Ballkani mposht Suharekën, Prishtina dhe Drita luajnë pa gola
Prishtina dhe Drita e kanë mbyllur në paqe, derisa Ballkani ka mposhtur krejt në fund Suharekën, në kuadër të gjysmëfinales së parë për Kupën e Kosovës
Derbi më interesant ishte mes Prishtinës e Dritës, ku është zhvilluar lojë e hapur por epilogu përfundimtar doli të jetë 0:0.
Prishtina ishte më agresive në fillim duke fituar një penallti pas tre minutave lojë, por është anuluar nga VAR-i.
“Bardhëkaltërit” në fakt kanë shënuar përmes Leutrim Kryeziut, por sërish VAR-i ia ka anuluar golin. Këtë herë shkaku i një prekje të topit me dorë në ndërtimin e këtij aksioni (22’).
Pjesa e dytë ishte edhe më e qetë, pasi të dy skuadrat u treguan më të kujdesshme në mbrojtje duke mos lejuar befasi.
Kësisoj, pas 90 minutave lojë asnjëra skuadër nuk ka arritur ta marrë avantazhin dhe finalisti do të mësohet në ndeshjen kthyese në Gjilan.
Ndërkohë, edhe derbi i rivalëve lokal Suhareka – Ballkani ishte mjaftë interesant, me kampionin e Kosovës që e fitoi lojën krejt në fund.
Ballkani ashtu siç pritej ishte më e mirë në fushë, por njësoi si në kohët e fundit po vuan për ta gjetur rrugën drejtë rrjetës.
Rastin më të mirë në pjesën e parë e kishte Nazmi Gripshi, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Suhareka më shumë është mbrojtur, duke tentuar disa kundërzbritje mirëpo larg konkretizimit të tyre.
Kur mendohej se sfida do të mbyllej me rezultat 0:0, në skenë ka dalë i inkuadruari Marsel Ismajlgeci që ka realizuar golin e fitores (90+1′).
Megjithatë, asgjë s’ka mbaruar as në këtë sfidë dhe finalisti do të mësohet në ndeshjen kthyese.