Ballkani sot mund t’i afrohet Dritës
Ballkani e ka një mundësi të artë sot për t’iu afruar Dritës.
Liderja e Albi Mall Superligës së futbollit u ndal dje nga Prishtina, nga e cila e pësoi humbjen e parë sezonale, 1:2.
Aktualisht, “Intelektualët” i kanë 5 pikë më shumë se therandasit, por edhe tri ndeshje më shumë të zhvilluara.
Për këtë arsye, ekipi Portokalli ka arsye të fortë për ta mposhtur sot Trepçën ’89 në shtëpi.
Me një fitore eventuale, ekipi i Ilir Dajës do t’i afrohej atij të Ardian Nuhiut në vetëm dy pikë, plus me dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Nga ana tjetër, për pikë kanë nevojë edhe mitrovicasit, të cilët gjenden në pjesën e poshtme të tabelës.
Krahas kësaj loje, sot në fushën e blertë do të zbresin edhe Gjilani e Drenica, të cilët do të përballen në mes vete në të njëjtën orë (13:00).
Në këtë ballafaqim të tria rezultatet janë të mundshme duke e pasur parasysh që gjilanasit kanë pësuar rënie javëve të fundit.
Ndërkaq, ndeshja në mes të Llapit dhe Dukagjinit, po ashtu e vlefshme për xhiron e 12-të të ligës elitare do të luhet javën tjetër.