Bandat në Meksikë zhvillojnë luftë, 19 të vrarë
Zyrtarët meksikanë kanë njoftuar se 19 persona janë vrarë gjatë luftimeve mes dy bandave rivale të drogës në rajonin verior, Chihuahua, në kufi me Shtetet e Bashkuara.
Zyra e prokurorit të shtetit njoftoi se 18 trupa të pajetë, dy granata, disa automjete dhe armë janë gjetur në vendin e ngjarjes në Madera. Dy të plagosur u kapën më vonë. Njëri vdiq në spital dhe tjetri është dërguar në mbajtje.
Autoritetet thanë se kanë dërguar policë dhe ushtarë për ta siguruar zonën, ku përkrahësit e grupit “Sinaloa” janë përleshur me anëtarët e grupit “Juarez”, shkruan “The Guardian”.
Meksika është një ndër shtetet me shkallën më të lartë të vrasjeve në botë. Vetëm gjatë muajit mars në këtë shtet u regjistruan 2585 vrasje, që paraqet shifrën më të lartë mujore që nga viti 1997.