“Ballkani i trazuar” mes Lindjes dhe Perëndimit (Pjesa II)
Michael Weithmann: “Der ruhelose Balkan” (“Ballkani i trazuar”) –
Kur armata cariste më 1878 ishte vetëm 10 kilometra larg nga Stambolli dhe Bosfori dhe kur “çështja orientale” rrezikonte të zgjidhej sipas botëkuptimit pansllavist, nëpërmes ndërhyrjes së fuqive perëndimore kanosej rreziku i një lufte të përmasave globale. “Ndërmjetësuesit të sinqertë”, Bizmarkut, “Ballkani nuk ia vlente as sa eshtrat e shëndosha të një genadieri pomeranez”. Për “gens-là-bas” (fiset atje poshtë) ai çante kokën po aq sa “për kupën e tij të zbrazët”. Kongresi i Berlinit u përpoq ta rregullonte hartën e Ballkanit. Shtetet e reja të Ballkanit, Serbia, Rumania, Mali i Zi, diç më vonë edhe Bullgaria, u njohën përfundimisht si vende të pavarura.
Por për sovranitet të vërtetë nuk bëhej fjalë kurrsesi. U krijuan njëra pas tjetrës shtete tampone, shtete vasale, shtete kukulla dhe satelite, të cilat, si pasojë e armiqësive tradicionale kapërtheheshin thellë në njëra-tjetrën. Një fushë ideale për luftëra në interes të Fuqive të Mëdha, një manovër për kompensime territoriale.
Maksima e politikës së jashtme të Bismarkut: “Të mbahet hapur plaga orientale që të dështojë bashkimi i fuqive të tjera të mëdha”. “Plagët orientale” në Ballkan nuk u mbyllën që nga Kongresi i Berlinit: kontestet territoriale dhe problemet me pakicat në Maqedoni, në Kosovë, në Bosnjë, në Besarabi, në Transilvani, në Dobruxha, në Traki. Disa të tjera do të pasonin.
Kur u pa se hipoteka e rëndë e Kongresit të Berlinit mbi realizimin e politikës rusomadhe në Ballkan po mund të jetësohej, erdhi reagimi: “Rruga për në Konstatinopojë kalon nëpër portat e Brandenburg-ut”. Nga Berlini dhe Vjena filloi të dëgjohej thirrja “Besnikëri e përjetshme”. Që nga kjo kohë filluan të formohen aleancat, që do të përballen në Luftën e Parë Botërore: “Forca e mesme gjermano-austriake” dhe aleanca e trefishtë anglezo- francezo-ruse. Vetëm tre vjet pas Konferencës paqësore të Berlinit, Evropa – sërish duke pasur si pikënisje Ballkanin – bie në “krizë para luftës”.
Në tri deceniet e ardhshme Ballkani veproi si një fushë e ngarkimit dhe e shkarkimit të kundërthënieve të interesave të të mëdhenjve. Në mes vetë shteteve të Ballkanit gjëmuan luftërat guerile, sulmet terroriste, luftërat ilegale. Irredenta serbe agjitonte në Bosnjë, që i ishte dhënë Austrisë si një kalë i Trojës. Sllavët e Jugut shpresuan kot në marrjen e autonomisë në kuadër të kurorës së habsburgëve (siç ia pati arritur Hungaria). Në Kroaci magnatët hungarezë qeverisnin në stil kolonialist dhe e çonin kështu popullsinë kroate në krahët e ideve serbomëdha. Në Transilvani kasta e fisnikëve hungarezë shtypte shumicën rumune si në mesjetën e thellë dhe i jepte kështu hovin e duhur idesë së bashkimit të rumunëve në shtetin e Rumanisë. Maqedonia, zemra e Ballkanit, rrethohej nga Greqia, Serbia dhe Bullgaria. Aleanca Ballkanike, e përbërë nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia në luftërat ballkanike 1912 – 1913 së pari do të dëbojnë Turqinë nga Evropa Juglindore, por në mesin e fituesve të luftës do të shpërthejnë luftimet për shkak të ndarjes së presë së luftës.
