Ballkani mes Lindjes dhe Perëndimit (Pjesa I)
Michael Weithmann: “Der ruhelose Balkan” (“Ballkani i trazuar”)
“Ne në Ballkan kemi histori më shumë seç mund ta përballojmë”, theksonte në qershor të vitit 1991 ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Haris Silajxhiç. Dhe, siç do të mund të plotësonim edhe ne nga Evropa dhe pjesa tjetër e botës, duke shikuar të çorientuar dhe pa mundur të kuptojmë se ç’po ngjet me luftërat e skëterrshme civile në Jugosllavi: një histori që vështirë se njihet në Perëndim dhe vështirë se mund të klasifikohet diku në historinë evropiane.
Kjo fillon që nga përcaktimi i nocionit. A është “Ballkani” një nocion politik, gjeografik apo kulturor? A e përfshin ky nocion tërë Evropën Juglindore, apo vetëm vendet në jug të Danubit? Vetë fjala rrjedh nga pushtuesit turq të mesjetës së vonë dhe do të thotë “bjeshkë” apo “malësi”. Me këtë ata i dhanë territorit që e pushtuan në mes të shekujve XIV dhe XVI një emërtim adekuat.
Bullgaria, Maqedonia, Greqia, Serbia, Bosnja dhe Shqipëria përshkohen kryq e tërthorë nga masivet malore dhe luginat – të ashprat për banim, “Grykat e Ballkanit” të Karl May-it, vetëm një pengesë në rrugën nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas. “Turqia evropiane” quhej tek ne ky regjion deri në fillim të shekullit XX. Nocioni “Ballkan” u shfaq në Perëndim tek në shekullin XIX. Gjeografët po e mënjanonin njollën e fundit të bardhë nga harta e Evropës dhe rripin malor përgjatë Bullgarisë e emërtuan “Ballkan” dhe, më vonë, si “Gadishulli Ballkanik” e emërtuan tërë territorin në mes Adriatikut, Egjeut dhe Detit të Zi. Gjeopolitikisht s’ishte tjetër nga “Turqia evropiane”, territori i Perandorisë turke, i administruar nga sulltani në Stamboll dhe, në aspektin kulturor – historik, territor i Evropës Juglindore që mban vulën e Kishës Lindore ortodokse dhe në masë të kufizuar edhe të islamizmit që prej sundimit turk.
Në rrjedhën e shekullit XIX u krijuan shtetet ballkanike, së pari Serbia dhe Greqia, pastaj Mali i Zi dhe Bullgaria, së fundi Shqipëria. Nocioni “Ballkan” u zgjerua përtej Danubit. Rumania, një shtet gjithashtu i ri – deri më 1918 pjesë e Hungarisë, bile vetë Hungaria e Kroacia numërohen shpesh si pjesë e Ballkanit. Në frëngjishten diplomatike bota e re e vendeve të vogla quhet në shumës “Les Balkans”, e në angilsht “The Balkans”.
Relievi bizar dhe i thyer nuk lejoi ndërtimin e njësive më të mëdha politike; pushteti politik u desh të ndahet dhe të copëzohet posi vetë relievi. Popujt që jetojnë këtu gjeografia i ka lënë të ndarë në hapësirat e mbyllura të vendbanimeve të tyre. Kontrastet territoriale i përgjigjen partikularizmit, diferencimit, copëzimit dhe veçimit të popullsisë së Ballkanit në grupe të kufizuara kulturore, religjioze dhe politike.
Të kllaposur mes qendrave pushtetarë dhe kulturore të Evropës dhe të Orientit, Ballkanit i shtohet edhe një cilësim tjetër i nxjerrë nga përvoja historike: “Në kufirin mes Lindjes dhe Perëndimit, në kryqëzimin e kulturave, religjioneve dhe perandorive. Me një fjalë: të gjithëve në rrugë (Émile Cioran). Ballkani është fushë marshimi dhe betejash e interesave të huaja, territor permanent i kapërcimeve, ku fuqitë lindore dhe perëndimore i shtrijnë sferat e tyre hegjemoniste, i orientojnë popujt dhe i formësojnë ata kulturalisht sipas pikëpamjeve të tyre.
“Divide et Impera” (“Përçaj dhe sundo”) – me këtë maksimë udhëhiqet politika e Fuqive të Mëdha qe 2000 vjet në Ballkanin e shumësisë marramendëse të popujve, fiseve dhe konfesioneve. Për ta mbajtur nën kontroll këtë regjion, secila fuqi ka shfrytëzuar dallimet e vogla, por mese të thella dhe të hidhura të popujve të tij. Së pari Roma, pastaj pasuesi i Romës Lindore – Bizanti, tregtarët perëndimorë dhe kryqtarët e kryqëzatave, osmanët turq, habsburgët austriakë, Perandoria Ruse dhe, në shekullin që lamë pas, fituesit e Luftës së Parë Botërore, pastaj fuqitë e boshtit në Luftën e Dytë Botërore dhe, së fundi, me shumë sukses, perandoria sovjetike.
