“Ballkani i Hapur”, një iniciativë anakronike
“Në të vërtetë, nëse kësaj iniciative për “Ballkanin e Hapur” do t’i paraprinte njohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë, nëse do të inkorporohej në proces komisari i BE-së për zgjerim, nëse do të largohej Qendra Humanitare Ruse nga Nishi dhe nëse do të proklamohej e ardhmja atlantike e rajonit, iniciativa mund të shndërrohej në një valvulë dinamizuese të procesit të integrimit euro-atlantik. Por, Serbia është larg atyre standardeve. Rrjedhimisht, “Ballkani i Hapur” është vetëm një iniciativë anakronike, me synime okulte serbomomëdha”, ka deklaruar profesori Milazim Krasniqi në një intervistë për revistën “Shenja”.
Shenja: Profesor, pse “Open Balkan”? Çfarë është ky projeksion gjeopolitik?Sa ky projekt i ri është në kundërshtim me eurointegrimet?
Krasniqi: Kjo iniciativë, e cila në vetvete ka shumë elemente okulte, esencialisht i ka dy anë. Njëra anë ka të bëjë me përpjekjen për të gjetur një gjethe fiku, për ta mbuluar refuzimin e Bashkimit Evropian ndaj pranimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Me “Procesin e Berlinit” dhe me variacionet e tij po bëhen përpjekje që shtetet e Ballkanit Perëndimor të mbahen disi të kacavarura në procesin e integrimit, por larg anëtarësimit. Në këtë kontekst, bashkëpunimi rajonal shihet si ajo gjethe fiku që mbulon disi refuzimin e prerë të Bashkimit Evropian ndaj këtyre shteteve. Ndonëse mbahet e fshehur, arsyeja kryesore e këtij refuzimi ndaj këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor ka të bëjë me pamundësinë që Serbia të disiplinohet dhe të lejojë që shtetet fqinje të saj, Bosnja e Hercegovina e Kosova, po edhe Mali i Zi, të lejohen të funksionojnë si shtete të pavarura, pa ndërhyrjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë kundër tyre. Sikundër dihet, Serbia ka shkuar edhe më tej në qasjen e saj arrogante antievropiane, kur nuk ka pranuar rekomandimin e BE-së, për të vënë sanksione ndaj Rusisë, gjë që e shpërfaqë arrogancën e Serbisë, po më shumë dobësinë e BE-së në raport me Serbinë. Bashkimi Evropian nuk ka pasur ende guxim as ta nxjerrë nga sirtari kapitullin 35, i cili e obligon Serbinë për një marrëveshje me Kosovën, para anëtarësimit eventual në BE. Të gjitha këto dobësi të BE-së është tentuar të fshihen me iniciativa parciale e alternative, si Procesi i Berlinit, MiniShengeni përkatësisht “Open Balkan”, që në esencë janë mbindërtime karikaturale edhe mbi vetë Procesin e Berlinit.
