Balton Dërguti i Listës “Guxo”: Haxhi Avdyli është mashtrues
Zyrtari i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka treguar se ka qenë kryeministri Albin Kurti, ai i cili nuk ua ka pranuar për zëvendësministër, Balton Dërgutin, koordinator i kësaj Iniciative në Ferizaj. I ftuar në “DPT te Fidani”, Avdyli ka thënë se i njëjti ka synuar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Financave, por se Kurti nuk ka pranuar që ta bëjë zëvendësministër, derisa ka treguar edhe arsyen për këtë. Avdyli tha se mospërgaditja adekuate arsimore e profesionale ka qenë arsyeja pse Kurti nuk e zgjodhi Dërgutin për të qenë pjesë e ekipit qeverisës.
“Kërkesa e tij ka qenë për zëvendësministër. Por, z.Kurti i ka pak kriteret e larta për zëvendësministër, nuk e ka parapa me një përgaditje të tillë që të jetë zëvendësministër për ekonomi. Nuk e ka ba z.Kurti, sepse se ka pas përgatitjen për atë post. Edhe ne jemi pajtu që ta merr atë post, por z.Kurti e ka pa që ai nuk i plotëson kushtet për atë pozitë, por nuk i ka thënë decidivisht jo për ndonjë pozitë tjetër, por si duket ai është ngutë”, ka thënë Avdyli.
Për këtë deklaratë të Avdylit, sot ka folur edhe Dërguti. Ai tha për Express se vet Avdyli ka përçarë disa degë të kësaj iniciative në qytete të ndryshme të Kosovës.
Më tutje Dërguti akuzoi zyrtarin e Listës Guxo për mashtrime dhe për punësime familjare në institucionet shtetërore.
“Haxhi Avdyli është një mashtrues i cili vazhdimisht është thirr në vlerat rugoviane. Vazhdimisht ka përfituar në emër të këtyre premtimeve dhe po i njëjti tash po i bien për shkak se atë premtim nuk po e mban që e ka dhënë në elektorat, por po bën thirrje që ne të hyjmë në VV dhe të shkrihemi në VV. Ne jemi mësuar tashmë sepse siç e dini Haxhi Avdyli nga mashtrimet e tij ka përfituar vazhdimisht edhe në punësimet familjare siç ka bërë në institucione dhe duke hyrë vet deputet në shpinë të këtyre vlerave. Haxhi Avdyli tek koordinatorët e qyteteve njihet edhe si përçarës që ka bërë përçaje në disa degë për t’i përfituar disa anëtarë të Degëve për vota dhe një gjë e tillë nuk i bën nder askujt e sidomos z.Avdyli që qytetarët tashmë e njohin se çfarë është”, ka thënë ai për Express.
Me Avdylin, Dërguti u mor edhe në rrjetin social “Facebook”. Përmes një postimi, Dërguti tha se tash e një muaj e ka këtë pozitë në dispozicion, por se e ka refuzuar kategorikisht.
Madje ai tha se as për një pozitë të zv.ministrit dhe për asnjë interes tjetër nuk do të devijojë nga rruga e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
“Sa për pozitën e Zëvendësministrit ka me shumë se një muaj që e kam në dispozicion, e te cilën e kam refuzuar kategorikisht, madje një ofertë e tillë më është bërë edhe dje dhe sot kur po e jap këtë deklaratë , mbase Haxhiun se kanë informuar shokët e tij, por lufta ime nuk ka të bej me interesin tim personal, por jam nisur në shërbim të mbrojtjes së votuesve tonë, subjektit tonë dhe mbajtjes së premtimeve që i kemi dhënë në fushatë. E kuptoj se Haxhi Avdyli nuk e ka problem të bëj devijime ,por unë asnjëherë as për pozitë Zv. Ministri dhe për asnjë interes tjetër nuk do të devijoj nga rruga e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova sepse me këtë premtim i kemi marrur votat tek elektorati ynë”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.