‘Ballkani i hapur’: Kërkohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura

04 nëntor 2021 | 13:15

Në takimin e radhës të udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”, të mbajtur sot në Beograd, është rënë dakord që të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kësaj nisme.

Në këtë takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Presidenti Vuçiq ka thënë se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura, për përbërjen e të cilit do të vendoset në vazhdim.

“Puna jonë është të shohim se ku kemi ngecur në praktikë”, ka thënë ai në një konferencë të përbashkët për media, duke shtuar se është frustruese që marrëveshjet në nivelin politik nuk janë implementuar në tërësi.

Takimit të udhëheqësve të të tri shteteve i ka paraprirë një takim me përfaqësues të kompanive nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Vuçiq ka shtuar se afaristët qind për qind e mbështesin këtë iniciativë, porse kërkojnë zbatimin më të shpejtë (të marrëveshjeve).

Në këtë takim morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Nikola Dimitrov, raporton “REL”.

Kryeministri Rama ka deklaruar se fokusi i takimit të sotëm ishte te njerëzit, kompanitë, fermerët, punëtorët, studentët, pra ata që janë përfitues të kësaj nisme.

Edhe Rama ka thënë se afaristët njëzëri dhanë mbështetje për “Ballkanin e hapur”, mirëpo kërkuan që të zbatohen marrëveshjet politike, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me kalimin në kufij.

“Afaristët eksportojnë fruta të freskëta, perime dhe qumësht – këto janë produkte që mund të qëndrojnë në kufi për ditë të tëra. Nuk është e mundshme të arrini në kufi të premten mbrëma dhe të prisni deri të hënën sepse qumështi do të bëhet kos”, ka deklaruar Rama.

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri tashmë në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester Unitedi thuhet se ka refuzuar mundësinë për të transferuar…