Ndërsa, nga pikëpamja e Serbisë, iniciativa e tillë është në kontinuitet me idetë dhe projektet e vjetra serbe për dominim në hapësirat ballkanike. Projektet serbomëdha, që nga “Naçernanie” e Garashaninit, Elaborati i Çubrilloviqit, Elaborati i Ivo Andriqit, Projekti i Moleviqit, projekti i Drazha Mihajlloviqit, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve e deri te Memorandumi 2, deri te betimi i Vuçiqit si president i Serbisë, kanë të njëjtin objektiv – krijimin e Serbisë së Madhe. Të gjitha ato projekte dhe një spektër i madh i dokumenteve zyrtare shtetërore të Serbisë, duke përfshirë edhe ligjet për kolonizimin e viseve jugore, planin e viteve të tetëdhjeta përkthimin e serbëve në Kosovë, e deri te plani “Patkoi” i viteve 1998-1999, kanë për objektiv rikrijimin e Serbisë dushaniane, mbi dogmën e shënsavizmit, pra të krijimit të një shteti kombëtar serb në hapësira sa më të mëdha ballkanike, në të cilat shteti, kombi dhe feja do të ishin një tërësi a njësi unike. Në këtë hulli ishte edhe ideja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, që nga koha kur u zgjodh president i Serbisë në vitin 2017. Ai pati proklamuar se si president do të punonte të formohej një formacion i ri, të cilin e pat quajtur “Jugosllavia Plus”, meqë përfshinte brenda atij formacioni edhe Shqipërinë. Kjo ide politike e Vuçiqit është në kontinuitet me formulën e hershme serbomadhe “Ballkani ballkanasve”, me të cilën ka operuar edhe Nikolla Pashiqi dhe e cila u shfrytëzua për hegjemoninë serbe edhe ndërmjet dy luftërave botërore. Pra, sa i përket Serbisë, edhe “Open Balkan” është brenda kornizës së projekteve serbomëdha, por kësaj here në kërkim të variacioneve që do të mundësonin që të mbetej aktiv projekti për Serbinë e Madhe në realitetet e reja gjeopolitike, që janë të pavaforshme për Serbinë. Në këtë kontekst, Serbia vetëm e shfrytëzon dobësinë e Bashkimit Evropian, siç i pati shfrytëzuar dobësitë dhe kontradiktat e Fuqive të Mëdha në dy deceniet e para te shekullit XX. Po të mos ishte këtu NATO, do të bënte sërish kërdi.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, futja e saj në këtë iniciativë mund të kuptohet mbase më së miri me sindromin e Stokholmit. Maqedonia e Veriut mezi i shpëtoi komplotit të vitit 2017, me ç’rast u zbulua se disa zyrtarë të inteligjencës serbe ishin aktorë të trazirave të dhunshme në Sobranie. Tash, kryeministri Zoran Zaev, i cili në ato trazira u përgjak dhe gati u ekzekutua, po kthehet vullnetarisht në përqafimin e dhunuesit të vet. Ndërsa, sa i përket Shqipërisë, mbetet e pakuptueshme kjo lëvizje e qeverisë Rama. Futja e Shqipërisë në atë iniciativë më shumë e dëmton Kosovën sesa që i ofron favore Shqipërisë. Në fakt, kjo iniciativë tashmë e ka dëmtuar Kosovën, sepse e ka nisur drejt izolimit. Ky është një zhvillim shumë i hidhur në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Kosovës. Edhe pa dashjen tonë, ky zhvillim i hidhur i ditëve tona na kthen edhe disa kujtime të hidhura nga e kaluara, kur eksponentë të caktuar të politikës shqiptare, si Esat Toptani e Enver Hoxha, kanë bërë pazare me Serbinë, në dëm të vetes e edhe më shumë në dëm të Kosovës.
Falë Zotit, tash konfiguracioni gjeopolitik është shumë më i favorshëm për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, meqë pjesa më e madhe e hapësirës shqiptare është nën ombrellën e NATO-s, gjë që faktikisht është dëshmi se pretendimit imperial e kolonial serb i janë thyer hundët. Serbia bën përpjekje në kontinuitet të mbajë në këmbë pretendimet e veta, por përderisa është shtet armiqësor ndaj NATO-s dhe, faktikisht, një shtet vasal i Rusisë, gjasat e saj për rikthimin e dominimit në rajon janë kurrfarë. Rrjedhimisht, edhe iniciativa e “Ballkanit të Hapur” do të dështojë, nëse ajo mbetet në kornizën e tashme atlantiko-refuzuese dhe të kompensimit të atij deficit me tentativën për ta ribërë të ashtuquajturën ”sfera serbe”, e cila në instancë të fundit do të ishte një version i Serbisë shënsaviane, përkatësisht dushaniane.
Në të vërtetë, nëse kësaj iniciative për “Ballkanin e Hapur” do t’i paraprinte njohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë, nëse do të inkorporohej në proces komisari i BE-së për zgjerim, nëse do të largohej Qendra Humanitare Ruse nga Nishi dhe nëse do të proklamohej e ardhmja atlantike e rajonit, iniciativa mund të shndërrohej në një valvulë dinamizuese të procesit të integrimit euro-atlantik. Por, Serbia është larg atyre standardeve. Rrjedhimisht “Ballkani i Hapur” është vetëm një iniciativë anakronike, me synime okulte serbomëdha.