Gjakmarrja, grabitja e gruas, dhuna drakonike patriarkale për shkak të nderit të klanit dhe të nderit të familjes, shoqëria e mbyllur anakronike: “Burri është një pushkë”. Kështu ishte deri në betejat partizane të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën nuk u luftua shumë armiku i jashtëm, por më shumë fqinji tjetër fare. Lufta është e tmerrshme, por në Ballkan gjithnjë për një nuancë më e tmerrshme, sepse është më arkaike. Hakmarrja ballkanike kapërceu kohë dhe gjenerata. Shtytja për veprime ataviste në Kroaci dhe Bosnjë mund të interpretohet edhe si një hakmarrje për të pabërat e ushtruara në Luftën e Dytë (për ekspertët perëndimorë është diskutabile se a është në pyetje ndonjë relikt i epokës parashtetërore apo ndonjë regres shoqëror si një reagim ndaj sundimit të huaj dhe ndaj intervenimit permanent të fuqive të huaja në mesjetën e vonë).
Si me një goditje shpate në vitin 395 perandorët e Romës së vonë e ndanë perandorinë e tyre gjigante, gati të paqeverisshme më, në Perandori të Lindjes dhe të Perëndimit. Që nga ajo kohë nga veriu në jug përgjatë Danubit dhe Drinës u krijua një vijë ndarëse kulturore, konfesionale dhe e mentalitetit në Evropën Juglindore.
Gjysma perëndimore latine – Hungaria, Kroacia, Dalmacia – misionohej nga Roma e Papës dhe ishte përfshirë në kuadrin e “Perëndimit katolik”. Pjesa lindore greke orientohej nga Konstatinopoja perandorake. Bullgaria, Serbia dhe Rumania e morën ortodoksizmin. Ato u bënë pjesë e “Lindjes” së komonveltit bizantin.
Konflikti Perëndim – Lindje është qe mese dy mijë e pesëqind vjet një konstantë e historisë botërore. Me ngritjen e krishterimit dhe me rritjen e divergjencave të orientimit religjioz ortodokse-greko-oriental dhe të orientimit latino-romako-katolik – të dyja si orientime universale, do me thënë “katolike”, si dhe ekstreme religjioze, do me thënë “ortodokse”, me pretendime të zotërimit të së vërtetës absolute, – eskaloi edhe konflikti Lindje – Perëndim në aspektin ideologjik, religjioz dhe përfundimisht edhe politik. Dhe atë në Ballkan, ku ndesheshin sferat e ndikimit romak të lindjes dhe romak të perëndimit. Perandoria Bizantine me Konstatinopojën si qendër nuk përjetoi transformim kulturor përmes zhvendosjes së popujve siç përjetoi pjesa perëndimore në “shekujt e errët” V – VIII; ajo vetëm e receptoi civilizimin antik me të cilin hyri triumfalisht deri në mesjetën e vonshme.
Por në nivelin më të lartë mbretëronte ngricë: stagnimi dhe prapambetja u bënë karakteristikat e Lindjes ortodokse. Në luftën mes kishës dhe shtetit në Perëndim u mobilizuan të gjitha forcat intelektuale. Dinamika u bë shenja dalluese e Perëndimit- zhvillimi i Renesances, i Reformimit, i Iluminizmit mori hov. Bizanti nuk ia arriti t’i dalë me asgjë krahu këtij “përparimi”. Në vitin 1204 kryqtarët evropianë, të bekuar nga Papa, shkretëruan qytetin perandorak në Bosfor dhe e zhdukën Perandorinë e Lindjes. Pas këtij dekurajimi të thellë të ortodoksisë bota u nda përfundimisht në Lindje dhe Perëndim.
Kisha Lindore – e pa përkushtuar ndaj botës dhe kontemplative (soditëse) – u tërhoq. Ajo u izolua nga zhvillimi shoqëror dhe intelektual i Perëndimit. Kufiri religjioz dhe kulturor në hapësirën ballkanike u përforcua, i bëri ballë periudhës së sundimit osman dhe rilindjes kombëtare për të arritur sot sërish virulencën (patologjinë etnike) e tij të lashtë.
