Ballkani kërkon ‘hakmarrje’ ndaj Astanës
Kampionët e Kosovës synojnë t’i marrin tri pikët e plota nga përballja me Astanan në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. “Nuk mund të jap përqindje se kush do ta fitoj ndeshjen, sepse futbolli nuk është shkencë ekzakte. I kam përgatitur djemtë e mi të fitojnë”, ka deklaruar Ilir Daja, trajner i Ballkanit.
VKlubi kampion i Kosovës, Ballkani, sot (e enjte) e zhvillon ndeshjen e katërt në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Klubi nga Suhareka është mysafir i Astanës dhe për këtë ndeshje është përgatitur maksimalisht me synimin për të arritur fitore, njëherësh për t’iu “hakmarrë” për humbjen që ky klub ia shkaktoi në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 1-2.
Të mërkurën në konferencë për medie, trajneri Ilir ka thënë se skuadrën që ai e drejton e pret një ndeshje e vështirë, por se i ka përgatitur djelmoshat për të arritur fitore.
“Fusha artificiale nuk do të jetë problem, pasi edhe ne kemi fushë të tillë. Çka kanë përparësi është se do t’i kenë tifozët, por ne do të shfrytëzojmë atë sikur të ishin duke përkrahur skuadrën tonë. Do të na pëlqente të fitonim, por është një ndeshje e vështirë edhe në aspektin taktik dhe fizik. Nuk mund të jap përqindje se kush do ta fitoj ndeshjen, sepse futbolli nuk është shkencë ekzakte. Unë kam përgatitur djemtë e mi të fitojnë. Nëse e marrim përvojën, Asana ka më shumë, pasi ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës”, ka thënë Daja.
Krahas trajnerit Daja në konferencë i pranishëm ishte edhe mbrojtësi Arbër Potoku. Ky i fundit ka thënë se Astana ndeshjen e parë e fitoi në dy rastet që kishte të cilat i shfrytëzoi. Ai beson se Ballkani mund ta kalojë fazën e grupeve.
“Në ndeshjen e parë pritshmëritë kanë qenë më të mëdha. Astana është klub i madh, por fati në atë s’ka qenë me ne. Astana fitoi me dy goditje. Ky është futbolli. Për ne është viti i dytë. Sigurisht se objektivi ynë nuk ka qenë ta kalojmë grupin, por pas rezultateve, pritshmëritë janë rritur. Tani e dimë siç jemi në tabelë, kemi shanse ta kalojmë grupin dhe do të bëjmë gjithçka të arrijmë këtë objektiv madhor”, ka deklaruar Potoku.
Një ditë para ndeshjes edhe Klubi i Ballkanit ka reaguar në faqen zyrtare duke shprehur krenarinë për përkrahjen që ka marrë klubi në Kazakistan ku jetojnë dhe veprojnë shumë shqiptarë.
“Ne jemi të lumtur që qindra shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Kazakistan do të jenë në tribuna për ta përkrahur kampionin e Kosovës. Na priftë e mbara!”, thuhet në reagimin e klubit suharekas.
Ndeshja në mes të Astanës dhe Ballkanit zhvillohet në “Astana Stadium” nga ora 16:30. Në Grupin C, Viktoria Plzen është në vendin e parë me 9 pikë, kurse Dinamo Zagrebi, Ballkani dhe Astana kanë nga 3 pikë.
/Veton Zymberi/