Shenja: Ditë më parë SHBA doli me një qëndrim lidhur me këtë çështje. Disa zëra thanë se përmes atij qëndrimi, Uashingtoni zyrtar u tha troç kundërshtarëve të “Open Balkan” se duhet të inkuadrohen në të. Ca të tjerë vlerësuan se Shtetet e Bashkuara megjithatë shfaqën rezerva ndaj një projekti të tillë. Sipas jush, ku qëndron e vërteta?
Krasniqi: Deklarata ishte me terma të butë, fluidë, gjë që e bën të qartë se përkrahej “gjetja e rasteve” për bashkëpunim rajonal, por nuk përkrahej në mënyrë eksplicite iniciativa konkrete e quajtur “Open Balkan”. Jam i bindur se SHBA-ja nuk e përkrah në asnjë rast një iniciativë në të cilën rolin dominues mund ta ketë një shtet që është shtet vasal i Rusisë, një “kolonë e pestë e Putinit në Evropë” sikundër e ka emërtuar në një rast Serbinë gazeta “Financial Times.”
E drejta, po të ishte në pushtet Donalld Trampi, mund të supozohet se përpjekja për ta afruar Serbinë me SHBA-në do të ishte më këmbëngulëse dhe kjo do të mund të bëhej edhe në dëm të Kosovës. Iniciativa e ish sekretarit amerikan për siguri, Xhon Bollton, për shkëmbimin e territoreve, ka qenë në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Pra, edhe në këso rastesh ka dinamika të ndryshme dhe ka politika që modifikohen. Nuk ka as blanko përkrahje, as blanko partneritet. Tash për tash, administrata e Presidentit Bajden nuk ka asnjë shenjë sedo ta zbusë qëndrimin ndaj Serbisë. Përkundrazi, me miratimin në Kodin Penal të BeH-së të neneve që e dënojnë mohimin e krimit të gjenocidit në Srebrenicë, ka filluar një fazë e re e presioneve mbi Serbinë dhe mbi regjimin kriminal të Vuçiqit. Pra, me politikën në fuqi që ka Serbia, e cila e mohon gjenocidin në Srebrenicë dhe, nga ana tjetër, synon ripushtimin e Kosovës dhe serbizimin sa më të madh dhe me dhunë të Malit të Zi, nuk ka asnjë shans që SHBA ta përkrahim atë politikë, sepse edhe BeH-ja, por edhe Kosova e edhe Mali i Zi në NATO, janë rezultat i angazhimit direkt diplomatike ushtarak të SHBA-së dhe, faktikisht, janë “shtete kliente” të SHBA-së, po të përdorim një kualifikim të Hermanit e Çomskit. Veçmas dy të parat.
Shenja: Si e vlerësoni pozicionin serb në negociata? Vuçiqi prej një sekretari të partisë së Sheshelit arriti të bëhet i ledhatuari i disa shteteve perëndimore. Sipas jush, a kanë ndryshuar raportet e Perëndimit ndaj Serbisë e Vuçiqit apo Kosova vazhdon ta ketë përkrahjen e perëndimorëve ashtu siç e kishte në vitin 1999, kur u bombardua Serbia, dhe në 2008-tën, kur shumë shtete perëndimore e njohën pavarësinë e Kosovës?