Prapa tërë kësaj qëndronin Fuqitë e Mëdha, e në rend të parë ngarendja e Rusisë për në ngushticat detare dhe për në Adriatik. Për t’ia prerë rrugën e daljes në det Rusisë, Vjena dhe Roma favorizuan krijimin e shtetit të fundit të pavarur në Ballkan, Shqipërisë. Por, si kompromis, Petersburgu arriti ta fitojë për Beogradin Kosovën e banuar kryesisht me shqiptarë. Bismarku Perandorinë shumëpopujshe të habsburgëve, nëpërmes luftës pruso-austriake të 1866-ës dhe nëpërmes krijimit të Perandorisë së vogël gjermano-austriake më 1871, e shtyu përfundimisht nga Perandoria Gjermane në periferi të Evropës. Ajo mbeti kështu si fuqi e madhe vetëm në Ballkan. Bismarku ishte përgjegjës indirekt edhe për pavarësimin brenda politik nga Vjena të gjysmës hungareze të Perandorisë më 1867 dhe nëpërmes një politike rigoroze konfrontuese ndaj pakicës rumune dhe pakicave sllave i dha slloganit “burg i popujve” municionin e duhur. Krahas konkurrentëve të saj tradicionalë në Ballkan, Rusisë dhe shteteve vasale të saj, Serbisë dhe Malit të Zi, perandoria e dyfishtë shihte edhe risorgjimenton (ringritjen) italiane të Perandorinë së Italisë, të krijuar pas luftërave bashkuese më 1859/60, si një pretendonte gjithnjë e më të fuqishme ndaj Istrisë, Dalmacisë dhe Shqipërisë.
Që nga fillimi i shekullit Fuqitë e Mëdha iniciuan në Ballkan një sërë luftërash testuese dhe krizash: krizën e Maqedonisë, krizën aneksionuese të Bosnjës, krizën e Shqipërisë dhe krizën e fundit, “krizën e korrikut 1914”, menjëherë pas atentatit të Sarajevës, – e cila më nuk ishte e mundur të mbahej nën kontroll. Lufta e Madhe kishte qëndruar pezull në Evropë për dhjetë vjet me radhë, por xixa e saj u ndez në Ballkan. U aktivizua menjëherë mekanizmi i aleancave ushtarake dhe i diplomacisë së fshehtë që përfshiu së pari Ballkanin, e më pastaj edhe Evropën dhe në fund tërë botën. Ballkani, pikënisja e Luftës së Parë Botërore, u la sërish në plan të dytë.
Rrëzime monarkish, thyerje perandorish, krijim shtetesh të reja nacionale. Pas vitit 1918 satelitët e fituesve dhe bashkë humbësit e të mundurve qëndronin papajtueshëm përballë njëri – tjetrit. Fituesit – antanta francezo-angleze – i caktuan kufijtë e rinj, por asesi jo sipas parimit nacional të propozuar naivisht nga presidentit i SHBA-së, Wodorow Wilson, në “14-pikëshin” e tij, por sipas interesave të diktuara nga Fuqitë e Mëdha. Fituese ishte Serbia, e cila u bashkua me territoret sllave të ish-Perandorisë austrohungareze, si dhe Rumania, e cila mori tërë Transilvaninë dhe i shkëputi Rusisë së zhytur në revolucion Besarabinë. Humbës ishin Hungaria dhe Bullgaria. Hungaria do të mbetet shtet i vogël, Bullgaria humb bregdetin Egje. Turqia mbajti pjesën evropiane të Trakisë, Greqia shtyu kufijtë e saj në verilindje, por iu desh të tërhiqej sërish nga Shqipëria Jugore. Si në tërë Evropën Lindore dhe atë të Mesme, sistemi i Versajës i çoi kundërshtitë nacionale në ekstrem. Traktati i Versajës si shkaktar të nxitjes së luftës i shpalli Gjermaninë dhe aleaten e saj në Evropën Juglindore, Austro-Hungarinë, Bullgarinë dhe Turqinë. Për pasojë pati shkëputje territoresh dhe pagesa reparacionesh. Më 1919 Traktati i Versajes u ratifikua pa kushte nga Gjermania. Pastaj aleatët ua prezantuan humbësve diktatin e tyre paqësor: Gjermani – Austrisë në St. Germain (afër Parisit), Bullgarisë në Neuilly, Turqisë në Sèvres dhe, më 1920, Hungarisë në para lagjen e Parisit Trianon.
