Banka Botërore aprovon projektin e ekonomisë digjitale për Kosovën
Bordi i drejtorëve ekzekutiv të Bankës Botërore (BB) ka miratuar të premten Projektin e Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE) për të rritur qasjen e qytetarëve në shërbime më të mira dhe me shpejtësi të madhe (interneti) të brezit të gjerë frekuencor, si dhe në burimet e njohurive, shërbimet dhe tregjet e punës në internet.
Huaja për këtë projektin kap shifrën 20,700,000 euro (e barasvlershme me $25 milionë).
“Projekti do të ketë spektër të gjerë përfitimesh për popullin e Kosovës, duke i lidhur ata me informacione, shërbime dhe vende të punës. Duke zhvilluar dhe forcuar infrastrukturën digjitale të Kosovës, ky projekt do të thellojë lidhjet e Kosovës me ekonominë globale, që është me rëndësi kritike për rritjen dhe zhvillimin në të gjithë vendin”, citohet të këtë thënë në komunikatën e BB-së, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli.
Kurse Natalija Gelvanovska-Garcia, udhëheqëse e ekipit të detyrës për këtë projekt, ka theksuar se projekti KODE ndërtohet mbi nismat kombëtare tashmë funksionale që janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë midis Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore, si një sërë e pilotimeve të brezit të gjerë frekuencor në mjedise rurale të prira nga qeveria që shkrepin investime kapitale private në futjen në përdorim të brezit të gjerë frekuencor.