“Ballkani i hapur”, Rama: Viti 2022, epokë e re e bashkëpunimit rajonal

21 dhjetor 2021 | 11:40

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë mbledhur në Pallatin e Brigadave në Tiranë, bashkë me delegacionet e tyre, në kuadër të “Ballkanit të hapur”.

Në nisje të takimit, tre liderët kanë mbajtur nga një fjalim. Ata kanë vlerësuar “Ballkanin e hapur”, duke thënë se një iniciativë e tillë është gjithëpërfshirës dhe do të sjellë të mira për qytetarët e vendeve pjesëmarrëse në të.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se falë marrëveshjeve të nënshkruara, mesazhi që përçohet është se viti 2022 do të jetë një epokë e re.

Po ashtu, Rama ka thënë se “Ballkani i hapur” përgatit rajonin për integrimin evropian dhe tregun e përbashkët në BE. Më tutje, Rama ka ftuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën që të bëhen pjesë e “Ballkanit të hapur”.

“Po jemi tërësisht të vetëdijshëm sa i takon një lloj hezitimi në disa prej kancelarive megjithatë duke pasur mbështetjen e plotë të administratës amerikane për ‘Ballkanin e hapur, duke pasur mbështetjen e plotë të disa anëtarëve të rëndësishëm të BE-së, konkretisht të Francës, Holandës dhe të tjerëve, duke pasur mbështetjen tuaj të plotë në Bruksel, ne e theksojmë se ju takon veprave për ta treguar se çfarë është kjo nismë integruese. Kjo tryezë është e hapur për të gjashtë pjesëtarët e komunitetit të Ballkanit Perëndimor dhe u takon 3 të tjerëve që të vijnë dhe të bëhen pjesë. Ne jemi këtu. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara. Ne nuk do të rrimë në vend. Ne nuk do të fshihemi. Mbetja në vend duke folur për retorikën e Procesit të Berlinit për tregun e përbashkët rajonal duke qenë se ‘Ballkani i hapur’ është njësia e zbatimit të të dyjave. Ata që duan që Procesi i Berlinit të ecë përpara duhet të jenë pjesë e ‘Ballkanit të hapur’. Ai që do vërtetë që tregu i përbashkët rajonal duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur”, ka thënë Rama.

Ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiq, ka thënë se i kishte ardhur në majë të hundës që duhet t’u kërkonin falje për këtë iniciative vendeve të rajonit që nuk duan të bëhen pjesë e saj.

Në anën tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se kjo ishte pjesëmarrja e tij e fundit në mënyrë të drejtpërdrejtë në një samit të “Ballkanit të hapur”. Megjithatë,  ai ka bërë thirrje që të ruhet dhe zhvillohet “Ballkani i Hapur”.

Zaevi ka thënë se nisma është gjithëpërfshirëse. Po ashtu, ai ka treguar se pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski e ka mbështetur këtë nismë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka emëruar përkohësisht…