Ballkani mposht Malishevën, Feronikeli ’74 fiton ndaj Lirisë
Ballkani i ka arkëtuar pikët e plota në shtëpi te Malisheva, derisa Feronikeli ’74 e ka mposhtur Lirinë e Prizrenit.
Derbi më interesant është zhvilluar në Suharekë, ku Ballkani ka triumfuar me rezultat 2:0, sfidë të cilën i pranishëm ishte edhe përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda.
Ballkani ishte skuadër më e mirë që nga fillimi, ku ka shënuar përmes Edvin Kuc pas tre minutave, mirëpo pas një rishikimi që ka zgjatur gjashtë minuta – goli është anuluar nga VAR-i.
Ishte Nazmi Gripshi që ia ka dhënë epërsinë vendasve, duke përfituar nga një asistim fantastik i Lumbardh Dellovës (49’).
Kurse, fitoren e ka vulosur Mamadou Danfa pas asistimit të Tolajt (69’).
Malisheva gjithashtu kishte disa raste, mirëpo larg konkretizimit të tyre.
Kësisoj, Ballkani rikthehet si lider me 51 pikë, derisa Malisheva qëndron në pozitën e katërt me 41 sosh.
Ndërkohë, Feronikeli ’74 gjithashtu i ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Liria e Prizrenit, duke triumfuar me rezultat 0:2.
Pjesa e parë ka përfunduar ashtu siç ka nisur pasi të dy skuadrat kishin disa raste shënimi, mirëpo që nuk ia dolën t’i finalizojnë.
Robert Rrahmani në fillimin e pjesës së dytë i dha epërsinë mysafirëve pas një aksioni të shpejtë (47’).
Kurse talenti Ibrahim Cërvadiku e vulosi fitoren me një gol të bukur (73’).
Skuadra nga Drenasi renditet në pozitën e shtatë me 26 pikë derisa Liria qëndron në fund me 10 sosh.