Ballkani zyrtarizon largimin e dyshes Kuç-Thaqi: Faleminderit legjenda
Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, ka zyrtarizuar të mërkurën largimin e dy futbollistëve Edvin Kuç dhe Armend Thaqi. Klubi nga Suhareka ka vlerësuar lart kontributin e dyshes në fjalë për sukseset e jashtëzakonshme si në rrafshin vendor dhe në atë ndërkombëtar. Ballkani i ka quajtur legjenda Kuçin dhe Thaqin, ndërsa ka bërë me dije se dyert e klubit janë gjithmonë të hapura.
“Kanë zbritur në fushë për qindra ndeshje! Në secilën prej tyre veç e veç. U paraqitën me motiv e përkushtim të jashtëzakonshëm, duke dhënë shembullin tipik se si duhet sakrifikuar për skuadrën dhe fanellën që bartën. Atë e djersitën me vetëmohim në çdo minutë të betejave futbollistike, e jo rrallë edhe të gjakosur nuk u dorëzuan, duke vazhduar të luftojnë për qëllimet dhe objektivat e klubit. Ta kesh një kalibër të futbollistit të tillë për ta udhëhequr skuadrën do të thotë shumë, kurse ne ishim edhe më me fat, pasi dy liderë të tillë i kishim në fushë. Edvin Kuç dhe Armend Thaqi janë modeli që do t’u shërbejë gjeneratave, janë kulminacioni i profesionistëve sportivë, definicioni i vërtetë i titullit kapiten!”, thuhet në postimin e Ballkanit.
“Të gjitha sukseset tona historike janë të lidhura ngushtë me kontributin e çmuar dhe të paharruar të dy yjeve tanë. Ata do të mbetën përjetësisht kapitenët unikë që, si të tillë, motivuan bashkëlojtarët e tyre edhe në momente prej më të vështirave, e prijës të tyre ishin edhe në rrugën drejt glorifikimit. Faleminderit legjenda të FC Ballkanit. Ky klub do të mbetet shtëpia juaj e përhershme, ku ju presim sërish!”, thuhet në postimin e kampionit të trefishtë të Kosovës.
Ballkani në edicionin e sapopërfunduar ishte pjesë në grupet e Ligës së Konferencës, derisa përveç që arriti të shpallet për herë të tretë radhazi kampion, doli edhe fitues i Kupës së Kosovës.
/Epoka e re/