“Marrëveshjet” dekurajuese “të paralagjeve të Parisit” të fitueseve ndaj të mundurve krijuan një klimë kundërshtish dhe pakënaqësish: prirjes së shteteve revizioniste për t’i reviduar kufijtë e vendosur vitit 1919/1920 iu qëndronin të papajtueshëm përballë antirevizionistët. Austria u zhduk si superfuqi, Perandoria Osmane u shndërrua në shtet nacional turk, që nga atëherë gjendet në konflikt të përhershëm me Greqinë për Egjeun. Të shkyqura si superfuqi – zaten vetëm përkohësisht- mbetën Perandoria Gjermane dhe Rusia, e cila nga Perandoria Ruse ishte shndërruar në Perandori Sovjetike. Londra dhe Uashingtoni u tërhoqën nga kontinenti. Franca si e vetme përpiqej ta mbushte vakumin në Ballkan. Ajo e krijoi më 1920 të ashtuquajturën “Antantën e Vogël” – Praga, Beogradi, Bukureshti- e emërtuar me lajkë si “Cordon sanitaire” i Evropës Juglindore, do të duhej ta mbronte Evropën Juglindore si nga Perandoria gjermane, ashtu edhe nga Rusia bolshevike.
Në vitin 1918 u rrëzuan elitat e vjetra të shteteve të Evropës. Një valë e madhe e modernizimit social dhe ekonomik e kishte përfshirë kontinentin. Por në Evropën Juglindore, si te revizionistët, ashtu edhe te antirevizionistët, nuk vërehej asnjë shenjë e kësaj fryme. Zënkat ndërnacionale dhe problemet e reja të pakicave pamundësonin çdo ndryshim politik dhe social. Çdo gjë mbeti me të vjetrën; çështja agrare mbeti e pazgjidhur, parlamentarizmi perëndimor u dëshmua si jopraktik dhe çoi direkt në krijimin e strukturave autoritare dhe në diktatura. Ballkani mbeti edhe më tej oborr i pasmë i Evropës.
Rrezik në rritje sistemit francez të sigurisë po i vinte nga Italia fashiste. Roma synonte Dalmacinë dhe për këtë arsye përpiqej ta destabilizonte shtetin e ri të sllavëve të jugut. Në këtë shtet të ri – së pari të quajtur “Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene” dhe prej 1929 zyrtarisht “Jugosllavi”- Serbisë iu bashkëngjit pa dëshirë, nën presionin rigoroz ekspanziv të Italisë, Kroacia. Që nga kjo kohë qëndronin papajtueshëm përballë dy sisteme të ndërtimit shtetëror – ai federativ “jugosllav” kroat dhe ai shtetëror centralist integrativ serb. Epërsia serbe çoi dy herë në shkatërrimin e shtetit: më 1941 dhe më 1991.
Politika imponuese e Musolinit në Ballkan megjithatë dështoi. Parisi nëpërmes “Paktit Ballkanik” të vitit 1934 ia arriti t’i përforcojë pozitat e tij antirevizioniste në Evropën Juglindore.
