, Malisheva ka shënuar fitore në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren në përballje me Lirinë, me rezultat 1:0.
Golin e fitores për mysafirët e shënoi Ilir Mustafa, në minutën e 68-të nga penalltia, pasi paraprakisht Etnik Brruti u pengua brenda zonës nga portieri i Lirisë, Arlis Shala.