Krasniqi: Qëndrimi serb në negociata ka evoluuar ndër vite. Pas ardhjes në fuqi të regjimit të Aleksandër Vuçiqit, pozita e Serbisë në ato negociata ka ardhur duke u fuqizuar, ashtu që sot pozita e saj është pothuajse ofensive. Regjimi i Vuçiqit ka luajtur teatër me Bashkimin Evropian: ka përdorë retorikën se gjoja Serbia synon të jetë faktor stabiliteti në rajon, se gjoja punon që të ruhet paqja, të lëvizet drejt integrimeve evropiane dhe drejt bashkëpunimit më të madh rajonal. Duke qenë e ndihmuar në të gjitha drejtimet nga Rusia, prej së cilës shumë shtete të Bashkimit Evropian kanë frikë të madhe, në rend të parë Gjermania, por që njëherësh kanë edhe interesa të mëdha ekonomike, Serbisë i kanë shikuar nëpër gishta. I kanë marrë si të mirëqena deklaratat propagandistike serbe, e jo veprimet e saj destabilizuese. Ashtu Kosova ka mbetur nën presionin permanent të Serbisë, po në të njëjtën kohë edhe të Bashkimit Evropian, i cili e mban Kosovën të papranuar dhe tërësisht të izoluar. Presionet e Serbisë me formacionet paramilitare në veri të Kosovës, ndërtimi i murit ndarës në qytetin e Mitrovicës, provokimi me trenin me ikonografi ortodokse e ruse, vrasja e Oliver Ivanoviqit, kontrolli total mbi Listën Serbe, vizitat provokuese në Kosovë të zyrtarëve shtetërorë serbe etj., i kanë harxhuar Kosovës energji të mëdha në vetëmbrojtje dhe shumë herë e kanë ekspozuar si gjoja jokorrekte ne raport ne Serbinë. Kjo politikë e presionit permanent destabilizues është paraparë në memorandumin e 2-të të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.
Nga ana tjetër, Serbia nuk i ka zbatuar fare marrëveshjet e arritura në Bruksel, por presion serioz mbi të për atë bllokim realisht nuk ka pasur asnjëherë. Si kulminacion i asaj arrogance serbe ka qenë edhe kërkesa për copëtimin e Kosovës, pra për zhdukjen e saj nga harta. Ndërsa ndër ithtarët e asaj ideje morbide ka qenë edhe komisionerja e BE-së për dialogun, Federika Mogerini, por edhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së dhe të shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian. Pra, ka qenë një tradhti e hapur ndaj Kosovës, bile edhe e disa shteteve që e kanë njohur Kosovën si shtet. Serbia i ka shfrytëzuar dobësitë dhe hipokrizitë e BE-së, ndihmën e Rusisë, serbët e Kosovës, resurset e veta shtetërore, dobësitë e shtetit tonë, për ta minuar ekzistencën e shtetit të Kosovës. Nuk ka arritur ta realizojë atë objektiv, por dëm të madh i ka bërë stabilitetit, zhvillimit dhe afirmimit të këtij shteti të ri.
Shenja: Kur jemi te “Open Balkan” dhe rajoni, a mendoni se Bosnja është një prej figurave të rëndësishme të kësaj loje dhe ku qëndron sipas jush BeH-ja në këtë “lojë” të shahut gjeopoltik?
Krasniqi: Bosnja e Hercegovina është episodi më tragjik i shpërbërjes së përgjakshme të ish Jugosllavisë. Ka ekzistuar një komplot ndërmjet Millosheviqit e Tuxhmanit, për copëtimin e saj dhe një mbyllje e të dy syve nga ana e Bashkimit Evropian për atë komplot të ndyrë. Vetëm intervenimi i SHBA-së, ndonëse edhe ai i vonuar, e ka shpëtuar Bosnjën nga zhdukja nga harta e shteteve ballkanike. Bosnja ende është nën presionin e vazhdueshëm të Serbisë, me kreaturën gjenocidale, Republika Serpska. Por, sivjet diçka ka ndryshuar për mirë, esenicalisht. Me miratimin në Kodin Penal të BeH-së të neneve qe e dënojnë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, është krijuar një realitet i ri, në të cilin Serbia ka kaluar në defansivë. Ma merr mendja se ky ndryshim e ka siguruar ekzistencën e Bosnjës si shtet dhe ka hapur shteg për korrigjimin e elementeve bllokuese nga ana e Republikës Serpskas. Por, kapacitetet destabilizuee serbe në BeH ende janë të fuqishme. Megjithatë, besoj se ato kapacitete destabilizuese serbe do të vijnë duke u konsumuar, ndërsa BeH-ja duke u shndërruar në një shtet më stabilitet dhe në një faktor të rëndësishëm gjeopolitik në rajon. Nëse Kroacia heq orë nga lojërat e saj minuese ndaj BeH-së, atëherë Bosnja mund të bëhet faktor i rëndësishëm i sferës atlantike, ku i thyhen hundët përfundimisht projektit serb për Serbinë e Madhe.
