Ballkani sonte në ‘Air Albania’ përballet me Viktoria Plzen
Klubi i Ballkanit do të përballet me Viktoria Plzen në stadiumin “Air Albania”. Synim i kampionëve të Kosovës në këtë ndeshje është paraqitja sa më dinjitoze dhe marrja e rezultatit më të mirë të mundshëm. Trajneri Ilir Daja e ka pranuar se klubi çek ka përvojë më të madhe dhe është favorit në këtë ndeshje.
Kampionia e Kosovës në futboll, Ballkani e zhvillon ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja e pret Viktoria Plzen në stadiumin “Air Albania” në Tiranë nga ora 18:45.
Kjo ndeshjet zhvillohet në kryeqytetin shqiptar përshkak se gjendja e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk është në gjendje të mirë dhe po intervenohet në riparimin e saj. Strategu Ilir Daja e ka pranuar se skuadra kundërshtare ka eksperiencë me të madhe se Ballkani dhe se është favorit në këtë ndeshje. Megjithatë ai ka premtuar angazhimin maksimal për të nxjerrë më të mirën nga kjo sfidë.
“Përveç që kryeson grupin, Viktoria Plzen ka përvojë në kompeticione tjera madhore të UEFA-s. Nuk jemi të barabartë. Është ekip që ka eksperiencë më të madhe sesa ne. Nuk e dimë se çfarë do të ndodh nesër. Ne do të japim maksimumin. Natyrshëm nëse duhet bërë llogaritë se si do dalin ndeshjet paralele. Fillimisht të shohim ndeshjen tonë. Do të bëjmë të pamundurën. Vështirësia është e madhe”, ka thënë Daja. Në konferencën për medie i pranishëm ishte edhe mbrojtësi Bajram Jashanica, i cili lidhur me ndeshjen ndaj Viktoria Plzen: “Është ndjenjë e jashtëzakonshme të paraqitesh në këto nivele. Shpresojmë të vazhdojmë sa më gjatë me Ballkanin në Ligën e Konferencës. Jemi ende në garë. Të marrim ndeshjet një pas një. Na duhet të përqendrohemi dhe të japim maksimumin secili nga ne që do të paraqitemi në fushë. Tani nuk kemi presion. E kemi arritur limitin si ekip kosovar. Tani jemi në rrugë të mirë. Nuk do të futemi me presion. Do të jetë një ndeshje e mirë për ne”.
“Përderisa jemi në këto niveli. Pse mos të provojmë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Por, ajo arrihet me punë dhe disiplinë. Pse mos të vazhdojmë ëndrrën tonë”, ka shtuar Jashanica. Skuadra e Ballkanit renditet në vendin e tretë në Grupin C me katër pikë. Në vendin e parë renditet Viktoria Plzen me 12 pikë dhe tashme e ka siguruar kalimin e tutje. Në vendin e dytë është Astana me pikë të barabarta me Ballkanin, kurse Dinamo Zagrebi renditet në vendin e fundit me tri pikë.