Kësisoj, një javë para përfundimit të edicionit, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, e ka siguruar pozitën e parë në tabelë. Golat e fitores për Ballkanin i shënuan Edvin Kuq në minutën e 65-të dhe Meriton Korenica në minutën e 76-të. Ceremonia e ndarjes së titullit të kampionit për Ballkanin do të organizohet në xhiron e fundit në ndeshjen Gjilani-Ballkani.
Malisheva ka arkëtuar tri pikë të mëdha si mysafire, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 1:0, duke e siguruar në këtë mënyrë mbetjen në elitë. Golin e fitores për Malishevën e shënoi Sobowale (56′).
Gjilani e ka siguruar pozitën e tretë në renditje, e cila siguron pjesëmarrjen në garat evropiane, pas barazimit të sotëm në “Zahir Pajaziti” kundër Llapit (2:2), derisa Prishtina shënoi fitore të lehtë ndaj Drenicës, 4:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Fitore para tifozëve të vet realizoi edhe Dukagjini, që e mposhti Trepçën’89, me rezultat 3:1.
Kësisoj, gjithçka sa i përket skuadrës që do t’i bashkohet Drenicës në një rang më të ulët të garave dhe skuadrës që do të luajë në barazh do të vendoset në javën e fundit, në ndeshjet Trepça’89-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini.
Aktualisht Ferizaj ndodhet në pozitën e 8-të, me 38 pikë, kurse Trepça’89 ka një pikë më pak.