Shenja: Pse, sipas jush, Maqedonia e Veriut dhe faktori politik shqiptar ne qeveri e përkrahë Ramën dhe është kundër qëndrimeve të Kosovës kur bëhet fjalë për “Open Balkan”?
Krasniqi: Kjo sjellje e partisë shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut është e pahijshme dhe është e dëmshme. Jo vetëm për faktin se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë pakrahasimisht më të integruar me Kosovën, por edhe për faktin se projekti “Open Balkan” është shumë në favor të fuqizimit të Serbisë në rajon, pra edhe në hapësirat shqiptare nëMaqedoninë e Veriut.
Përkrahja për Ramën nga ana e BDI-së mund të jetë edhe ideologjike, për faktin se PS-ja dhe BDI-ja janë të proklamuara si parti të majta, ndonëse me kohë janë bërë më shumë parti oligarkësh sesa të majta, sidomos PS-ja. Sidoqoftë, mbetet shija e hidhur nga fakti që BDI-ja dhe Ali Ahmeti janë bërë palë me Ramën kundër Kosovës, e pakta në këtë rast. Pasojat do të shihen më vonë, jo vetëm në marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni e Veriut, por edhe në procesin e integrimeve ndërshqiptare. Izolimi që Shqipëria dhe Maqedonia po ia imponojnë Kosovës, e Veriut, në bashkëpunim me Serbinë, mund të prodhojë pasoja afatgjate në këtë kontekst, gjë që do të ishte një sukses shtesë i Serbisë. Në të vërtetë, në konfliktin Rama-Kurti unë shoh edhe një plan të orkestruar jo vetëm nga Rama e Ahmeti, por edhe nga faktorë ndërkombëtarë, për ta kompromentuar dhe për ta varrosur idenë e bashkimit kombëtar shqiptar, me sajimin e keqkuptimeve dhe konflikteve brendashqiptare. Siç duket, faktorë të caktuar ndërkombëtarë, SHBA-ja në rend të parë, kanë mosbesim të madh ndaj synimeve të proklamuara para ardhjes në pushtet të Albin Kurtit dhe tash po duan ta izolojnë dhe ta paraqesin si palaço në sytë e shqiptarëve. Pa ndihmën e Ramës dhe pa lojërat me “Open Balkan”, kjo gjë nuk do të mund të shtyhej kaq shumë përpara.
Shenja: Cili është shpjegimi juaj për përfshirjen e Shqipërisë në këtë projekt? Madje, kryeministri shqiptar nuk i ka kursyer as kritikat ndaj Kosovës që nuk ka pranuar t’i bashkohet kësaj nisme?
Krasniqi: Qeveria e Edi Ramës është e spastruar nga idetë kombëtare. Në të vërtetë, qeveria e Edi Ramës është në kontinuitet me qeveritë e periudhës hoxhiste, kur ka pasur periudha të vëllazërisë me jugosllavët, në dëm të shqiptarëve, që ishin të okupuar nga Jugosllavia. Qeveria e Edi Ramës ndjek përmbushjen e interesave të oligarkëve, e jo të kombit shqiptar. Nga ai pozicion, kryeministrit aktual të Shqipërisë Kosova i duket primitive, nacionaliste, antieuropiane. Ndërkaq, e vërteta është se Kosova po lufton ende për mbijetesë si shtet, në një rrethim armiqësor, ku tashmë participon edhe qeveria e Edi Ramës. Pra, qeveria, jo Shqipëria.
