Ballkani Perëndimor vuan nga disa ‘sëmundje’
Vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia vuajnë nga disa “sëmundje”.
Kështu është thënë në një raport të Njësisë për të dhëna në revistën, “The Economist” me temën “Ballkani Perëndimor më 2025: Një e ardhme më e ndritur apo margjinalizim i përhershëm?”.
Sipas të gjeturave në raport është thënë se rajoni karakterizohet nga një rrezik i madh gjeopolitik. Në rreziqet e sigurisë përfshihen një varg i mosmarrëveshjeve bilaterale, ekzistenca e armiqësive nga periudha e luftës e viteve të 90-ta dhe rreziku nga fundamentalizmi islamik.
Për më shumë, Bashkimi Evropian ka vërejtur edhe garë gjeopolitike në rajon nga Kina, Rusia dhe Turqia.
Faktorët që mund të ndikojnë në rrezikun politik dhe jostabilitet përfshijnë ndasitë etnike, nivelin e ulët të besimit në Qeveri, histori konfliktesh, papunësi të lartë, qasje të armë të vogla, rrezik nga terrorizmi, tensione ndërkombëtare, abuzim me të drejta të njeriut, dhe numër të madh të refugjatëve dhe personave të zhvendosur.
Raporti ka përmendur se si më 2003, në një samit në Selanik, liderët e BE-së u kanë premtuar shteteve të Ballkanit se për to do të jetë e hapur dera e anëtarësimit në bllok.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, një gjë e tillë mbetet një perspektivë e largët për gjashtë vendet e Ballkanit, derisa disa liderë të BE-së kanë deklaruar se viti 2018 është vit tejet i rëndësishëm për këtë rajon, duke përmendur zgjidhjen e konflikteve afatgjata, të cilat edhe kanë ndikuar në zgjatjen e procesit të anëtarësimit.
Pas një pike të kthesës në kontestin 27-vjeçar në mes të Greqisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, liderët shpresojnë që një fund i tillë të krijohet edhe për statusin e Kosovës.
Ky njëherësh do të jetë në mesin e mesazheve kyçe në Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Londër më 10 korrik të këtij viti.
Në një tjetër raport të kësaj njësie që tregon për indeksin e demokracisë më 2017, Serbia ishte renditur e 66-ta në mesin e shteteve dhe territoreve, duke u cilësuar si i vetmi vend me “demokraci të çalë” në rajon.
Të gjitha vendet tjera janë renditur në mesin e vendeve me “regjime të përziera”, ku Shqipëria është renditur e 77-ta, Mali i Zi në vendin e 83-të dhe Maqedonia është listuar e 88-ta.
Bosnja dhe Hercegovina gjendet e fundit në listën e vendeve në këtë aspekt, përkatësisht në vendin e 101-të.
Në raport është përmendur edhe se Mali i Zi dhe deri vonë edhe Maqedonia kanë qenë vende në të cilat de fakto ka ekzistuar vetëm një parti për një dekadë, të cilat kanë udhëhequr si pasojë e manipulimit me vota dhe rrjeteve të klienteliste.
Sa i përket Kosovës, raporti ka theksuar se në këtë vend pavarësisht se ka pasur parti politike konkurruese, pushteti është monopolizuar në mënyrë efektive nga një elitë klienteliste e udhëhequr kryesisht nga udhëheqësit kosovarë të kohës së luftës, të cilët kanë qenë pjesë e një kryengritje guerrilase kundër sundimit serb në vitet 1998-99 dhe që përmes manipulimit zgjedhor kanë mbetur në pushtet.
Partitë e Bosnjë-Hercegovinës, fuqia e të cilave daton nga periudha e luftës me 1992-1995, gëzojnë dominimin si pasojë e dallimeve politike dhe atyre etnike.
Si i përket Serbisë, vlerësohet se presidenti, Aleksandër Vuçiq ka arritur nivelin e fuqive që ka përmes një fushate të vazhdueshme të elektoratit dhe kontrollin mbi mediet.
Në mesin e sqarimeve të ofruara për “kthimin mbrapa” të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit, problematikë mbetet niveli relativisht i ulët i zhvillimit ekonomik në rajon, ndikimi gjeopolitik i Rusisë dhe mungesa ose dështimi i realizimit të reformave të kërkuara nga BE-ja. (Rel)