Ballkani synon rezultat pozitiv ndaj Dinamo Zagrebit

05 tetor 2023 | 11:05

Trajneri Ilir Daja dhe mesfushori Qëndrim Zyba kanë shprehur optimizëm para ndeshjes që kampionët e Kosovës e zhvillojnë sot ndaj Dinamo Zagrebit në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. 

Skuadra e Ballkanit sot (e enjte) e zhvillon ndeshjen ndaj Dinamo Zagrebit në kuadër të grupeve në Ligën e Konferencës. Trajneri Ilir Daja në konferencë për medie ka thënë se janë përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe se lojtarët janë të motivuar për faktin se përballë kanë një skuadër të madhe siç është Dinamo Zagrebi.

“Për nivelin e Dinamos nuk duhet të flitet shumë, pasi ka një përvojë të jashtëzakonshme dhe është përfaqësuesja më e mirë e kampionatit të Kroacisë, vend i cili ka qenë nënkampion i botës. Natyrisht se është favoriti kryesor me Viktoria Plzenin për të kaluar grupin, por ndaj një kundërshtari të tillë motivimi i lojtarëve tanë është i lartë. Pra si trajner duhet vetëm ta menaxhoj anën emocionale. Jemi përgatitur dhe shpresojmë të bëjmë një gjë të bukur, por çfarë do të arrijmë do të tregojë fusha”, ka thënë Daja, i cili ka shtuar se përparësi e skuadrës së tij në këtë edicion është përvoja në Ligën e Konferencës, pasi është hera e dytë që luan në fazën e grupeve, derisa mungesë e madhe është largimi i Albion Rrahmanit dhe Meriton Korenciës si dhe lëndimi i Lindon Emerllahut.

Lidhur me mungesat për ndeshjen e së enjtes, Daja ka deklaruar: “Kemi një lojtar që është në dyshim. Të shohim, por shpresojmë ta kemi për ndeshjen, sepse është i rëndësishëm për ekipin”.

Në konferencën për medie, përkrah trajnerit Daja, ishte edhe Qëndrim Zyba. Ky i fundit beson se djelmoshat e skuadrës nga Suhareka mund të arrijnë një rezultat pozitiv. “Është një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por ne jemi të motivuar maksimalisht. Do të japim gjithçka nga vetja për të marrë një rezultat pozitiv. Dinamo Zagrebi ka një superskuadër që ka qenë në Ligën e Kampionëve, por edhe në Ligën e Evropës e tash në Ligën e Konferencës”, ka deklaruar Zyba.

Ndeshja Ballkani – Dinamo Zagreb i takon Grupit C dhe zhvillohet nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

 

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izet Abdyli Imer Gllareva, “Vargu pikon mall”, poezi, “Art Club…