Me rifut jen e Gjermanisë në rrethin e Fuqive të Mëdha – tash si “Perandori e tretë” nacionalsocialiste – gjendja në Juglindje ndryshon dramatikisht. Me boshtin Berlin – Romë që nga viti 1936 revizionizmi merr hov të theksuar. Vendimtare megjithatë ishte varshmëria e vendeve të prapambetura agrare të Evropës Juglindore nga Gjermania dhe atë që nga paraqitja e krizës ekonomike botërore në vitin 1929. Deri në fund të vitit 1936 kjo çoi në varshmëri të plotë të tërë hapësirës nga Gjermania. Kështu po fillonte gërryerja e Antantës. Orientimi ekonomik zhvendosi edhe orientimin politik nga fuqitë e Perëndimit drejt Gjermanisë. Shpërbërja e dhunshme e Çekosllovakisë pas Marrëveshjes së Mynihut më 1938 shënon edhe fundin e Antantës së Vogël. Hungaria, si partner vullnetar i Boshtit, përfiton nga kjo dhe nga amputimi i Rumanisë më 1940. Edhe Bukureshti dhe Sofja bien shpejt dhe fuqishëm në duart e Boshtit. Me këtë “revidohet” sistemi i Versajës.
Në dy vjetët e parë Ballkani mbetet i kursyer nga Lufta e Dytë Botërore. Për Gjermaninë luftëprirëse, Evropa Juglindore kishte vetëm një domethënie dytësore. Ajo në kuptimin ekonomiko-ushtarak do të duhej të shërbente vetëm si një hapësirë agrare furnizuese. Për këtë arsye hapësira u la nën kontrollin e Musolinit. Për qëllimin kryesor luftarak gjerman – depërtimin në Lindje – ishte e rëndësishme “Qetësia në Juglindje”.
Në fund të viteve të tridhjeta si supremaci e Ballkanit del në skenë sërish Rusia, tash si perandori sovjetike.
Me Paktin Hitler – Stalin të vitit 1939 Moskës iu njoh Besarabia si “trampolinë tradicionale” për në Evropën Juglindore, të cilën, një vit më vonë, do ta marrë Armata e Kuqe nga Rumania e paralizuar. Me këtë Lufta e Dytë Botërore e përfshiu edhe Evropën Juglindore. Për shkak të dështimit të depërtimit të Musolinit në Greqi, në vitin 1941 do të niset edhe makineria luftarake gjermane në drejtim të Ballkanit. Pasi që Beogradi nuk lejonte të vihej nën presionin e forcave të Boshtit, duhej të nënshtrohej ushtarakisht dhe të pushtohej, njësoj si Greqia, ku britanikët donin ta ngrisnin një front juglindor.
Marshimi gjerman në Ballkan i vitit 1941/1942 nuk ishte i planifikuar në strategjinë e gjithmbarshme të luftës. “Ri rregullimi gjerman i Juglindjes evropiane” kishte për këtë arsye të gjitha karakteristikat e një përkohshmërie. Hungaria dhe Rumania ishin satelite të forcave të Boshtit dhe, bile, merrnin pjesë me kontingjente të mëdha në “kryqëzatat antibolshevike” kundër Bashkimit Sovjetik. Të dyja ishin thellë të armiqësuara për shkak të Transilvanisë. Hitleri i mbante të dy të lidhura për vete nëpërmes premtimeve të fshehta për dhënien e Transilvanisë. Që nga viti 1940 kjo pjesë në masë të madhe i takon Hungarisë. Greqia pushtohet pjesërisht edhe nga Italia dhe nga simpatizuesi i Fuqive të Boshtit, Bullgaria. Shqipëria u bë protektorat i Italisë. Jugosllavia u nda e u copëtua shumëfish – deri në kapitullimin e Romës më 1943 – në sferë italiane dhe gjermane të ndikimit. Në Serbi sundonin gjermanët, në Dalmaci, Mal të Zi dhe Kosovë italianët. Në Kroaci – së pari nën “mëshirën” e Musolinit e pastaj të Hitlerit- u ngrit shteti horror klerikal-fashist, të cilit do t’i bashkëngjitej edhe territori i Bosnjës.
