Ballkani për herë të dytë radhazi pjesë e fazës së grupeve në Ligën e Konferencës
FC Ballkani evropian! Me të drejtë ky epitet tashmë mund t’i vendoset kampionit të Kosovës, i cili për të dytin vit radhazi do të bëjë gara në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke shkruar kësisoj historinë e klubeve kosovare dhe në përgjithësi atyre shqiptare sa i përket pjesëmarrjes në garat evropiane.
Në fakt, FC Ballkani bëhet klubi i vetëm nga mbarë viset shqiptare që merr pjesë për herë të dytë në fazën e grupeve të garave evropiane, duke vendosur kësisoj një standard të ri jo vetëm për futbollin kosovar, por në përgjithësi atë mbarëkombëtar. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja e ka prerë biletën për në fazën e grupeve përkundër humbjes në ndeshjen e kthimit të fazës së ‘play-off’-it nga skuadra e njohur bjelloruese, BATE Borisov (0:1).
Në fakt, Ballkani arriti ta menaxhojë epërsinë bindëse nga ndeshja e parë në “Fadil Vokrri” 4:1, duke u kualifikuar më meritë tutje në garat evropiane.
Ndeshja e zhvilluar në Hungari u mbyll 1:0 për bjellorusët, me golin e vetëm të Artem Kontsevoy, në minutën e 30-të. Gjithsesi, kualifikimi i FC Ballkanit në fazën e grupeve për herë të dytë dëshmon rritjen e madhe që futbolli i Kosovës ka bërë viteve të fundit dhe njëherësh është frymëzim për zhvillim të mëtutjeshëm të Superligës dhe klubeve tona në përgjithësi.