Pas rrëzimit të Bizantit, popujt ballkanikë u organizuan vetë. Bullgarët, serbët dhe natyrisht grekët e konsideronin veten si pasardhësit e vetëm legjitimë të Bizantit dhe luftonin për kurorën e mbretit (carit). Në Konstatinopojë si mbret kurorëzohet më 1206 sërish një grek, Michael Palaiologos, por Perandoria Bizantine ishte tashmë e pari kthyeshme. Perandoria gjithnjë e më e zvogëluar dhe që shërbente si një top loje i fuqive të huaja mbeti greke deri më 1453, kur osmanët turq e futën nën sundim qytetin e gjysmëshkretëruar Konstatinopojën dhe e shndërruan sërish në qendër të botës. Bullgaria dhe Serbia ndërtuan për një kohë relativisht të gjatë perandoritë e tyre. Për nacionalizmat e tyre të sotshëm ato janë epokat e trimërisë, kuptimin dhe kufirin e të cilave e kujtojnë me mall dhe për të cilat edhe sot luftojnë me tërë seriozitetin.
Por, partikularizmi i vjetër bëhet sërish dominues; perandoritë copëzohen sërish në pjesë vendesh dhe në treva fisesh, një pre e lehtë kjo për një shtet të mbledhur, të motivuar fetarisht, për shtetin centralist- Perandorinë Osmane, që e nënshtroi Ballkanin suksesivisht që nga shekulli XIV e deri në shekullin e XVII, për ta sunduar përfundimisht në fillim të shekullit të XX.
Ndihma nga Perëndimi i krishterë do të ndodhte po qe se do të njihej supremacia e Papës mbi ortodoksinë dhe po të ndodhte unioni i kishave. Por, për shkak të përvojave të vitit 1204, kjo ishte absolutisht e papranueshme për ortodoksinë.
“Më mirë çallmë e sulltanit se diademë e papës”, do të jetë brohoritur me rastin e rrethimit të Konstatinopojës. Me sulltanin mysliman do të mund të rregulloheshin disi në rastin më të keq, por me papën kurrë! Duke pasur parasysh këtë aspekt të brendshëm Lindje – Perëndim mund edhe të shpjegohet sundimi pesë qindvjeçar osman në Evropën Juglindore. Sulltani vërtet kërkonte një “tatim mbrojtjeje” nga të krishterët ballkanikë, por nuk i interesonte as për ritet e as për dogmat e robërve të tij. Një islamizim i detyrueshëm nuk u bë – përndryshe kjo do të çonte në pakësimin e të vjelurave tatimore. Koha e “errësirës turke” i takon perandorisë së legjendave historike. Ndjenja që kishin sllavët ballkanikë nga favorizimi i sulltanit për patriarkanën greko-ortodokse për tutori ndaj kishave të tyre, të cilave ajo synonte t’ua ndalonte liturgjitë e tyre sllavo kishtare, ishte për ta i njëjtë si detyrimi që kishin ndaj sulltanit për pagimin e haraçit.
Nën osmanët Ballkani u paqësua. Po trasohej një sintezë e frytshme ballkaniko – osmane. Nga kundërshtia e ashpër e krijuar ndaj Perëndimit militant katolik po kristalizohej bile një lloj i mirëkuptimit mes ortodoksisë dhe religjionit shtetëror islam.
Në anën tjetër, ishte pikërisht kleri i shtresës së ulët sllave ai që e mbajti të gjallë kujtimin e mesjetës së carëve dhe murgjve tek të nënshtruarit.
Në Bosnjë, Shqipëri dhe Bullgari një pjesë e konsiderueshme e popullsisë kaloi në fenë e fituesve. Lëvizjet brenda ballkanike të popullsisë në kohën turke janë edhe arsyeja e përzierjeve të sotme kaq problematike të vendbanimeve të etnive të ndryshme brenda një hapësire të vogël.
Në veri të Gadishullit Ballkanik habsburgët me marrjen e kurorës hungareze të trashëgimisë më 1526 arritën ta shtrijnë sundimin e tyre jashtë peradorisë romako – gjermane. Shteti decidiv katolik, kundër reformator dhe rregullativ i habsburgëve, që e mbante nën presion të vazhdueshëm Perandorinë ekspansioniste Osmane, u bë pas luftës fitimtare kundër turke në shekullin XVIII si fuqia dominuese në Evropën Juglindore. Si një kordon ndaj Perandorisë Osmane, në Kroaci, për tre shekuj me radhë u krijua “kufiri ushtarak” habsburgian. Por, si rezultat i epokës turke kufiri mes Perëndimit dhe Lindjes u shty edhe më tej në drejtim të Evropës. Bile që në shekullin XX kufiri i “orientit” arrinte deri në Danub dhe Savë.
