Ballkani triumfon në Superkupën ‘Kosovë – Mërgatë’
Kampioni i Kosovës, Ballkani e ka shfrytëzuar pushimin e kombëtareve për ta pasuruar edhe më shumë kabinetin e trofeve.
Therandasit gjatë ditës së sotme kanë qenë nikoqir të Kosova Dusseldorf, për ndeshjen që është luajtur në kuadër të Superkupës “Kosovë – Mërgatë”.
Ballkani ka triumfuar minimalisht prej 1-0, me golin e shënuar nga Engjëll Ajazaj.
Pas përfundimit të ndeshjes, Ballkani ka falënderuar bashkëatdhetarët që ishin të pranishëm në stadium.
“Faleminderit të gjithë bashkatdhetarëve që në numër të madh ishin në stadium, për t’i dhënë hijeshi kësaj feste futbollistike, e cila përtej rezultatit, ishte një simbolikë shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, duke përçuar mesazh unifikues, ku të gjithë bashkë qëndrojmë në mbështetje të njëri-tjetrit”, ka shkruar Ballkani.
Ballkani rikthehet në aksion gjatë kësaj fundjave në Superligën e Kosovës.