Shenja: Megjithatë s’do mend se një ditë Kosova do të duhet të bëhet pjesë e iniciativave rajonale. Sipas jush, cili do të duhej të ishte kushti “për të ndryshuar mendje”?
Krasniqi: Nga analizat që kam bërë ndër vite për Ballkanin, mua më ka rezultuar se Ballkani për shqiptarët ka qenë jo vetëm burg, po edhe varrezë, specifikisht që nga momenti kur shqiptarët kanë mbetur pa ombrellën e Shtetit Osman. Shtetet ballkanike, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë gjenocid kundër shqiptarëve, sidomos Serbia e Greqia. Në komplotin e shteteve ballkanike, që me eufemizëm emërtohet si Lufta e Parë Ballkanike, 27% e shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës janë vrarë, ndërsa 35% janë detyruar të arratisen. Pra, 62% e shqiptarëve të atij territori ose janë vrarë ose janë dëbuar. Pra, Ballkani në fillim të shekullit XX është shndërruar në një varrezë masive për shqiptarët. Spastrimi etnik dhe dëbimet kundër shqiptarëve në këto hapësira ka vazhduar pa ndërprerje përgjatë gjithë shekullit XX, për të kulmuar në vitet 1998-1999 me gjenocidin e Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë. Prandaj, nuk ka rehati për ne shqiptarët në një kornizë ballkanike, sido që të quhet, sepse ende janë aktive projektet për zhdukjen tonë biologjike, sidomos në Serbi. Vetëm shikoni se çfarë presionesh u bën Serbia shqiptarëve në Luginën e Preshevës! Prandaj neve na duhet të integrohemi në Bashkimin Europian dhe sidomos në NATO, ndërsa Ballkani duhet të çmontohet, të fshihet nga çfarëdo lloj harte. Si albanolog, e kam të rrënjosur në mendje që Ballkani ka qenë një varrezë masive për ne shqiptarët dhe i tillë mbetet nëse burgosemi brenda kafazit të tij.
Shenja: Jeni fort kritik ndaj Edi Ramës, por nuk i kurseni kritikat edhe ndaj Kurtit. Disi çështja e “Open Balkan” ju ka vendosur më shumë në të njëjtën pistë me këtë të dytin. A mendoni se Kurti tani më shumë është përqendruar në ndërtimin e politikave etatiste apo thjesht këtë e bën për shkak të mosdurimit personal që e ka ndaj Ramës?
Krasniqi: Formimi im albanologjik, edukimi në një familje që vërtet patriotizmin shqiptar e ka pasur si busull, miqësia dhe bashkëpunimi i gjatë me Ibrahim Rugovën, me të cilin në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë kam punuar aktivisht në ideimin e shtetit të ardhshëm të pavarur të Kosovës, kur të tjerët flisnin për një republikë në Jugosllavi, më kanë bërë alergjik ndaj çdo tentative antikombëtare. Unë reagoj pothuajse instinktivisht në raste të tilla. Edi Rama është nga ata drejtues politik që më shkaktojnë alergji, për shkak të lehtësisë së padurueshme më të cilin shkelë mbi vlerat kombëtare. Ai nuk ka asnjë respekt për historinë e tmerrshme të Kosovës, nuk ka respekt as për historinë e re të Kosovës si shtet. Edi Rama e trajton Kosovën si leckë.