Që nga shekulli XVIII zbehet shkëlqimi i gjysmëhënës në Evropë Juglindore, jo vetëm për shkak të shfaqjes së Rusisë si fuqi e madhe në skenën ballkanike. Sipas doktrinës së saj shtetërore Rusia ishte “Roma e tretë” – dhe një të katërt nuk do të kishte më! “Rusia e shenjtë”, mbrojtësi i vërtetë i ortodoksisë, shfaqet si pasuese e sundimtarëve botëror bizantinë. Ajo e konsideronte veten si të thirrur nga historia që ta pushtonte Konstatinopojën dhe t’i bashkonte të gjithë “besimtarët e drejtë” në një perandori, pra edhe ta çlironte Ballkanin nga islami dhe t’i mbronte të krishterët ballkanikë nga “latinët”.
Rusët në Ballkan dhe në ngushticat detare mes Evropës dhe Azisë? Një perandori gjigante neobizantine, pansllave, autokratike në Evropën Juglindore? Fuqitë perëndimore do të përpiqeshin ta pengonin këtë me të gjitha mjetet. Edhe habsburgët e vërejtën shpejt se nuk do të jetë e vështirë për t’u mposhtur perandoria e dobësuar rëndë e sulltanit, por kundërshtari i vërtetë në Ballkan do të jetë Rusia imperialiste. Një ndarje e Perandorisë Osmane, ku Rusia do të përfitonte më së shumti, nuk guxonte të ndodhë! Kjo është “çështja orientale”, e cila do ta mbajë në ankth diplomacinë deri në Luftën e Parë Botërore.
Perëndimi që nga shekulli XIX do të mbështetet fuqimisht të “sëmurin e Bosforit” – natyrisht pë interesin e tij – pë t’u mbrojtur nga rreziku i madh rus nga veriu. Për popujt e sunduar ballkanikë kjo do të thoshte të jenë të gozhduar mes interesave të fuqisë së madhe të perandorisë cariste dhe fuqive të Perëndimit. Të gjitha kompromiset e fuqive të mëdha synonin ruajtjen e status quos. Vetëm me pajtimin e fuqive të mëdha mund të ndryshonte fati i popujve të Ballkanit.
Në tërheqje e sipër islami bëhej gjithnjë e më agresiv dhe fuqitë e mëdha përpiqeshin t’i shfrytëzonin pa skrupull për përfitime të tyre diferencat brenda Perandorisë Osmane. Nocioni “zgjedha turke” fitoi kështu kuptim në fazën e fundit të sundimit.
Racionalizmi, iluminizmi, sekularizmi dhe shtresa e pavarur qytetare, si një shtresë transformuese, – kategori këto përgjithësisht “perëndimore”- janë parakushtet e domosdoshme, idetë dominuese të nacionalizmit të shtresave dhe të konfesioneve. Pak nga këto parakushte ekzistonin në Ballkan, kur kjo lëvizje nga perëndimi pëfshiu edhe Ballkanin pas Revolucionit Francez dhe epokës së Napoleonit (1789 – 1815). Në Perëndim nacionalizmi u bë një forcë emancipuese dhe konstruktive, sepse në shekullin XIX vetëm në kuadrin e shteteve nacionale mund të ndërtohej sovraniteti i popujve, kushtetutshmëria, të drejtat e popujve dhe demokracia. Në juglindje (ashtu si edhe në tërë Evropën Lindore) nacionalizmi vepronte si ideologji e importuar, sepse atje, nën ndikimin e kushteve para bashkëkohore, ai ishte ende i huaj. Si ideologji çlirimtare nacionale nacionalizmi këtu kapërcente perandoritë shumë popujsh të osmanëve dhe të habsburgëve, por degjeneronte pastaj në nacionalizëm përjashtues dhe armiqësor.
Parimi i ndërtimit të shteteve nacionale sipas shembullit perëndimor dështoi në Ballkan.
Krahas “rilindjes” së shteteve nacionale ballkanike, shkëputjes graduale të tyre nga lidhja perandorake osmane, gjatë shekullit të 19-të, në gjuhën e diplomacisë perëndimore dëgjohej slogani “ballkanizim”… “copëtimi i njësive të mëdha politike dhe ekonomike si dhe, në të shpeshtën e rasteve, i jostabilitetit politik si pasojë. Gjë kjo që nxitej dhe shfrytëzohej menjëherë nga Fuqitë e Mëdha për qëllime të tyre” (Brockhaus, 1987).
Kur armata cariste më 1878 ishte vetëm 10 kilometra larg nga Stambolli dhe Bosfori dhe kur “çështja orientale” rrezikonte të zgjidhej sipas botëkuptimit pan sllavist, nëpërmes ndërhyrjes së fuqive perëndimore kanosej rreziku i një lufte të përmasave globale.(albinfo.ch)– vijon
Përkthimi: Nexhmedin Gerguri