Nga 1941 deri më 1945 në shtetin vasal kroat sundonte pushteti fashist i “partisë ustashe” (ustash = kryengritës), i cili ndiqte një politikë tepër brutale dhe të gjenocidit ndaj serbëve në Kroaci dhe në Bosnjë.
Rajhu i Tretë primare në vendet e Ballkanit kishte shfrytëzimin ekonomik pa stacionim të forcave të mëdha ushtarake. Fillimi i shpejtë dhe nga gjermanët i paparashikuar i luftës partizane e pengoi në mënyrë permanente arritjen e këtij qëllimi. Në Greqi, Jugosllavi dhe Shqipëri, paralelisht me pushtimin gjerman, zhvillohej pjesërisht edhe një luftë qytetare mes grupeve nacionale dhe qytetare, pjesërisht kolaboruese, edhe komunistëve. “Armatat nacionalçlirimtare” komuniste fituan epërsinë për shkak të qëndrimit të tyre të pa kompromis dhe të konceptit atëherë të qartë që kishin ato për të ardhmen. Më 1943 Tito njihet si aleat nga Londra dhe Uashingtoni, e më vonë edhe nga Moska.
Që nga fundi i vitit 1943 Bashkimi Sovjetik ishte në përparim në të gjitha frontet e luftës. Në mesin e vitit 1944 sovjetët hynë në Rumani, Bullgari dhe Hungari dhe bile depërtuan deri në Beograd dhe Vjenë. Stalin-i, nëpërmes një veprimi energjik deshi të pengonte një invazim të aleatëve nga Mesdheu në Evropën Juglindore. Ballkani do të duhej t’i takonte vetëm atij. Rooswelt-i dhe Churchill-i nuk kishin llogaritur assesi me një sukses kaq të shpejtë të Stalinit që ai të mund ta fuste Evropën Juglindore nën kontroll vetëm brenda një viti. Në fund të vitit 1944 Londra dhe Uashingtioni ishin tashmë të shtangura para faktit të kryer.
Në Konferencën e Luftës së “Tre të mëdhenjve” – Anglisë, SHBA-së, Bashkimit Sovjetik- në Kasablanka, në Teheran dhe së fundi në Jaltë, më 1944 u shtruan qëllimet e koalicionit antihitlerian. Ballkani mbeti sërish në plan të dytë. Aleatët evroperëndimorë tërë Evropën Juglindore e lanë si zonë ndikimi të Bashkimit Sovjetik. Sipas të dhënave të një shërbyesi të Kremlinit tre burrështetasit u dakorduan për këtë ndarje në përqindje të territoreve: Rumania: 10% aleatëve perëndimorë, 90% Bashkimit Sovjetik; Greqia 10% Bashkimit Sovjetik, 90% aleatëve perëndimorë; Bullgaria 25% aleatëve perëndimorë, 75% Bashkimit Sovjetik; Hungaria dhe Jugosllavia “fifti – fifti”. Por një sovjetizim i qindpërqindë i Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë ishte i pandalshëm. Greqia, edhe përkundër luftës së ashpër qytetare deri më 1949, mbeti në hemisferën perëndimore. Jugosllavia u shndërrua në një rast të veçantë.
Sistemi botëror i Jaltës e ndau tërë botën sërish – tash në mënyrë signifikante nëpërmes një perde të hekurt – në një gjysmë lindore dhe një gjysmë perëndimore. Si sisteme vlerash do të konkurronin tash e tutje Perëndimi demokratik, i vetëquajtur “bota e lirë”, i dominuar së pari nga Londra dhe Uashingtoni, e më vonë vetëm nga SHBA-të, me komunizmin e ndërtuar sipas mënyrës së Moskës. Evropa Juglindore do të bëhej pjesë e fortë përbërëse e bllokut lindor komunist. Marrë nga Albinfo.ch. (Fund).