Ballkani Perëndimor në mes të Perëndimit dhe Rusisë: Koha të vendosen kufijtë gjeopolitikë
Shkruan: Dr. Edita Tahiri
Ish-zëvendëskryeministre dhe kryengociatore
Ballkani Perëndimor është një term politik që përfshin gjashtë vende të Ballkanit: Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mal i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Megjithëse i definuar me të drejtë se është Perëndimor, në realitet nuk është i tëri perëndimor, përveç Serbisë e cila është pro-ruse dhe një pjesë e Bosnjë-Hercegovinës njohur si “Republika Serbe” pa dëshirën e gjithë popullit të Bosnjës.
Në epokën gjeopolitike që po jetojmë, lufta gjeopolitike e Rusisë kundër Ukrainës ka ndikuar në ndarje të qartë të Ballkanit Perëndimor në linja gjeopolitike, pra sot kemi një Ballkan Perëndimor midis Perëndimit dhe Rusisë.
Pavarësisht prej kësaj ndarjeje të qartë, partnerët perëndimorë, ShBA dhe BE, po hezitojnë ta vendosin kufirin gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht të vendosin linjën e qartë të sferave të influencës midis Perëndimit dhe Rusisë apo bllokut pro-rus që po ravijëzohet gjithnjë e më shumë.
Hezitimi i Perëndimit në këtë drejtim ka lënë Ballkanin Perëndimor të jetojë midis ambivalencës dhe qartësisë, të dëmshme për paqen e brishtë të rajonit tonë ku rrezikshmëria e sigurisë është evidente.
Pse po e them kështu dhe çfarë po mendoj me ambivalencën dhe çfarë me qartësinë në rajonin tonë? Në fakt, gjithë debati akademik dhe politik mbi Ballkanin Perëndimor është i fokusuar në sfidat e sigurisë në Evropë, por shumë më shumë në Ballkanin Perëndimor të gjeneruara nga Rusia si dhe lufta Ukrainë-Rusi, kjo për arsye të ekzistimit të “Kalit të Trojës” të Rusisë në Ballkan, që është Serbia.
Ambivalenca ka të bëjë me paqartësinë e ardhmërinë paqësore dhe euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që qartësia është në kërcënimet e përditshme të sigurisë ndaj Ballkanit perëndimor në këtë epokë gjeopolitike.
Ambivalenca/paqartësia mbizotëron në dinamikat pozitive, sepse perspektiva për më shumë paqe, më shumë stabilitet dhe më shumë siguri duket larg, aq larg sa edhe integrimi euroatlantik i vendeve që ende nuk janë pjesë e BE-së dhe të NATO-s.
Ambivalenca e BE-së në raport me Vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimin evropian fillon që nga Samiti i Selanikut 2003, kur BE dhe udhëheqja e saj siguruan se ardhmëria e vendeve të Ballkanit perëndimor është në BE. Në samite të njëpasnjëshme që nga ky i fundit më 18 dhjetor 2024 përsëriti pati sigurime në deklarata, por në vepër do të vazhdojë kjo politikë e prolonguar e dyerve të hapura në fjalë, por e mbyllur në praktikë. Një dallim qenësor që pati Deklarata e sivjetshme e Samitit BE-Ballkani Perëndimor e cila përmendi kontekstin gjeopolitikë.
Pra tre vjet nga lufta në Ukrainë, BE-ja bëri ballë të përmend gjeopolitikën.
Mirëpo, BE-ja ka edhe ambivalenca të tjera në raport me shtetet pro-perëndimore dhe pro-ruse të Ballkanit Perëndimor, kështu për shembull, BE-ja toleroi Serbinë ta ndjekë politikën edhe me Rusinë dhe me BE-në, pra të qëndrojë në dy karrige, atë të Rusisë dhe të BE-së.
Më tej, Serbia pro-ruse nuk ndoqi politiken evropiane për sanksionimin e Rusisë për pushtimin e Ukrainës, BE-ja nuk e ndëshkoi Serbinë, ndërsa shtetet pro-perëndimore që ndoqën këtë linjë nuk u shpërblyen.
