
Balzaretti: Kumbulla është si Chiellini
Ai mbushi 20 vjeç vetëm dy muaj më parë, por askush nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen rrezatuese të Marash Kumbulla. Jo më kot, mbrojtësi shqiptar, sot pjesë e Verona, ka përfunduar në radarët e Napolit dhe Interit në Itali.
Federico Balzaretti thekson cilësitë e qendërmbrojtësit kuqezi, me shtetësi italiane:
“Kohët e fundit formohen mbrojtës që janë të mirë në ndërtimin e lojës, por që sigurisht kanë defekte në fazën mbrojtëse. Kumbulla është ndryshe, është një mbrojtës ‘mbrojtës’, nga ata që mendojnë të mbrojnë portën e tyre, që të mos pësojnë gol”.
Vetë Balzaretti nuk nguron të bëjë një krahasim “shumë të rëndë” për një djalosh 20-vjeçar, që duhet të dëshmojë akoma shumë në futboll: “Për nga karakteristikat fizike, mua Kumbulla më kujton pak nga Giorgio Chiellini e ri”.
Këtë sezon, i pari në Serie A, Kumbulla ka grumbulluar 18 ndeshje deri më tani, duke shënuar edhe një gol, por mbi të gjitha duke shmangur shumë të tillë në portën e vet. Shkurt, e ardhmja është në këmbët e tij, sipas Balzaretti, transmeton “Telesport”.