Ndërkaq, Albin Kurti është në pozitë kundërthënëse: ka proklamuar se do të punojë për bashkim kombëtar, ndërsa tash i është imponuar të mbyllet në llogoren e shtetit të papërmbyllur të Kosovës. Idetë e tij irredentiste kanë qenë anakronike me kohën, jorealiste. Por, ai i ka manipuluar me shkathtësi masat me ato ide. Tash kur është në pushtet, i ka modifikuar ato ide, ironikisht duke thënë se e ka kuptuar që Kushtetuta e Kosovës nuk e lejuaka bashkimin kombëtar. Por, Albin Kurti është në pozitë të vështirë, sepse mosbesimi i faktorëve ndërkombëtarë ndaj tij është i madh. Ka rrezik që ata ende llogarisin se Kurti ka qëllime të fshehta, lidhur me bashkimin kombëtar. Ose këtë “rrezik” e instrumentalizojnë kundër Kosovës. Për atë shkak edhe e mbajnë Kurtin nën presion, ndërsa Vuçiqit i kanë lënë hapësirë veprimi të madhe. Llogaris që presioni ndaj Kurtit do të bëhet i tmerrshëm, pas zgjedhjeve në Serbi, kur realisht pritet të rifillojnë negociatat.
Ndërkaq sa u përket raporteve Rama-Kurti, lidhur me ”Open Balkan”, pozita e Ramës është agresive, e padrejtë. Përtej këtij konteksti, si duket është fjala edhe për dy persona me prirje të forta narcisoide, gjë që konfliktin e bën edhe më të dëmshëm.
Shenja: Të dalim pak nga tema “Open Balkan”. Profesor, deri para një viti me të madhe flitej për arritje të një marrëveshjeje me Serbinë përmes shkëmbimit të territoreve. Ju në atë kohë, por edhe tani, jeni kategorik kundër kësaj ideje. Ndërkohë kur i dëgjojmë ndërkombëtarët, të gjithë flasin për kompromis. Çfarë është apo çfarë do të duhej të ishte kompromisi?
Krasniqi: Projekti për shkëmbimin e territoreve, në fakt, ka qenë projekt për zhbërjen e Kosovës si shtet, për copëtimin e saj, me anën e një skenari të përgjakshëm, faktikisht të një versioni sirian. Kam qenë dhe jam kundër çfarëdo ideje për shkëmbime territoresh me Serbinë, sepse një tentativë e tillë do të ishte tragjike, jo vetëm ne planin demografik e human, por edhe gjeopolitik.
Sa u përket kompromiseve, Kosova ka bërë kompromise të mëdha në Procesin e Vjenës, gjë që është mishëruar në Planin e Ahtisarit. Përfaqësuesit e Kosovës në atë proces kanë qenë naivë, joseriozë, nuk e kanë ditur as çka po bëjnë. Thjesht i kanë mashtruar me fjalët se po ua japin pavarësinë, por në fund kanë marrë pavarësi pa substancë, kanë marrë në dorëzim një shtet që është formuar për të qenë jofunksional. Merreni me mend, askush në ato delegacione kooperativiste nuk e ka ditur që shteti duhet të ketë një “Marrëveshje Themeltare” me Kishën Ortodokse Serbe, siç e ka Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe siç po tenton ta arrijë edhe Mali i Zi. Në vend të një marrëveshjeje të tillë, ia kanë lënë livadh të gjitha ingerencat Kishës Serbe në Kosovë, ashtu që sipas termave të Planit të Ahtisarit, kur është fjala për pozitën e Kishës Ortodokse Serbe, Kosova trajtohet si pjesë e shtetit serb! Po ashtu kanë lejuar formimin e komunave rurale serbe, kanë lejuar ndarjen e Mitrovicës, kanë lejuar futjen në sistemin tonë të drejtësisë e të sigurisë të banditëve, të grupeve paramilitare e terroriste të veriut. Kanë buzëqeshur si idiotë para kamerave, gjoja si fitimtarë, ndërsa e kanë marrë Kosovën në qafë, duke e lënë të kacavartë me Serbinë. Serbia i ka marrë provizionet e atij Plani, por e ka refuzuar Planin! Dhe, këta tipat janë pajtuar! Prandaj tash Kosova nuk ka kurrfarë hapësire për kurrfarë kompromisesh. I ka konsumuar naivisht të gjitha. Kjo ka qenë arsyeja pse i kërkohej territor, demek si kompromis. Në fakt, ata që kërkojnë që Kosova të bëjë kompromise të reja kërkojnë t’ia marrin frymën.
Shenja: Një çështje tjetër që ka ngjallë debat intra-shqiptar është Afganistani. Shqipëria, por edhe Kosova, Shtetet e Bashkuara i shohin si aleatin numër një. Debati që është shtruar në mesin e shqiptarëve është mundësia që SHBA-ja ta braktis Kosovën njëjtë si Afganistanin. A duhet të kenë frikë shqiptarët?
Krasniqi: Nuk ka asnjë lidhje ndërmjet pozitës gjeopolitike të Kosovës e Afganistanit. Kosova është në zemër të Europës, e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s, përveç Serbisë, e cila është vrimë e zezë në mbarë Ballkanin. Kosova dhe shqiptarët në tërësi janë të orientuar në mënyrë plebishitare drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Dhe, nuk ka asnjë mundësi që ndonjë forcë e ngjashme me talebanët t’i prishë ekuilibrat e vendosur moti, që nga rilindësit tanë të mençëm.
Shenja: Pa dashur të ulet niveli i intervistës, një gjë që ka prekur shqiptarët gjithandej trojeve etnike është pjesëmarrja e këngëtarit serb në një festival të Korçës. Shqiptarët janë kufijve administrativë të Shqipërisë thuajse njëzëri u shprehën të prekur thellë nga një veprim i tillë i autoriteteve shqiptare. Por, ky pezm i shfaqur, disi, hasi në veshë të shurdhër “në anën tjetër”. Nga këndvështrimi socio-politik, a do të thotë kjo se “kibleja etnike e shqiptarëve” është Prishtina e jo Tirana?
Krasniqi: Për këtë temë kam shkruar në disa raste. Po e kujtoj tezën time kryesore: Kosovës i duhet një konvertim ideologjik nga irredentizmi drejt piemontizmit shqiptar. Asaj lëvizjeje do t’i bashkohej në mënyrë instiktive edhe Shqipëria normale ose natyrale. Në atë rast Edi Rama dhe tarafi i tij do të mbetej të argëtohej me Goran Bregoviqin, si Nuri beu me çengijet e tij në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Shenja: Në perspektivë, shqiptaria a do të bëjë shtete apo do të bëjë shtet?
Krasniqi: Nuk kam qejf ta citoj veten, por këtu po e bëj për të kursyer kohën dhe për të qenë sa më i kuptueshëm. Në një rast i kam krahasuar trojet e copëtuara shqiptare me copat e thyera të një qelqi, të cilat asnjëherë nuk mund të ngjiten plotësisht dhe aq më pak të kthehen në gjendjen e parë. Fatkeqësisht, kështu më duket se është. Projekti i formimit të një shteti kombëtar shqiptar ka dështuar në shekullin XIX, ndërsa është shndërruar në katastrofë në shekullin XX. Mezi kemi mbijetuar si komb. Tash duhet të fokusohemi në realitetin e ri të një kombi me dy shtete dhe me pjesëtarë edhe në disa shtete të tjera. Duhet të fokusohemi t’i bëjmë shtete të suksesshme Shqipërinë e Kosovën, por edhe Maqedoninë e Veriut, dhe të anëtarësohen jo vetëm në NATO, por edhe në Bashkimin Europian. Në atë rast do të kompensohej deri diku ajo që e kemi humbur në të kaluarën. Do të krijohej siguri dhe mundësi e zhvillimit të papenguar nga fqinjët e pafytyrë ballkanikë. Në atë rast vijat e ndarjes do të bëheshin gjithnjë e më të padukshme dhe një ditë edhe mund të gjendet një teknikë për të puthitur plotësisht copat e thyera të qelqit. Në historinë tonë kombëtare, krahas tragjedive të shumta që e kanë përshkuar atë histori, ka pasur raste kur na ka ndodhë edhe ndonjë mrekulli. Mund të shpresojmë edhe për ndonjë mrekulli të radhës. Miku im, Abaz Veizi, e ka zakon të thotë se “Zoti i ka ruajtur shqiptarët për ndonjë qëllim të Tij”.
Intervistoi: Ismail SINANI (Shenja)