Kur ishte çështja e sulmit gjeopolitik të Serbisë në Banjskë të Kosovës, BE-ja lehtësisht ndëshkoi Kosovën ndërsa nuk e ndëshkoi Serbinë, këto ndëshkime ndaj Kosovës vazhdojnë tash një vit, BE-ja përsëri lehtësisht nuk i hoqi, e pakta ka qenë që BE-ja t’i tregoj popullit të Kosovës se cilat janë arsyet që u ndëshkua Kosova. Natyrisht këtë shpjegim duhet ta bënte edhe Qeveria e Kosovës, mirëpo mos-transparenca e kësaj qeverie është e njohur që nga marrja e mandatit.
Ndërkohë ambivalenca e BE-së po vazhdon edhe në dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi, që po zgjatë më shumë se një dekadë dhe fundi nuk i shihet. Në këtë mënyrë BE-ja kërkon asociacionin nga Kosova por nuk e kërkon nga Serbia njohjen e shtetit të Kosovës.
E njëjta po ndodh edhe me qasjen e NATO-s ndaj vendeve që aspirojnë NATO-n, ndonëse NATO më herët filloi të përmend rëndësinë e qasjes gjeopolitike dhe gjeostrategjike, por nuk hapi dyert për Kosovën dhe Bosnjën që kishin kaluar luftëra e gjenocide nga Serbia e Millosheviqit. Ndërkohë që Serbia as nuk e aspiron NATO-n, duke mbajtur anën e Rusisë haptazi.
Duke theksuar paqartësitë në qiellin e Ballkanit Perëndimor, dua të theksoj se qartësia në qiellin e rajonit tonë është negative për fat të keq, pra qartësia është në dinamikat negative për rajonin tonë duke përfshirë kërcënimet e qarta për sigurinë dhe dinamikat destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, në veçanti ndaj Kosovës, Bosnjës dhe së fundi ndaj Malit të Zi.
E qartë është lufta invizibile gjeopolitike e Serbisë ndaj Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës e nxitur nga Rusia, që vazhdon që nga përfundimi i Luftës në Kosovë, që ishte lufta e fundit në Ballkan pas Kroacisë dhe Bosnjës. Serbia përmes ndërhyrjeve destabilizuese ndaj Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës po çon përpara agjendën e saj gjeopolitike e nacionaliste.
Edhe ma e qartë është lufta e Serbisë për krijimin e “botës serbe” përkatësisht të krijimin e “Serbisë së madhe”. Atë çfarë po bënë Rusia dëshpërimisht për rikthimin e humbjeve nga rënia e Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Ftohtë, të ngjashme po bënë Serbia dëshpërimisht për rikthimin e humbjeve nga rënia e ish-Jugosllavisë nga gërmadhat e të cilës tentoi pa sukses të krijonte “Serbinë e madhe”.
Përballë ambicieve të qarta gjeopolitike të Rusisë dhe Serbisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, Perëndimi duhet t’i japë përgjigje të qartë gjeopolitike.
Ndërsa Rusia duke bombarduar Kievin dëmtoi qëllimshëm ambasadat e vendeve pro-perëndimore, Ambasadat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kjo ishte një mënyrë indirekte e Rusisë për të vendosur vetë kufirin gjeopolitik në Evropë.
Është gjithnjë e ma e qartë lufta e doktrinave gjeopolitike të Perëndimit dhe Rusisë, me një anë Doktrina e “Heartlandit” dhe në anën tjetër Doktrina ruse e “euro-azisë” ku Ballkani Perëndimor ka një peshë specifike.
Pra është evidente se sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor janë ripërcaktuar nga lufta në Ukrainë e cila jo vetëm ringjalli gjeopolitikën klasike por dhe e ka dëmtuar rëndë rendin ndërkombëtar të krijuar Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë kontekst, brishtësia e paqes në Ballkanin Perëndimor kërkon vendime dhe veprime gjeopolitike dhe gjeostrategjike nga ana e ShBA-së dhe NATO-s. Është koha që Perëndimi ta vendosë kufirin e vet gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, ta mbroj dhe të krijoj kushtet për një paqe të qëndrueshme. Hap i parë është që NATO te anëtarësoj Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, si garanci e sigurisë dhe paqes në rajonin tonë.
Është koha për vendime gjeopolitike të NATO-s për të kundërshtuar luftën gjeopolitike ruse kundër Ukrainës dhe kundër luftës invizibile gjeopolitike të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Është koha të vendosen linjat e qarta të sferave të influencës në mes të Perëndimit dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor.