Ballkoni panoramik, investim për transformim të turizmit në Rahovec
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Larifi, ka njoftuar për fillimin e punimeve për ndërtimin e ballkonit panoramik mbi qytetin e Rahovecit.
“Sot, bashkë me ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, me bashkëpunëtorë e me qytetarë, mora pjesë në fillimin e punimeve të projektit ‘Ndërtimi i Ballkonit Panoramik mbi qytetin e Rahovecit’, bashkëfinancim i Komunës së Rahovecit dhe MZHR-së. Ky projekt, që e kemi quajtur ‘Grape city’, është një hap i rëndësishëm në drejtimin e zhvillimit të turizmit të qytetit tonë. Ky ballkon do të shërbejë si një vend unik për vizitorët dhe për qytetarët tanë, duke ofruar pamje të peizazhit të mrekullueshëm që na rrethon. Kjo është njëra ndër përpjekjet tona të pandalshme për ta bërë Rahovecin një vend të denjë për vizitorë dhe një qytet për të cilin jemi krenarë të gjithë”, ka thënë Latifi.